AGRON GJEKMARKAJ/ Bravo çuna (italianë), në PS po fërkojnë duart për Saimir...

AGRON GJEKMARKAJ/ Bravo çuna (italianë), në PS po fërkojnë duart për Saimir Tahirin…

305
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Lajmi dhe dosja që mbërritën nga Italia ia behën si mort në mes të dasmës socialiste të fitores! Banda e kapur atje e drogës, bisedat e përgjuara mes tyre në bash të vendit kishin deputetin aktual të PS-së dhe ish-ministrin e Brendshëm të saj si ndihmës dhe përfitues i drejtpërdrejtë i trafikut të tyre. Të vërtetën finale sigurisht që do ta nxjerrë një proces gjyqësor në vendin fqinj dhe jo retorika politike në Tiranë.
Gjithsesi, kjo ngjarje përbën skandalin më të madh që ka përfshirë qeverinë Rama qysh prej vitit 2013 kur erdhën në pushtet “rilindasit” me zhurmë, potere, kërcënime e premtime! Ajo që ka ndodhur në vendin tonë është një gjë e rëndë dhe e padëgjuar në vendet e civilizuara që aspiratë kanë demokracinë dhe drejtësinë. Kultivimi i drogës në të gjithë territorin e vendit nën sehirin e policisë, qëndrim ky që mund të përkthehet si bashkëpunim dhe përfitim prej fenomenit, ndërtimi i pistave, rrëzimi i avionëve, transportimi me skafe dhe kamionë ka bërë të mundur përkufizimin e Shqipërisë si Kolumbia e Europës, si dhe ka ndyrë etikën publike.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Kryeministër ka qenë Edi Rama dhe ministër Saimir Tahiri, të cilët kanë mohuar gjithçka duke bërë për të marrë, lolo, të verbër, këdo që e ka ngritur zërin, duke i quajtur të gjithë individët pjesë të baltës dhe të kazanit mediatik, ndërsa opozitën tellalle e imazhit të keq të vendit. Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama e ka konsideruar Tahirin ministrin më të suksesshëm, edhe pse prej disa vitesh është akuzuar nga Opozita si bashkëpunëtor dhe mbështetës i kësaj bande dhe protektor i trafikut.
Tani, Rama bën të paditurin, të hutuarin, personin e etur për të vërtetën, të cilën e priska si adoleshenti të dashurën në parvaz apo më mirë të themi skllavi lirinë. Ky është teatër. Gjithësa është shkruar në atë dosje, në një mënyrë apo një tjetër, i është thënë shefit të ekzekutivit vite e muaj më parë, ditë për ditë nga pak. Por qofshin ato letra apo kumte mediatike, janë shtyrë me shkelm prej tij, siç largon çdokush nga rruga me përbuzje ndonjë shkarpë që i pengon të ecurën me galop.
Sot Kryeministri e ka të pamundur të bëjë kuriozin që pret me dorë në zemër, ulur në prag të derës, në muzg, të vërtetën e Saimir Tahirit për të liruar veten dhe shqiptarët nga ankthi. Në një vend të vogël si ky i yni, ku Kryeministri ka realisht një pushtet të pakufi në ekzekutiv dhe parti, ku bindja dhe luajaliteti symbyllurazi është kusht për një post publik, ai është i informuar për çdo gjë dhe lëviz cdo gjë. Ai komandon deri edhe buzëqeshjet apo qeshjet në kor.
Në rastin e kanalizimit, edhe nëse s’e ka informuar Tahiri, e ka informuar Shërbimi Informativ, partneret ndërkombëtarë dhe agjencitë e tyre ligjzbatuese, mediat dhe Opozita, miqtë dhe shokët e vet. Por ai ka preferuar të mbrohet duke sulmuar denoncuesit dhe kështu ka mbrojtur narkotrafikun, çka të bën të mendosh se në një formë apo në një tjetër ka përfituar prej tij. Shifra prej 20 milionë eurosh që del nga përgjimet, e cila do të përdorej në fushatën elektorale, fillon të kthejë seriozitetin për akuzat e shitblerjes së votës.
Nëse Tahiri kishte “ushtarët” e tij në këtë histori, vetë Saimiri ishte një “ushtar” i Edi Ramës. Përgjegjësia kryesore e kësaj ngjarjeje bie mbi Edi Ramën. Ai nuk mund të bëjë sikur Tahirit ia dëgjoi dje emrin për herë të parë. Nxitimi për ta hedhur Tahirin te të panjohurit zbulon përmasën e shqetësimit dhe të panikut që kjo histori me frymëmarrje të gjerë ndërkombëtare ka hedhur mbi Kryeministrin. Kjo dosje do të modifikojë sjelljen dhe të ardhmen e tij politike, duke ia deformuar fytyrën (politike) si Gwynplaine-it, njeriut që qesh të Hygoit!
Dje, Saimir Tahiri dha një konferencë shtypi. Ish-ministri dikur arrogant, shfaqej dukshëm i rrënuar dhe i tradhtuar. Nën peshën shtypëse të braktisjes nga të vetët dhe sulmet me “predha” nga topat e opozitës, gjylet e së cilës dje ranë edhe në oborrin e Kryeministrisë, aty ku duhet të jetë edhe shënjestra reale, live përcolli epilogun e tij politik! Në planin njerëzor, vetëm Elisa Spiropali dhe Ulsi Manja gjetën kurajën të thonë dy fjalë solidariteti. Servilët të lënë pendët në të tilla vaki.
Kundërshtarët gëzojnë me egërsi. Shumë në PS fërkojnë duart për sapo i ndodh Saimir Tahirit, derisa ndonjë tjetër dosje në dorë të Saimirit apo ndokujt tjetër t’i fusë në ankth. Dosja nxori në dritë një fakt me ndjeshmëri të lartë globale, siç është trafiku i drogës dhe përzierja e politikes në të. Përshtypja e opinionit publik është se as ministrat e tjerë nuk janë më të ndershëm se Tahiri, por thjesht mbi ta nuk ka rënë aq vëmendje sa mbi atë!
Në përgjithësi pak ministra ia kanë dalë në këto vite lirie të mos e ndyjnë imazhin e tyre, megjithëse po t’ua kujtosh korrupsionin, mërziten dhe të marrin zët shejtanët. Sytë u ndezen gacë kur të shohin në rrugë. Të mallkojnë me kuç e me maç. Rasti në fjalë hap një kllapë për meditim pa e personalizuar.
Uria e madhe, zhagatja, zhgrryerja, spazma që ekziston për të patur një vulë një karrige dhe një institucion, ka të bëjë me modelin që vit pas viti politika si djathtas, ashtu dhe majtas, i ka ofruar shoqërisë. Hyjnë të varfër trokë dhe dalin të pasur qamet. Dalëngadalë bëhen hijerëndë dhe fjalëpakë! Tentojnë të distancohen nga origjina dhe shokët e dikurshëm, telefonin e hapin në të rrallë ose fare! Kur kthehen veç për pak, gati si favor hyjnor, pranojnë t’u paguajnë drekën dhe kafenë, teksa miqtë i këqyrin në dritë të syrit shtypur në krenari nga hallet.
Ata flasin zakonisht pak për t’i dhënë mister pushtetit dhe padijes së tyre. Gratë dhe fëmijët e tyre tanimë rrethuar me të ardhura vendosin standardet shoqërore me veshjet, pushimet, makinat, celularët, udhëtimet, universitet e shtrenjta të botës dhe gjergun në rrugë. Në shumë raste suksesi nuk është gjë tjetër, veç histori korrupsioni dhe shpërfytyrimi në Shqipëri.
“Fisnikëria e re” në shumicë është pagëzuar atyre labirintheve. Aq shumë përsëritet kjo gjë, sa bëjnë me turp çdo njeri të ndershëm pse është ende i tillë. Duke u kthyer te dosja që mbërriti nga Katania, sido që ta menaxhojë opozita dhe partnerët ndërkombëtarë, ajo do t’i rrijë kësaj qeverie tani e tutje si shtrati i prokrustit. “Dielli lind nga perëndon”, shkruante Naim beu mendjehollë mbi një shekull më parë, teksa përpiqej t’u hapte sytë e klepur nga përgjumja otomane bashkëkombasve të vet.
Në fakt, edhe pse mund të akuzohemi për pohime patetike, sidomos tani kur fjalët integrim, perëndim dhe Europë janë bërë shoshë nga abuzimi i ligjërimit politik dhe ani nëse ndodh, s’rrimë dot pa thënë se zgjimi dhe shpëtimi nga Perëndimi na kanë ardhur gjithmonë. Kjo dosje, e cila vjen nga brigjet perëndimore përtej detit, duhet t’i shërbejë kësaj shoqërie për të zgjuar ndërgjegjen e vet, duke mos e trajtuar atë si një habi që tri ditë zgjat.
Vërtet lajmet e këqija te ne mbulojnë njëra-tjetrën, por pesha që shtohet e mullarit na shndërron ne si shoqëri në humus perfekt të organizatave kriminale dhe nesër fëmijët tanë anëtarë të devotshëm të tyre. “Bravo çuna!”, u pat thënë Tahiri policëve dikur në shfaqjet propagandistike të rilindjes. Tani kjo duhet përkthyer “Bravo ragazzi italiani!”, Bravo çuna italianë, se për “çunat tanë” e mori ferra uratën!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY