SPECIALE/Si po përfiton Kroacia nga lufta e tmerrshme e Sirisë

SPECIALE/Si po përfiton Kroacia nga lufta e tmerrshme e Sirisë

67
0
Shares

Nga Lawrence Marzouk, Ivan Angelovski, Jelena Svricic
BIRN
Zagreb, Londër

Kroacia gjatë vitit 2016 në mënyrë drastike ka rritur qarkullimin e municioneve të kohës jugosllave dhe të luftës në Arabinë Saudite, pavarësisht paralajmërimeve të grupeve të të drejtave të njeriut që këto dërgesa në mënyrë ilegale po dërgohen në zona të luftës, në kundërshtim me ligjet e BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

Në nëntë muajt e parë, Zagrebi ka shitur granada dhe raketë-hedhës me rreze të gjatë në vlerë prej 83 milionë euro (88 milionë dollarë), zbulon Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtues, BIRN, dhe Projekti për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Të dhënat nga tetori në dhjetor akoma nuk janë publikuar.

Xhirimet dhe pamjet nga Siria tregojnë të dhëna të besueshme të pranisë së municionit dhe armëve kroate në vend.

Kroacia ka qenë në mesin e vendeve të para që kanë ofruar armatim për rebelët sirianë, municione të pashkarkuara nga rezervat e saj në dimrin e vitit 2012.

Pajisjet kanë shkuar përmes Jordanisë – janë paguar nga Arabia Saudite dhe të koordinuar nga CIA – përmes një kanali armësh me vlerë më shumë se një miliardë euro që ka dërguar armë nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Qe nga dërgesat e para, Kroacia ka bërë më të mirën që t’i fshehë detajet e kësaj tregtie nga titujt kryesorë duke larguar informatat kryesore, siç është destinacioni final i eksporteve, nga raportet finale.

Gazetarët, sidoqoftë, kanë zbuluar fshehtësinë, duke përdorur të dhëna pak të njohura të tregtisë nga OKB për të zbuluar që Kroacia ka eksportuar më shumë se 2600 tonë të municionit të vjetër me dekada, që janë konsideruar si tepricë nga forcat e armatosura të Zagrebit, tek forcat me teknologji të lartë të Arabisë Saudite nga shkurti në shtator të vitit 2016.

Që nga dhjetori i vitit 2012 dhe fillimi i luftës në Siri, Kroacia ka eksportuar 120 milionë euro (128 milionë dollarë) armë dhe municion tek Arabia Saudite dhe 44 milionë euro (47 milionë dollarë) në Jordani, sipas faqes së internetit Comtrade të OKB-së e cila publikon statistika të hollësishme ndërkombëtare mbi tregtinë në 99 mallra, përfshirë municion. Para kësaj, tregtia praktikisht ka qenë jo-ekzistuese.

Në përgjithësi, Kroacia ka furnizuar më shumë se 6.000 ton municion për armë të vogla dhe të lehta – që sipas të gjitha gjasave kanë përfshirë plumba, mortaja, raketa dhe granata – vetëm në mbretërinë e Gjirit. Kjo është e barasvlershme me 750 milionë plumba të AK-47.

Një hulumtim i BIRN-it dhe OCCRP-së i publikuar korrikun e vitit të kaluar ka zbuluar që ndërmjet vitit 2012 dhe 2014, Kroacia ka dhënë licenca eksporti në vlerë prej 302 milionë euro në Arabi Saudite, Jordani, Turqi dhe Emirate të Bashkuara Arabe, katër furnizuesit kryesorë të opozitës në Siri. Shifrat, më të fundit, bazohen kryesisht në raportet e publikuara nga Komisioni Evropian.

Të dhënat e OKB-së për tregti tregojnë që para vitit 2012, Kroacia ka eksportuar municion në vlerë me pak se një milion, por kjo është rritur në 4.7 milionë euro (5 milionë dollarë) me fillimin e luftës civile në Siri në vitin 2012; 30 milionë euro (32 milionë dollarë) në vitin 2013; 35 milionë euro (37 milionë dollarë) në 2014; 6.6 milionë dollarë (7 milionë dollarë) në vitin 2015; dhe 68 milionë euro (82 milionë dollarë) në vitin 2016.

