Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një deklaratë të Iranit, ku deklarohet pranimi i marrëveshjes së armëpushimit dhe për ndalimin e sulmeve. Në tekst regjimi i mullahëve shpreh falënderime për kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe Marshallin Field Asim Munir, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës në rajon.
Në deklaratën e publikuar thuhet se, në përgjigje të kërkesës së kryeministrit Sharif dhe në kontekstin e negociatave të propozuara nga SHBA-ja, nëse sulmet kundër Iranit ndalen, forcat e armatosura iraniane do të ndalin operacionet mbrojtëse.
Po ashtu, dokumenti thekson se për një periudhë dyjavore do të jetë i mundur kalimi i sigurt në Ngushticën e Hormuzit, në koordinim me forcat iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike.
Deklarata mbyllet me emrin e ministrit të jashtëm të Iranit, Seyed Abbas Araghchi. a.b
DEKLARATA E IRANIT/ TEHRAN – 7 PRILL 2026
Në emër të Republikës Islamike të Iranit, shpreh mirënjohje dhe vlerësim për vëllezërit e mi të dashur, Shkëlqesinë e Tij Kryeministrin e Pakistanit Sharif dhe Shkëlqesinë e Tij Field Marshal Munir, për përpjekjet e tyre të palodhura për t’i dhënë fund luftës në rajon.
Në përgjigje të kërkesës vëllazërore të Kryeministrit Sharif në tweet-in e tij, dhe duke marrë parasysh kërkesën e SHBA-së për negociata të bazuara në propozimin e saj me 15 pika, si edhe njoftimin e POTUS-it për pranimin e kuadrit të përgjithshëm të propozimit 10-pikësh të Iranit si bazë për negociata, unë deklaroj në emër të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit:
Nëse sulmet kundër Iranit ndalen, Forcat tona të fuqishme të armatosura do të ndërpresin operacionet e tyre mbrojtëse.
Për një periudhë prej dy javësh, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur përmes koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike.
Seyed Abbas Araghchi
Ministër i Punëve të Jashtme
Republika Islamike e Iranit






