Shorti elektronik në Gjykatën e Posaçme ka përcaktuar gjyqtarin që do të shqyrtojë në fazën paraprake dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Pas përfundimit të hetimeve nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe dorëzimit të dosjes në gjykatë, sistemi i shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Erjon Cela për të zhvilluar seancën paraprake të çështjes.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Sipas SPAK, ish-zyrtari i lartë dyshohet se ka përfituar asete dhe shuma monetare përmes skemave të lidhura me biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, si edhe me ndihmën e disa biznesmenëve të tjerë.
Prokuroria e Posaçme pretendon se përfitimet e dyshuara përfshijnë pagesa për udhëtime jashtë vendit, si dhe investime në pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente.
Përveç Ahmetajt, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 10 persona të tjerë. Mes tyre përfshihen ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja aktuale e tij, si dhe disa biznesmenë, ndër të cilët edhe Sokol Meqemja.
Në seancën paraprake, gjyqtari do të shqyrtojë vlefshmërinë e hetimeve dhe provave të paraqitura nga SPAK, për të vendosur nëse dosja do të kalojë për gjykim në themel.




