Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të pafajshëm deputetin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i akuzuar për veprën penale të “shpifjes”.
Çështja u ngrit nga Gjergji Vishkulli, zyrtar në burgun e Peqinit, i cili më 21 tetor 2025 paraqiti në gjykatë një kërkesë ndaj Nokës, duke e akuzuar për shpifje të kryer publikisht. Sipas padisë, Vishkulli kërkonte që deputeti të shpallej fajtor dhe të detyrohej të përgënjeshtronte një denoncim publik të publikuar në faqen e tij në Facebook, si dhe të publikonte vendimin e gjykatës në të gjitha mediat kombëtare me shpenzimet e tij. Noka deklaroi atëherë se burgu i Peqinit ishte kosh votash për kandidaten socialiste Sara Mile.
Pas shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj vendosi me vendimin nr. 30, datë 8 prill 2026, deklarimin e pafajshëm të Flamur Nokës.
Gjykata arriti në përfundimin se fakti për të cilin ishte ngritur akuza nuk përbën vepër penale, duke rrëzuar kështu akuzën për shpifje të parashikuar nga neni 120, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjykata vendosi që shpenzimet gjyqësore të mbeten siç janë kryer.
Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar. m.k



