Drejtoresha e VOA: Gjatë diktaturës transmetonim pa e ditur se na dëgjonit

Drejtoresha e VOA: Gjatë diktaturës transmetonim pa e ditur se na dëgjonit

102
0
Shares

Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett ishte e ftuar speciale në Forumet UET në bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë. Vizita e Bennett në Tiranë vjen në kuadër të një turneu që ajo ka nisur në pesë vende të Ballkanit, për të komunikuar me publikun e këtyre vendeve mbi rolin e Zërit të Amerikës dhe ndikimit të tij për rajonin.
Zëri i Amerikës ka qenë e vetmja dritare e së vërtetës dhe lirisë për shqiptarët nën diktaturën komuniste, kur mund të burgoseshe apo internoheshe nëse kapeshe duke dëgjuar radion në këtë kanal. Po kjo radio vijon të jetë po aq me ndikim edhe pas 27 vitesh demokraci. Sipas statistikave të vetë radios ajo ndiqet në masën 60.5% në Shqipëri dhe 64% në Kosovë, ndërsa shumë më pak në vendet e tjera të rajonit, respektivisht ndiqet nga 12% e popullsisë në Serbi, 13.4% në Bosnje Hercegovinë dhe 26.5% në Mal të Zi.
Për të kuptuar rolin e kësaj media në Ballkan drejtoresha e përgjithshme e Zërit të Amerikës e emëruar nga Kongresi Amerikan në mars të vitit 2016 ka ndërmarrë një tur në vendet e Rajonit, i pari tur i këtij lloji nga një drejtor i VOA-s.
Ajo ndodhej të martën në Tiranë e ftuar në Forumet UET në një bisedë të hapur me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.
Duke folur për këtë lidhje të fortë të VOA-s me shqiptarët zonja Bennett tha se, “Jam e nderuar të jem këtu, të kuptoj lidhjen që kemi patur ndër vite, ne kemi qenë në këtë zonë për 75 vite, dhe mësova se si për shumë-shumë vite kemi transmetuar në Shqipëri pa e ditur, pa e ditur nëse po dëgjonte dikush, kishte thjesht transmetim dhe transmetim, dhe ishte e vështirë të merrje vesh diçka. Ndoshta herë pas herë dikush do të vinte si refugjat dhe do të na thoshte se që të gjithë në Shqipëri e dëgjonin VOA. Dhe mund të mendonim se po na e bëjnë qejfin, po na thonë thjesht atë që duam të dëgjojmë, por pasi çdo gjë u hap ne erdhëm këtu dhe kuptuam se sa shumë njerëz na kanë dëgjuar. Dhe është nder të kuptosh se kemi një histori të gjatë së bashku. Dhe sot mendoj se ka një gabim që njerëzit kanë bërë në të shkuarën, me situatën e medias në botë; lufta mbaroi, problemet mbaruan, kështu që nuk kemi më nevojë më për këtë. Por unë mendoj që kjo është gabim. Ne po kuptojmë serish që situata e medias këtu në Shqipëri reflekton situatën e medias në botë që ka shumë presione në median e lirë, presioni ekonomik, presioni politik, mundimi për të mbajtur një shtyp të lirë, që s’mban anë, që s’thotë vetëm njërën anë të medaljes. Pra mendoj që mundimi është më i madh se kurrë dhe lidhja jonë është ende shumë e rëndësishme”.
Media në Shqipëri për Bennett përballet me sfida më të mëdha se mediat në SHBA e vendet me demokraci më të zhvilluar, por ajo beson se gazetarët shqiptarët duhet të jenë më të bashkuar për t’i shërbyer njerëzve me përcjelljen e së vërtetës.
“Gazetarët e rinj në Shqipëri përballen me sfida shumë të veçanta, të ndryshme me ato që përballen gazetarët në vendin tim. Ajo çfarë po shoh në Ballkan, është se edhe me këtë situatë ata sërish mund të gjejnë gjëra që mund të bëjnë. Mendoj që disa nga gjenerata më e vjetër e gazetarëve janë mjaft të fokusuar në atë ç’ka nuk mund të bëjnë, dhe ka shumë gjëra që mund të bëjnë. Shumë po përqendrohen në atë ç’ka mund të bëjnë dhe mendoj është shumë e rëndësishme, po përpiqen të gjejnë burime, vende nga ku mund të gjejnë informacione për t’ia përcjellë njerëzve. Dhe mendoj që gjëja tjetër është që, gazetarët si të gjithë të tjerët duhet të bashkohen sepse nuk shoh ende ndonjë provë që ka një kulturë për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe të mbështetin njëri-tjetrin. Ju keni ligje shumë të mira informacioni, që ndoshta nuk janë kaq optimale sa duhet të jenë, por në eksperiencën time, në SHBA, edhe pse kemi ligje të mira informacioni, nëse nuk do të kishim luftuar çdo ditë, çdo hap për ta marrë atë informacion, do të ishte pa kuptim. Sepse besoj se ti merr aq liri , sa lufton për të”, tha ajo.
Drejtoresha Bennett shoqërohet në këtë turne nga Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë. Biberaj thotë se, “në një botë ku besimi tek media po bie, Zëri i Amerikës vazhdon të luajë një rol jetik, si një prej burimeve më të besuara të lajmeve. Zëri i Amerikës ofron alternativën e njoftimit të bazuar në fakte, përballë propagandës, shërben si një mjet ku mund të gjesh alternativat që ofron opozita, si dhe debatin publik, duke nxitur zhvillimin e shoqërive të lira e të drejta”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY