Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit, duke e akuzuar këtë të fundit si përgjegjës për vonesat në negociatat me Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë publike, Bardhi thekson se shtyrja e procesit nuk lidhet me opozitën, por me mosplotësimin e kushteve dhe humbjen e besimit nga vendet anëtare të BE-së. Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë sjellë edhe shtim të kërkesave ndaj Shqipërisë.
Ai nënvizon se disa vende anëtare kanë ngritur shqetësime konkrete për dy çështje kryesore: akuzat për korrupsion ndaj Belinda Balluku dhe çështjen e sistemit të teknologjisë së informacionit në institucionet shtetërore.
Sipas Bardhit, deri më tani janë adresuar 49 pyetje nga ana e vendeve anëtare, ndërsa përgjigjet e dhëna nuk kanë qenë bindëse për të marrë “dritën jeshile” për ecurinë e mëtejshme të negociatave.
Ai bën të ditur se në mbledhjen e fundit të datës 9 prill, shtatë shtete anëtare kanë paralajmëruar se do të paraqesin propozime të reja shtesë për Shqipërinë, duke sinjalizuar një proces më të ashpër monitorimi.
Gjithashtu, sipas Bardhit, katër vende anëtare kanë shprehur gatishmërinë për të miratuar piketat e ndërmjetme të negociatave, por vetëm me kusht që në fazën përmbyllëse të vendosen kritere më të forta dhe më të zgjeruara për Shqipërinë.
Në reagimin e tij, ai akuzon kryeministrin Rama se, përmes qëndrimeve të tij, ka cenuar besimin e partnerëve evropianë në drejtim të sundimit të ligjit dhe barazisë para drejtësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e integrimit.
Bardhi shton se, sipas tij, vendimet politike të qeverisë mund t’i kushtojnë Shqipërisë disa muaj vonesë në procesin e negociatave, në një moment që ai e cilëson kritik për të ardhmen evropiane të vendit.





