ILIR NIKOLLA/ Një gjë të sigurt ka politika shqiptare – inkriminimi nuk...

ILIR NIKOLLA/ Një gjë të sigurt ka politika shqiptare – inkriminimi nuk është bypartisan!

233
0
Shares
Ilir Nikolla

Klasa politike shqiptare është e inkriminuar dhe shpresat që një qilizëm i hetuesve amerikanë të ketë efekt, janë të kudogjendshme. Sot, kur i madh e i vogël e ka marrë vesh se kanabizimi i Shqipërisë ishte një vendim e platformë politike e kryeministrit Edi Rama, ligjërimi i drunjtë, i baraslarguar dhe gjithëpërfshirës, nuk i shërben qëllimit. Një ligjërim gjithëpërfshirës delegjitimon gjithë përpjekjen kombëtare për të pastruar klasën politike nga ndikimi i krimit të organizuar.
Nëse përpiqemi që të këqinjtë t’i kërkojmë në të gjithë hapësirën publike, rrezikojmë që të çimentojmë një rezistencë transversale, dhe ç’është më e keqja, të bëjmë të besueshme skepticizmin e përhapur se i gjithë procesi i Vetting-ut është propagandë apo edhe më thellë akoma; se kemi të bëjmë me një tentativë për kapjen e pushtetit të drejtësisë.
Ligjërimi ditor ka disa piketa që s’ka pse të errësohen, as nga gjuha e “par condicio-s”, as nga grishja për të qerasur ndonjë peshk të madh në politikë. Historia e pas 2013-s s’ka asnjë pikëpyetje dhe që të gjithë precedentët flasin për një politikë miqësore të Edi Ramës ndaj klaneve të krimit të organizuar. Ato s’janë prekur nga institucionet, kanë përfituar vit për vit nga amnistitë e mazhorancës, kanë zgjeruar domenet e tyre, në partneritet apo nën pakte mossulmimi me policinë, dhe kanë ndikuar secilën herë në zgjedhjen e kandidatëve të tyre apo kandidatëve miqësorë me ta në parlament, nëpër bashki apo edhe nëpër kolegjet e gjyqtarëve. Emrat që kapi rrjeta e dekriminalizimit vijnë që të gjithë nga grupet parlamentare të mazhorancës së Edi Ramës, edhe revolta popullore ndaj të tjerë kandidatëve që po i bishtnojnë rrjetës së dekriminalizimit, është e gjitha e drejtuar drejt deputetëve apo kryebashkiakëve të Edi Ramës. Asnjërin prej tyre, kryeministri s’e lëshoi me të vërtetë, por u përpoq me mish e me shpirt që daljen nga dera ta zëvendësonte me një hyrje shpërblyese nga dritarja. Detyrat në parti, kandidimi i të afërmve të tyre në listat e 2017-s si dhe besëlidhja klanore se ata do të jenë gjithmonë në “oborrin e Edi Ramës” është realiteti që e lidh inkriminimin e politikës së re të pas 2013-s vetëm me mazhorancën e kryeministrit.
Asnjë përpjekje barazitizmi s’mund të ketë sukses. Opozita s’ka asnjë mundësi të verifikojë vullnetet që afrohen në oborrin e saj. Kur ato kanë damkën publike të të inkriminuarit, mbeten jashtë gardhit, dhe kur janë aq firaunë sa të depërtojnë nëpër lista, denoncimet e publikut apo të ndërkombëtarëve kanë kryer pjesën tjetër të detyrës dhe asnjë syresh s’ka mundur të marrë mandat e as të gënjejë në dokumentet e dekriminalizimit. Në kushtet kur beteja politike është përherë e më e pisët, ky qëndrim i opozitës shqiptare meriton veç lavdërime, të njëmendta e të pafshehura nga gjuha e drunjtë e barazitizmit.
Historia e para 2013-s, është kudogjindshëm e mbushur me enumeracion bandash që janë pranë Fatos Nanos, Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit, Niko Peleshit apo eksponentëve të tjerë të së majtës dhe pas 2005-s regjistruan edhe një rekord arrestimesh që u vlerësuan edhe ndërkombëtarisht si një pastrim i politikës nga ndikimet kriminale.
Në një moment kaq delikat politik siç është ky i tanishmi, kur Vetting-u pritet të fillojë e kur skandalet kanë implikuar sheshazi kryeministrin dhe oborrin e tij si nën ndikimin e krimit – bile të vënë nën shërbimin e tij – gjuha e drunjtë e barazlargësisë s’ndihmon dosjet hetimore të hapura e as nuk inkurajon hapjen e dosjeve të nxehta. Rekordet duhen respektuar, duhen lexuar. Ato rekorde e kanë shndërruar Shqipërinë në një fushëbetejë ku krimi po kërkon pushtetin dhe kjo po ndodh nën hyqmin e Edi Ramës. Publiku pret lajmin e mirë që amerikanët (dhe evropianët) do të ndihmojnë në këputjen e lidhjeve të politikës në pushtet me krimin dhe në rrënimin e avenirit politik të përgjegjësve që e sollën situatën në këtë pikë. Fajtorët janë peshq të mëdhenj dhe ata janë të gjithë në qeveri ose nën shërbimin e kryeministrit. Shndërrimi i Shqipërisë në Kanabistan është një realitet i ri dhe i kërkon përgjegjësit tek kjo kastë e re pushtetarësh.
Faji nuk është bypartisan, as precedentët e rinj, as praktikat e mira s’e justifikojnë gjuhën e baraslarguar. Nëse respektohet kodi i fajit “bypartisan”, s’e kemi gjetur drunë që meriton mushka, prandaj do të duhet të merremi edhe me rrëshqitjet “estetike” që shfaq mesazheri.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY