Vendimi gjyqësor i vitit 2005 për Moisi Habilajn rrëzon pretendimet e Saimir...

Vendimi gjyqësor i vitit 2005 për Moisi Habilajn rrëzon pretendimet e Saimir Tahirit

382
0
Shares
Në vitin 2015, ish-ministri Saimir Tahiri deklaroi se nuk kishte të dhëna që Habilajt kishin precedentë në momentin që u shiti makinën, por një vendim i Gjykatës së Vlorës i vitit 2005 tregon se Moisi Habilaj u hetua pasi gjurma e gishtit të tij u gjet mbi pakot me 53 kg kanabis, por ia hodhi drejtësisë me vetëm 10 muaj burg.

I arrestuari në Itali për trafikimin e rreth 3.5 tonëve kanabis, Moisi Habilaj nuk ka qenë person i panjohur për drejtësinë shqiptare. 39-vjeçari që implikon në përgjimet e tij edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i ka shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë në vitin 2005, periudhë kur është proceduar nga Prokuroria e Vlorës për akuzën e “mbajtjes, përpunimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.

BIRN disponon një vendim të nëntorit 2005 të gjykatës së Vlorës, [Kliko për vendimin] ku Moisi Habilaj rezulton se është proceduar dhe gjykuar së bashku me tre persona të tjerë, pasi gjatë një operacioni u gjetën 53 kg kanabis i ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila ishte bërë gati për shitje.

Hetimet zbuluan një gjurmë gishti të Habilajt në pakot e drogës, por Gjykata e Vlorës e ka dënuar atë me 10 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.

Lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përmendja e tyre si kontigjentë të policies në kultivimin e kanabisit u denoncuan për herë të parë në publik nga ish-oficeri i Antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani në vitin 2015. Sipas Zaganit, vëllezërit Habilaj lëviznin me makinën e ministrit të Brendshëm dhe ishin të paprekshëm nga policia e Vlorës.

Në deklaratat publike pas këtij denoncimi, Tahiri pranoi se ia kishte shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilaj-me të cilët kishte lidhje fisnore, por u mbrojt me faktin se nuk kishte të dhëna se ata ishin implikuar në kultivimin apo trafikimin e kanabisit.

Padijeninë për implikime të mëparshme të vëllezërve Habilaj, Tahiri e përsëriti edhe intervistën e tij në emisionin “Opinion” më 19 tetor 2017, ku pranoi si gabim të tij faktin që nuk kishte kryer verifikime.

“Unë duhej të kisha kërkuar mirë kujt po ia shisja makinën. Pa paragjykuar fare dhe pa menduar se kjo makinë u ishte shitur ca njerëzve që kanë aktivitet kriminal, më shkoi mendja që të kërkoja makinën time dhe të shkoja me pushime. Kjo më ngarkon me përgjegjësi morale pa asnjë diskutim, por jo me faj,” tha Tahiri në Opinion.

I pyetur nga BIRN, një nga prokurorët e çështjes që po heton dosjen “Habilaj” tek Krimet e Rënda tha se kanë pasur informacione të nevojshme dhe të sigurta se ky person dhe anëtarë të grupit të tij mereshin me aktivitet kriminal.

Sipas prokurorit, në shumë raste ka munguar vullneti i përbashkët polici-prokurori për të hetuar këtë grup, madje në disa raste hetimi për Habilajt është braktisur dhe dekonspiruar, duke mbartur çështjen për vite me radhë.

Procedimi penal që mban numrin 165 i vitit 2005 në ngarkim të të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha tregon se lënda narkotike e ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila peshonte 53 kilogramë u  gjet në shtëpinë e shtetasit Mustafa Alliu në fshatin Panaja të rrethit të Vlorës.

Nga deklarimet e shtetasit Mustafa Alliu ka rezultuar se kjo sasi droge i përkiste të pandehurit Shpërblim Alliu.

Nga ana e prokurorisë është kryer përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të pakove me lëndë narkotike dhe ka rezultuar në shiritin e dytë të natribanit, nga ana e brendshme u gjetën dy gjurmë të cilat i përkisnin njëra të pandehurit Moisi Habilaj dhe tjetra te pandehurit Flamur Zeka. Në njërën prej sipërfaqeve të mëdha të pakove është gjetur gjurma e pëllëmbës së të pandehurit Shpërblim Alliu, ndërkohë që gjurmë gishti ka pasur edhe i pandehuri në atë kohë, Ylli Hoxha.

Sipas vendimit të Gjykatës që pasoi këtë procedim, Moisi Habilaj ka pranuar se ai kishte dijeni për sasinë prej 53 kg drogë, pasi në një vizitë në shtëpinë e Alliut ai e kishte hapur ngjitësin. Megjithatë, Habilaj ka pretenduar se pasi e ka mbyllur sërish atë, e ka këshilluar të pandehurin Shpërblim Alliu që ta asgjësonte.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Dorian Tafili ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për Moisi Habilajn, i cili në atë kohë akuzohej për veprën penale të “mbajtjes dhe përpunimit të bimëve narkotike”, por Gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke e dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burgim për “moskallëzim krimi”.

Pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, Gjykata dënoi me 4 vjet burg Shpërblim Alliun ndërsa Zeka dhe Hoxha u dënuan gjithashtu për moskallëzim krimi.

Avokati Eduard Veçani, i cili në atë kohë mbronte Flamur Zekën kujton për BIRN se klienti i tij ka qenë punëtor i thjeshtë, i cili kishte pranuar të paketonte sasinë e drogës kundrejt 10 apo 15 mijë lekëve të vjetra.

Sipas avokatit Veçani, këto dënime u lanë në fuqi dhe nga gjykata e Apelit Vlorë.

Dymbëdhjetë vjet pas dënimit minimal nga Gjykata e Vlorës, Moisi Habilaj akuzohet nga Prokuroria e Katanias për trafikimin e 3.5 tonëve kanabis drejt Italisë, në bashkëpunim me 6 shqiptarë dhe katër italianë gjatë viteve 2013-2017.

Në hetimet voluminoze të antidrogës italiane, Habilaj është përgjuar ndërsa përmend rryshfete apo dhurata për Tahirin dhe familjarët e tij. Këto përgjime, por edhe prova të tjera e shtynë Prokurorinë e Krimeve të Rënda që t’i kërkonin Kuvendit të Shqipërisë të autorizonte arrestimin e Tahirit, si person i dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Por deputetët e Partisë Socialiste në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit votuan kundër kërkesës së Prokurorisë, duke paralajmëruar votën kundër arrestimit edhe në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Shqipërisë.

Autor: Elton Qyno | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY