Rama harron kushëririn e Habilajve si “ministri më i suksesshëm”: Fajin e...

Rama harron kushëririn e Habilajve si “ministri më i suksesshëm”: Fajin e ka opozita

117
0
Shares

Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga reagimi i shkurtër dje, sot ka zgjedhur një retorikë të gjatë, jo “live” para kamerave të TV-ve, por në rrjetet sociale, për të fajësuar opozitën për “çorbën e dy kriminelëve të arrestuar në Itali”.
Por kryeministri nuk guxon të përmend Saimir Tahirin, si pjesë e “çorbës së dy kriminelëve të arrestuar në Itali”… Ai nuk guxon ta përmend as si “ministrin më të suksesshëm” të tij.
Por Edi Rama guxon të përsërisë refrenin “kanabisi nuk është më problemi aktual”, refren që ai e ka përsëritur më se 4 vitet e fundit edhe kur italianët skedonin gomonet e nisur me drogë nga kushërinjtë e ministrit të tij, refren që e ka përsëritur edhe kur kushërinjtë i paguanin 30 mijë euro ministrit të tij për çdo ngarkese droge që mbërrinte në Itali, refren që e ka përsëritur edhe kur kushërinjtë i bënin dhurata të shtrenjta gruas e nënës së ministrit të tij…, për çdo ngarkesë droge që kapërcente detin dhe “dilte nga inventari” i 98 përqindëshit “të korrur” në Shqipëri… DRONI.al

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Asgjë e re nga fronti i vjetër, përveç faktit që sot nuk janë më ca në çadër e ca me çadrën, po janë të gjithë brenda në çadër, me po ato maska që as skuqen as zverdhen kur i marrin shqiptarët për budallenj; me po atë paaftësi për të marrë përgjegjësi mbi vete, për katandisjen e institucionit të opozitës në një sharëtore publike; me po atë hipokrizi të skajshme të tërë këtyre viteve, si në pushtet e si në opozitë, ku vazhdojnë me po atë këngë të vjetër, të cilën e dëgjojnë vetëm shurdhët me veshët në rregull!
Ata s’duan as shtet serioz, as drejtësi të drejtë, as luftë me krimin e me plagët e trashëguara prej pushtetit të tyre të vjetër. Duan vetëm pushtet për vete, në një shtet si ai që na lanë copa e çika katër vjet më parë, me një drejtësi që komandohet prej pushtetit të tyre dhe një ekonomi që rritet vetëm në oborrin e tyre të pushtetit.
Ne jemi ndryshe dhe po luftojmë përditë që të bëjmë shtet, punë, mirëqenie për Shqipërinë që duam. Nuk jemi aspak të pagabueshëm. Nuk jemi aspak të paprekur nga sëmundjet e një çerekshekulli pa shtet, pa rregulla e norma dhe pa ndëshkueshmëri. Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë.
Por, ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjësi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni.
Sot, kur e tërë opozita me kuç e me maç, u zhyt si front në çorbën e dy kriminelëve të arrestuar në Itali, është dita të kujtojmë se në 20 vitet e fundit, ka pasur plot raste kur politikanë, deputetë e familjarë të tyre janë përfshirë në akuza publike. Disa herë akuzat kanë dalë të vërteta, disa herë jo. Por, ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën. Paraardhësi im në qeveri e çoi Shqipërinë buzë greminës vetëm e vetëm për të mbrojtur djalin dhe vajzën e tij. Lideri i sotëm i opozitës përdori një raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit për një akuzë të ngritur nga prokuroria për korrupsion. Por ne nuk jemi të gjithë njësoj. Ne jemi ata që punuam dhe luftuam për Vetingun dhe reformën në drejtësi (Ju kujtohet mirë besoj që të gjithë këta të frontit i kishim kundër e na bënë qepaze në sytë e Amerikës e të Europës!). Ne sot jemi plotësisht të angazhuar që Vetingu të bëhet deri në fund dhe drejtësia e re më në fund të vendoset. Për të gjithë, pa asnjë dallim.
Ndërkohë na vjen shumë mirë që të mbledhurit në front, nuk e përmendin më kanabisin si problem aktual. Dhe ndryshe nga ata që duan të përdorin muhabetet e kriminelëve, në luftën e tyre të dëshpëruar për pushtet, ne do të vijojmë luftën e nisur tanimë kundër rrjeteve kriminale dhe aseteve të përfituara nga krimi.
Në këtë luftë jemi bashkë me shqiptarët e arsyeshëm dhe me partnerët tanë strategjikë, prandaj do ta fitojmë siç fituam luftën e gjatë, të vështirë, me plot baltë e jo pak probleme brenda vetë Policisë së Shtetit, për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë e për heqjen e kësaj njolle të vjetër turpi nga fytyra e Shqipërisë që duam.
Për aq kohë sa jemi në vijën e parë të luftës, kemi marrë parasysh edhe plagët, por edhe baltën, që sjell kjo betejë aspak e lehtë. Por ama ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe kriminelët deri në fund, për Shqipërinë që duam.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY