Madhëria juaj, Princ Leka!
Zoti Besnik, kryetar i Bashkisë së Bajram Currit!
Zonja Kryemadhi, kryetare e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim!
Zoti Basha, kryetari i opozitës shqiptare!
Të dashur Fatmira, Kiri, Azem, Rudina, familjarë të heroit tonë!
Rasim, Nurije, të gjithë familja dhe të afërmit e heroit tonë kombëtar, Azem Hajdari!
Të dashur përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, Daut Haradinaj, familja Rugova, Rustem Geci, shqiptarëve të Malit të Zi, zoti Niman Begu, shqiptarëve të diasporës, shqiptarëve kudo që janë!
Zotërinj deputetë!
Zonja deputete!
Motra dhe vëllezër!
Tropojase dhe tropojas, përshëndetjet e mia më të përzemërta, më vllazërore!
Jemi mbledhur sot këtu së bashku për të nderuar djalin, burrin, birin e kësaj treve, që na dha nder ne më shumë se kushdo tjetër, që na dha dinjitet ne më shumë se kushdo tjetër, që u dha shqiptarëve nder dhe dinjitet kudo që ndodhen, më shumë se çdo burrë tjetër, çdo djalë tjetër, çdo bir tjetër, për të nderuar legjendën e lirisë së kombit tonë, Azem Hajdarin.
23 vjet më parë biri i shquar i Tropojës dhe mbarë kombit shqiptar, një student i thjeshtë, që përjetonte të gjitha mundimet e kohës, do të kthehej, do të shndërrohej në një kreshnik të vërtetë të maleve tona, do të shndërrohej në legjendën e vërtetë të guximit tuaj, të guximit të malësorëve të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, do ngrihej si luan mbi supet e bashkëmoshatarëve të tij dhe përballë mitrolozeve, përballë autoblindave, përballë dhëmbëve të diktaturës më të egër të Europës, do të brohoriste “Liri Demokraci”, do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, do të shkallmonte dyert e mbyllura të dinjitetit për shqiptarët dhe do bënte që shqiptarët në Tropojë, në Gjirokastër, shqiptarët kudo të ngrihen fuqishëm si njerëz të lirë, si njerëz krenarë, si njerëz me besime të mëdha te vetja, Zoti dhe Shqipëria.
Vëllezër dhe motra!
Azem Hajdari përbën në historinë e këtij kombi përsonalitetin më të jashtëzakonshëm të tij sepse ai, me një grup studentësh, me një grup prej 1000 studentësh do të ndante epokat dhe historinë, do të ndante shqiptarët nga diktatura, do t’u printe në rrugën e lirisë me parullën, me motivin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Ai vuri për ne jetën e tij, vuri për ne ëndrrën e tij, guximin e madh, triumfin e liderit liberator.
Azem Hajdari është personalitet i jashtëzakonshëm i historisë tonë, sepse është i vetmi që jetoi si legjendë për trimërinë e tij, dhe legjendë mbeti në përjetësinë e tij. Jetoi si tribun në jetën e tij, tribun mbeti në përjetësinë e tij. Sot pra ne kemi Azemin e këngëve, Azemin e historisë, Azemin e shtatoreve, Azemin e portreteve, Azemi që e njohëm dhe që mbush me krenari zemrat tona. Por kemi dhe Azemin e ëndrrës së pavdekshme të shqiptarëve, frymëzues në çdo moment, në çdo rrethanë për guximin që ata duhet të dëshmojnë.
Azem Hajdari me studentët liberator, në dhjetor të vitit ‘90 bëri që çështja kombëtare, nga një çështje e tradhtuar, nga një çështje e shkelmuar, nga një çështje e harruar të shndërrohet në yllin polar të shqiptarëve. Dhe sot, falë përpjekjeve mbinjerëzore të presidentit Rugova, luftëtarëve të lirisë, që skuqën Kosovën me gjakun e tyre, kombi është i lirë, më i lirë se kurrë, më i sigurt se kurrë në të ardhmen e tij.
Azem Hajdari jeton dhe do jetojë përjetë në idealin e lirisë, në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari, të çdo vajze, çdo djali, çdo të riu, çdo burri, çdo gruaje të kësaj toke, që do të ndjehet i barabartë, i lirë, me dinjitet, kokëlartë.
Ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë, dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën shqiptarët të mos marrin dot vendimet e tyre, bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe, për t’u ndarë nga çdo e keqe që nuk meritojmë, për të ecur të sigurt drejt hapësirave europiane që ne meritojmë.
“Shqipëria Europiane” ishte ëndrra e Azem Hajdarit, “Shqipëria Europiane” është ëndrra e fëmijëve tanë, është ëndrra jonë, të luftojmë së bashku për ta bërë atë realitet sa më shpejt!
Miqtë e mi, edhe një herë dua të përulem me nderim të madh para secilit prej jush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni lirisë, demokracisë, për birin e shquar që i dhatë kombit, tribunin legjendar Azem Hajdari. I përjetshëm kujtimi i tij.
Më lejoni të falënderoj nga zemra të gjithë ata që sponsorizuan, që bënë të mundur derdhjen, ajo në fakt është në bronz por duket si në shkëmb. Falënderoj skulptorin Isa Baliaj, i cili na ka prurë Azemin si të gdhendur nga thellësitë e Alpeve për ta vendosur këtu në qytetin e tij, të prehet përjetësisht në zemrat e qytetarëve shqiptarë, të prehet përjetësisht në këtë shesh, në këtë qytet. Edhe një herë nder përjetë kujtimit të heroi tonë legjendar Azem Hajdari!
*Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha në përurimin e shtatores së Azem Hajdarit
Publié par Mimoza Hajdarmataj sur vendredi 27 octobre 2017
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/