Rritja e të ardhurave buxhetore në nivel historik, ka deklaruar sot Kryeministri Edi Rama duke theksuar se kjo rritje të ardhurash është për shkak të rritjes së ekonomisë, edhe pse me siguri e di që nuk është kjo arsyeja por nuk e thotë.
“Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe. Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë. Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë”, ka deklaruar Rama këtë të dielë.
Rritja e të ardhurave është për shkak të rritjes së çmimeve në të gjitha produktet, jo vetëm karburantet. Kjo rritje çmimesh çon në rritjen e vlerës së TVSH edhe pse ruhet përqindja e saj 20%. TVSH është furnizuesja kryesore e buxhetit të shtetit, gjë që ndodh në vende që e orientojnë ekonominë nga rritja e buxhetit dhe jo rritja e mirëqënies së qytetarëve. Një rritje e tillë të ardhurash ndodhi edhe në kohën e covid, dhe ato të ardhura nuk u përdorën për qytetarët dhe nevojat e tyre por u futën në tendera fiktivë dhe tenderat e mbiçmuar nga 3-7 fish të rrugëve. Pra u vodhën edhe si korrupsion, edhe si para për sekserë dhe në fakt edhe për të mbyllur gojën e mediave të mëdha të vendit. Pronarët e mediave negociuan me shumë fitim integritetin e gazetarëve. Kjo po ndodh por tani qe vijnë më shumë para do të ndodhë edhe më shumë. a.b



