Gjatë raportimit në nënkomisionin për auditimin e sektorit publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ngriti shqetësimin se rreth 80% e barnave që qarkullojnë në Shqipëri janë xhenerikë, pra kopje të ilaçeve origjinale, me kosto dhe cilësi më të ulët, por që shiten me çmime të ngjashme me ato të Bashkimi Europian, madje në disa raste edhe më të larta.
Sipas KLSH, ndryshimet ligjore të vitit 2014, të cilat synonin uljen e kostove dhe rritjen e aksesit për pacientët përmes përdorimit të barnave xhenerike, sollën edhe pasoja negative. Drejtoresha e Departamentit të Performancës në KLSH, Arminda Bushi, theksoi se këto ndryshime lejuan hyrjen në treg të barnave që nuk prodhohen sipas standardeve të BE-së, duke çuar edhe në largimin e disa kompanive farmaceutike nga tregu shqiptar.
Raporti evidenton se, ndonëse Shqipëria ka rritur ndjeshëm importin e barnave, kostot për njësi janë ulur, çka sipas KLSH përbën një sinjal alarmi për cilësinë. Në vitin 2023, importet arritën në 837 ton barna, me një kosto mesatare më të ulët krahasuar me vitin 2022.
Një tjetër problematikë lidhet me listën e barnave të rimbursuara, ku 43 barna alternative nuk figurojnë në regjistrin përkatës. KLSH thekson gjithashtu mungesën e një strukture të posaçme në Ministria e Shëndetësisë për kontrollin periodik të aktiviteteve të agjencisë së barnave, duke dobësuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien.
Raporti ngre shqetësime edhe për hyrjen në treg të barnave pa analiza laboratorike, bazuar në një vendim qeverie të vitit 2015. Sipas të dhënave të auditimit, në vitin 2020 nuk është kryer asnjë analizë për 740 autorizime tregtimi, ndërsa në periudhën 2021–2023 janë realizuar vetëm 644 analiza për 2884 autorizime.
Gjithashtu, janë konstatuar mangësi në bashkëpunimin ndërinstitucional, përfshirë shkëmbimin e të dhënave me doganat dhe partnerët ndërkombëtarë, çka rrit rrezikun për qarkullimin e barnave të ndaluara në vendet e BE-së.
KLSH kritikon drejtpërdrejt rolin e institucioneve përgjegjëse, duke theksuar se Ministria e Shëndetësisë dhe agjencitë përkatëse nuk kanë garantuar kontrolle efektive dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Institucioni ka dhënë 35 rekomandime për përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së barnave në treg, ndërsa pritet zhvillimi i një seance dëgjimore në Kuvend me institucionet përgjegjëse.a.b



