Autori i vjedhjes dhe dyqani ku ndodhi grabitja
Një pikë këmbimi valutor është grabitur mëngjesin e sotëm në Tiranë, ndërsa autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një person ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka marrë një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe më pas është larguar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policia e Shtetit kanë shkuar në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Ndërkohë, policia po kreh zonën dhe po vijon kontrollet intensive, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.





