Skënder Hita do të jetë drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Emërimi i tij vjen pas një procesi disa javor të zhvilluar nga Ministria e Brendshme, ndërsa ka marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama.
Ish drejtori i polivisë së Fierit, Skender Hita është akuzuar nga opozita që u përdor gjatë fushatave elektorale në favor të Ballukut.
Ministria e Brendshme nuk publikoi renditjen në pikë të 14 kandidatëve duke hedhur dyshime për influenca në emërim.
Lajmi është bërë publik edhe nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka publikuar fotografinë e Hitës dhe ka konfirmuar se drejtori aktual i Policisë Vendore Fier është emëruar në krye të Policisë së Shtetit.
Në reagimin e tij, ministri Lamallari u shpreh se në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi për dhënien e gradës “Drejtues Madhor” dhe emërimin e Skënder Hitës si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Fjala e ministrit Lamallari:
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita.
Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike.
Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.”a.b