Kroacia nuk ka prodhim të nivelit të lartë të municionit, dhe ka importuar relativisht sasi të vogla në vitet e mëparshme, gjë që tregon që këto eksporte origjinën e kanë nga rezervat e mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes kroate që datojnë nga koha jugosllave dhe lufta e saj për pavarësi në të ’90-at e hershme.

Eksperti kroat i armëve, Igor Tabak, që udhëheq faqen e internetit për mbrojtje dhe siguri Orbis, ka vënë në pah që Kroacia aktualisht nuk ka fabrika të municionit prandaj është dashur që shitjen ta bëjë nga rezervat.

“Ka shumë të ngjarë që eksportet bëhen nga municioni i vjetër, sipas të gjitha gjasave nga inventari i vjetër i ish-Jugosllavisë dhe prodhimi Lindor”, ka thënë ai.

Kroacia në vazhdimësi ka mohuar që është duke bërë ndonjë fitim të madh nga likuidimi i rezervave të saj në fushëbetejat e Lindjes së Mesme, por dokumentet e publikuara nga një grup i quajtur Qasja Regjionale për Uljen e Rezervave (Regional Approach to Stockpile Reduction) tregojnë një rritje të madhe në shitje nga rezervat e Zagrebit që përputhen me fillimin e luftës civile në Siri.

Një seri e dokumenteve të dorëzuara në forumin rajonal nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë tregon në detaje se si forcat e armatosura kroate e kanë shitur së paku 5.000 tonë të municionit tepricë në vitin 2013 dhe 2014 – sasia e njëjtë si në dekadën paraprake – nga një rezervë prej 18.000 tonëve.

Rritja në shitje ka ardhur menjëherë pasi që Kroacia i ofroi rezervat e saj të armëve për Uashingtonin për përdorim në Siri dhe fillimin e një transporti të madh ajror të armëve në Jordani – një operacion i raportuar për herë të parë nga New York Times në shkurt të vitit 2013 dhe konfirmuar për BIRN dhe OCCRP nga ish ambasadori amerikan në Damask, Robert Ford, në një intervistë vitin e kaluar.

Që nga viti 2012, pothuajse disa qindra mijëra euro shitje të municionit kishin shkuar në Jordani apo Arabi Saudite.

Dërgesat në shkurt, qershor dhe shtator të vitit 2016 – më të vlefshmet deri më tani – kanë pasur rreth 2.600 tonë me plumba, predha mortajash apo raketa, në vlerë prej 77 milionë euro (82 milionë dollarë).

122 tonë të tjerë me granata apo granata hedhës janë transportuar në mars dhe gusht të vitit 2015 në Arabinë Saudite, sipas të dhënave të OKB-së mbi tregtinë ndërkombëtare. Kroacia prodhon sasi të vogla të granata hedhësve, por deri më tani vetëm armë nga rezervat e kohës jugosllave janë parë në Siri.

Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë tha për BIRN dhe OCCRP që nuk ka pasur eksport të raketë-hedhësve ose granata-hedhësve në Arabi Saudite në 2016, por nuk u përgjigj pyetjeve të mëtutjeshme kur BIRN dhe OCCRP ofruan numra zyrtarë nga OKB dhe Byroja e Statistikave Kroate që tregojnë të kundërtën.

Rënia në duar të gabuara

Ministria e Ekonomisë së Kroacisë papritmas ndaloi së publikuari të dhëna të detajuara të eksportit të armëve në 2013.

Vendimi është koincident me një numër raportesh turpëruese për rolin e Zagrebit në furnizimin me armë dhe municione të rebelëve sirianë përmes Arabisë Saudite dhe Jordanisë. Që atëherë, Kroacia ka hequr të gjitha detajet e destinacionit të eksportit të armëve të saj nga raporti i 2013, 2014 dhe 2015.

Ministria e Ekonomisë tha për BIRN dhe OCCRP që një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale i miratuar në 2012 e ndalon atë që të japë këto informacione – edhe pse Agjencia Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave e kundërshton këtë, duke shkruar një deklaratë që legjislacioni vlen vetëm për individët, jo për kompani ose shtete.

Një nënshkrim nga pesë OJQ në një panel të të drejtave të njeriut të OKB-së në Kroaci, i publikuar në mars 2015, e përshkruan një “rënie shqetësuese në transparencë”.

Eksperti kroat i armëve Tabak, organizata e të cilit ishte një nga ato që nënshkruan në OKB, tha që vendimi për të ndërprerë transparencën ishte i motivuar nga “bezdia” e shkaktuar nga eksporti i Kroacisë në Jordani, që përfundonte në Siri, që u bë publike në 2013.

Ushtria e Arabisë Saudite, një nga më të shtrenjtat dhe më pajisurat në botë, ka pak të ngjarë që të jetë destinacioni final i mbetjeve kroate. Ekspertët e armëve i kanë thënë BIRN-it dhe OCCRP-së që sipas të gjitha gjasave përdoruesit e fundit të këtyre materialeve janë grupet e lidhura me mbretërinë e Gjirit në Siri dhe Jemen.

Përderisa ekspertët kanë vënë në pah video dhe evidencë fotografike të raketahedhësve kroatë RBG-6s dhe të sistemeve të shumëfishta të lansimit RAK-12s në Siri, zyrtarët kroatë kanë kundërshtuar origjinën e tyre, duke theksuar që armë të ngjashme prodhohen edhe diku tjetër.

Sidoqoftë, analiza e re nga BIRN dhe OCCRP të medieve sociale të brigadave që luftojnë në Siri, po ashtu nga entuziast të internetit që monitorojnë përhapjen e armëve, ofrojnë të dhëna të qarta që armë janë prodhime kroate.

Tri imazhe të shpërndara në Twitter në vitin 2015 dhe 2016 tregojnë granatahedhësit të shënjuar me “RBG-6” duke u përdor apo të vënë në shitje në Siri. Ky model prodhohet vetëm në Kroaci.

Dy video po ashtu tregojnë Ushtrinë e Parë dhe lëvizjen Noureddine Zanki, të moderuar, fraksione në Siri të mbështetura nga ShBA, duke përdor raketahedhës me shenjën “RAK”, duke treguar origjinën e tyre kroate. Kroacia ka qenë i vetmi prodhues i RAK-12s.

Video tjera të publikuara në vitin 2015 dhe 2016 nga fraksione të ndryshme po ashtu tregojnë përdorimin e raketave kroate në Siri. Shënimet në to tregojnë që ato janë prodhuar në mesin e viteve 1990-ta, pasi që Kroacia ishte shkëputur nga Jugosllavia.

Predha të mortajës të prodhuara në Kroaci në vitet 1990-ta po ashtu janë identifikuar në sasi të mëdha në fushëbeteja në Siri bazuar në numrat seria që janë bërë të dukshëm në postimet në mediat sociale.

Furnizime të reja me municion vazhdojnë të vijnë në Siri. Dy video të depove të armëve të rebelëve të kapura nga qeveria siriane, të filmuara në dhjetor të vitit 2016 nga Russia Today, shfaqin predha të mortajës dhe raketa të prodhimit kroat të papërdorura të prodhimit. Sipas të gjitha gjasave këto janë shpërndarë në muajt paraprakë duke pasur parasysh nevojën për rimbushje të rezervave në zonat e luftërave.

Të ashtuquajturat grupe të moderuara opozitare nuk janë formacionet e vetme ushtarake që k anë siguruar armatim kroat, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.

ISIS dhe Jabhat al-Nusra kanë marrë raketahedhës të prodhimit kroat dhe jugosllav qysh në vitin 2014, sipas raporteve nga grupe si Amnesty International.

Ivica Nekiq, president i Alan Agency, kompani kroate shtetërore për shitje të armëve, që shet gjëra si RAK-12, RBG-6s dhe rezerva të predhave të mortajave, i ka thënë BIRN-it dhe OCCRP-së që agjencia “nuk ka të bëjë asgjë” me ndonjë gjë të gjetur në Siri.

Ai shtoi që armët mund të jenë kapur në fushëbetejë apo të kanë arritur nga Iraku, që ka blerë për dekada armë nga Europa Qendrore dhe Lindore.

I pyetur për shpërhapjen e armëve të bëra në Kroaci në Siri, Eliot Higgins, një gazetar hulumtues dhe hulumtues që specializon në hulumtime me burime të hapura me bazë në Londër, tha: “Ne tani kemi parë grupe si ISIS dhe Jabhat al-Nusra duke përdorur këto armë, edhe pse nuk dihet se si i kanë marrë. Ato mund të jenë plaçkitur nga grupe të tjera, të shiten mes grupeve, ose të dhurohen direkt.”

Higgins ishte një nga të parët që identifikoi armatura me prejardhje ballkanike të përdorura në luftën në Siri.

Dështimi për të parë se ku përfundojnë armët

Darko Kihalic, kryetari i departamentit të licencimit të armëve në Kroaci në Ministrinë e Ekonomisë, i tha BIRN dhe OCCRP në një intervistë të papublikuar nga vera e kaluar që Zagrebi nuk ka shqetësime për shitjen e armëve te Arabia Saudite për sa kohë që ofrojnë dokumentet korrekte.

“Si do ta ndalosh dikë që të mos eksportojë kur nuk ka kufizime, sepse ajo do të ndikojë në të ardhurat dhe përfitimet e tyre?” pyeti ai.

Në përgjigje në pyetjet e mëtutjeshme të BIRN për shitjet e fundit, një zëdhënës i ministrisë shkroi javën e kaluar që eksportet në 2016 ishin rezultat i licencave të miratuara në 2015, që mund të futen në fuqi një vit pasi që janë lëshuar.

Ai shtoi që disa nga licencat e eksportit të Arabisë Saudite janë refuzuar në 2015 dhe asnjë nuk është miratuar në 2016, një deklaratë që duket në kundërshtim me atë që kishte argumentuar Kihalic në një intervistë më të hershme.

Zëdhënësi nuk u përgjigj kërkesës për sqarim të kësaj diskrepance dhe nuk tregoi pse eksportet janë lejuar të vazhdojnë në 2016 kur ministria ka refuzuar licenca Arabisë Saudite.

Asnjë licencë nuk është lëshuar në 2016, tha zëdhënësi, edhe pse ai nuk ofroi detaje për 2017.

I pyetur nëse është në dijeni që armët kroate të blera nga Arabia Saudite po përfundojnë në Siri, Kihalic tha: “Nuk ka më asgjë për të kontrolluar nga ne, sepse dokumenti [i eksportit] thotë që ministria e mbrojtjes ose forcat e policisë të tyre [në Arabi Saudite] do të përdorin ato [armët] dhe nuk do t’i rishesin apo t’i eksportojnë ato.”

Ai tha që kjo qasje nënkupton që Kroacia i ka përmbushur obligimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë Pozitën e Përbashkët të BE-së për eksportin e armëve, që kërkohet ta përmbushë që nga bashkimi i saj në BE në 2013 dhe Traktatin e Tregut të Armëve të OKB-së 2014.

Grupe të të drejtave të njeriut kundërshtojnë pikëpamjen e Kihalic.

Patrick Wilcken, një hulumtues armësh për Amnesty Internatioanl, tha që Kroacia obligohet të parandalojë që armët të devijojnë në një shtet tjetër dhe të përdoren potencialisht për të shkelur të drejtat e njeriut, jo vetëm të kontrollojë dokumente. Dështimi për ta bërë këtë, shpjegoi ai, është një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

“Duke marrë parasysh provat në rritje të devijimit sistematik të armëve nga Arabia Saudite te grupet e armatosura të Sirisë, dështimi për të ndërmarrë kujdes të duhur për të parandaluar devijime të mëtutjeshme mund të shkaktojë një shkelje të Pozitës së Përbashkët të BE-së dhe traktatit të tregtisë me armë,” shtoi ai.

Amnesty ka paralajmëruar që armët që i shiten Arabisë Saudite përfundojnë te grupet e armatosura që kryejnë krime lufte, duke përfshirë jodirekt Shtetin Islami, ISIS.

Holanda tashmë ka ndërprerë eksportin e armëve për Arabinë Saudite pas raportimeve që armët po përdoren për të kryer krime lufte në Jemen. Po bëhen thirrje për Britaninë dhe Gjermaninë të veprojnë njëjtë.

Bodil Valero, një Deputete Europiane e Gjelbër nga Suedia dhe raportuesja për armë në Parlamentin Europian, kritikoi Kroacinë dhe bëri thirrje që BE-ja të ngushtojë shtrëngimin për eksportet e armëve mes anëtarëve të saj.

“Kroacia ka përdorur Arabinë Saudite sepse nuk lejohet të eksportojë në Siri, dhe ato përfundojnë në duart e ISIS dhe Kurdëve. Ne duhet të bëjmë shumë më shumë,’ tha ajo.

Raportime shtesë nga Jelena Cosic.

Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY