Saimir Tahiri shmangu hetimin e lidhjeve kriminale të Qazim Sejdinit dhe vuri...

Saimir Tahiri shmangu hetimin e lidhjeve kriminale të Qazim Sejdinit dhe vuri eskortë për ruajtjen e tij

574
0
Shares

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, përmendi me emra dy grupet më të fuqishme rivale të Elbasanit. E bëri dje në parlament kur u vu nën akuzë nga opozita se po favorizon njërën prej tyre, të lidhur ngushtësisht me kryetarin e bashkisë, Qazim Sejdinin.
“Kam kërkuar të analizojnë jo thjesht dhe vetëm ngjarjen e ndodhur, sikurse është pasqyruar në media, e cila ka në vetvete problematikat e saj, por një analizë shumë më të plotë që të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale lidhur me këto dy grupe kriminale, Çelaj dhe Çapja, në mos gaboj.”
Ministri nuk gaboi. Ai e ka në tavolinën e tij të gjithë informacionin me dosjet e dy grupeve që veprojnë prej më shumë se 1 dekade në Elbasan. Me shprehjen “në mos gaboj” tentoi të tregonte se emrat e përveçëm s’janë objekt i tij, por është situata ajo që e detyron të veprojë dhe presioni i opozitës ai që e bën t’ua përmendë emrat ndër dhëmbë. Por kjo është një histori tjetër.
Ministri i Brendshëm është në dijeni të faktit se Qazim Sejdini, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, ruhet me eskortë prej fundit të vitit 2016. Ka dijeni në detaje për arsyet, sepse urdhri ka dalë nga zyra e tij kur në të qëndronte Saimir Tahiri.
Një burim konfindencial ka thënë për Lapsin se në nëntor të 2016, në zyrën e Saimir Tahirit ka mbërritur një letër nga fisi Çapja që i shpjegonte të gjithë lidhjen e Qazim Sejdinit me një grup të fuqishëm kriminal në trafikun e drogës dhe që vihej nën akuzë për disa vrasje.
Anëtarët e tij i kërkonin të hetonte këtë grup kriminal si përgjegjës për masakrën e fillim-shkurtit 2016 me 3 të vrarë e 8 të plagosur nga fisi i tyre.
“Ky grup – shkruhet në letër – ka lidhje familjare me Qazim Sejdinin dhe gëzon mbështetje dhe mbrojtje të fortë politike prej tij”.
Fisi autor i kësaj letre ishte pjesë e një spiralje hakmarrjesh, që në më shumë se 1 dekadë ka shkaktuar 11 viktima në përplasjen me fisin Mema.
Përmendja e Qazim Sejdinit e bënte politikanin lokal potencialisht shënjestër të tij.
Saimir Tahiri i kërkoi pa vonesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakos, që të garantonte sigurinë e Sejdinit. Një eskortë vazhdon ta ruajë ende edhe sot “Lalën e Elbasanit”, njeriun më të pushtetshëm të këtij qyteti.
Por kush janë dy grupet kriminale që po dominojnë sot edhe debatin politik dhe cilat janë lidhjet e tyre me politikën? A është e implikuar policia, siç akuzon opozita?
Fisi Çapja nisi të shfaqej me vrasjen e Sokol Çapjas në vitin 2005 nga nipërit e Fadil Memës, një ish –punonjësi policie që u ekzekutuar në vitin 2015, në Torino të Italisë. Ai konsiderohej si shkaku i konfliktit të përgjakshëm që zgjati plot 10 vjet dhe me vrasjen e tij u duk se fisi Çapja e mbylli misionin hakmarrës.
Por masakra e ndodhur më 3 shkurt të vitit 2016 ndaj Çapjave, me 3 të vrarë e 8 të plagosur, e rindezi sërish hasmërinë e vjetër. Dy muaj më vonë, në prill, vritet Sajmir Beqiri, 51 vjeç, nip i Fadil Memës. Ekzekutohet në një karburant, pasi ishte ndjekur me makinë. Çapjat e lidhën me hakmarrjen e vjetër masakrën e shkurtit.
Në qershor plagoset në një atentat duke lëvizur me një makinë të blinduar në Elbasan Florenc Çapja.
Prej kësaj ngjarje Çapjat e ndryshojnë objektivin. Sapo vunë ne dijeni Saimir Tahirin për dyshimet që kishin ndaj grupit që drejtohej nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i Qazim Sejdinit, një grup i policisë kriminale u dërgua për t’i mbajtur nën vëzhgim Çapjat.
Po në nëntor mes policisë dhe disa anëtarëve të fisit pati një përplasje me armë. Tre personat e arrestuar deklaruan se nuk i kishin njohur policët. “Ata nuk kishin asnjë shenjë dalluese dhe qëlluan me armë për të na vrarë”, deklaruan në polici.
Në atë kohë se nga vendi ku qëlluan policët u gjetën gëzhoja kallashnikovi. Por asnjë armë e tillë nuk u gjet në duart e policëve. Një iniciativë për të hetuar se si u gjetën mbi 30 gëzhoja të armës së fuqishme nën këmbët e policëve dhe rreth makinës së tyre, u mbyll në rrethana misterioze.
Në letrën drejtuar Saimir Tahirit, fisi Çapja e njoftonte se nën presionin e Qazim Sejdinit, policia mund të ishte kompromentuar.
Ngjarja e ndodhur më 18 shtator, 11 ditë më parë, ku një makinë e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit, i ka shtuar dyshimet për komprometimin e uniformave blu. Sepse asnjë polic, 12 të tillë ishin në vendin e ngjarjes dhe me armë në dorë, nuk lëvizi asnjë hap për ta ndaluar autorin.
Në rastin e Çapajve, policia kishte shkëmbyer zjarr me të për disa minuta me radhë, pa u stepur si në rastin e 12 policëve, që sipas PD u gjendën përballë Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të Qazim Sejdinit. Kjo ishte arsyeja, sipas saj, që Audi i zi i blinduar nuk u ndalua.
Një hetim po kryhet për veprimet e policëve.
Por PD pretendon se grupi kriminal ka mbështetjen e vetë Ramës, ndaj policia nuk lëvizi as gishtin e vogël. “Kë ke në prehër ti që ke frikë të përmendësh togfjalëshin; organizatat kriminale të Elbasanit? Krimi i organizuar në Elbasan që e menaxhon Qazim Sejdini yt, për hesapin tënd”, iu drejtua Lulzim Basha kryeministrit të vendit në parlament, akuza për të cilat nuk mori përgjigje.
Shkaqet e përplasjes me dy bandave, siç thotë ministri Xhafaj, janë të panjohura për policinë. Por dy grupet dyshohet se veprojnë në trafikun e lëndëve të forta narkotike dhe Elbasani konsiderohet si nyje e këtij trafiku mes lindjes dhe vendeve të BE. Lapsi.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY