Mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin me ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në prag të përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe vetëm një ditë para mbylljes së sesionit parlamentar.
Nisma synon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Sipas relacionit shoqërues, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të llogaritet duke shumëzuar koeficientin 0.38 me pagën e Presidentit të Republikës.
Projektligji parashikon gjithashtu që paga referuese të indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit, ndërsa niveli i indeksimit nuk do të mund të kalojë me më shumë se një pikë përqindje objektivin e inflacionit të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Me objektivin aktual prej 3%, rritja maksimale e indeksimit do të jetë 3.1%.
Në relacion, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste argumenton se koeficienti 0.38 është përcaktuar për të garantuar pavarësinë financiare të magjistratëve, duke ruajtur njëkohësisht proporcionalitetin e skemës së pagave në administratën publike dhe qëndrueshmërinë e financave të shtetit.
Sipas socialistëve, me këtë formulë shmangen pabarazitë në sistemin e pagave, duke theksuar se edhe me koeficientin e ri, një magjistrat i shkallës së parë do të ketë një pagë të krahasueshme me atë të Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
Ndryshimet ligjore parashikohet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare do të zbatohen me prapaveprim, duke nisur nga 1 prilli 2023, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.a.b





