Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me përplasjen që pati me deputeten e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së me kabinetin qeveritar.
Gjatë një deklarate, Rama kritikoi mënyrën se si mediat raportuan për këtë mbledhje, duke theksuar se fokusi u vendos vetëm te debati mes tij dhe Spiropalit, ndërsa sipas tij u anashkaluan diskutimet e gjata për çështje të rëndësishme që zgjatën për më shumë se shtatë orë.
Kryeministri u shpreh se në mbledhje u trajtuan tema të rëndësishme si çështja e pronave, reforma në Kadastër, Reforma Territoriale dhe komunikimi publik, por sipas tij këto nuk morën vëmendjen e duhur në raportimin mediatik.
Rama: “Ishte spektakolare dhe e pabesueshme edhe për mua, që nuk ka më se çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, për të diskutuar tema specifike. I kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave dhe çështjes së shërbimit të Kadastrës dhe reformës në të; pastaj flasim për Reformën Territoriale, ku kryetari bën analizën, më pas zhvillojmë edhe një tjetër sesion për temat e komunikimit etj. Fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6, dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj “tenxheret e vogla të mbushura me helm”, media kombëtare raportojnë për publikun se çfarë i tha Edi Rama njërës dhe çfarë i tha tjetrës. Njerëzit kanë votuar dhe kanë halle të tjera.”





