Një moment i pazakontë u regjistrua këtë të martë gjatë një aktiviteti publik në Hungari, ku zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u ndërpre papritur nga një telefonatë direkte e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Teksa mbante një fjalim para një turme të madhe mbështetësish, telefoni i Vance ra papritur, duke krijuar një situatë surprizë për të pranishmit. Zëvendëspresidenti iu përgjigj menjëherë telefonatës dhe e vendosi atë në altoparlant, duke bërë që e gjithë turma të dëgjonte bisedën në kohë reale.
Nga ana tjetër e linjës, Trump shprehu vlerësime të forta për kryeministrin hungarez Viktor Orbán, të cilin e cilësoi si “një njeri fantastik” dhe vlerësoi politikat e tij për drejtimin e vendit.
“Unë e dua Hungarinë dhe e dua Viktorin. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh Trump, duke shtuar se Orbán ka arritur ta mbajë vendin “të fortë” dhe larg problemeve që, sipas tij, kanë prekur disa vende të tjera.
Në një moment që u shoqërua me brohoritje nga turma, Trump pyeti të pranishmit nëse Vance kishte mbajtur një fjalim të mirë, ndërsa përgjigjja e tyre ishte pozitive dhe në kor.
Presidenti amerikan e përmbylli mesazhin e tij duke shprehur mbështetje të plotë për liderin hungarez dhe duke përshëndetur qytetarët.
“Jam një fans i madh i Viktorit. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht me të”, deklaroi Trump.
Ngjarja, e rrallë për protokollin diplomatik, u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke u kthyer shpejt në një moment viral.r.r




