Finalizohet në Elbasan operacioni policor i koduar “Alert”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe çuan në përfundim operacionin.
Në kuadër të tij, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, u bë i mundur lokalizimi në aksin Elbasan–Peqin, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Spanjës i shtetasit J. B., 53 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas Policisë, 53-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Gjykata Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal i Spanjës.
Për këto vepra penale, legjislacioni spanjoll parashikon dënim maksimal deri në 9 vite burgim.
Interpol Tirana do të vijojë procedurat në bashkëpunim me homologët spanjollë, me qëllim finalizimin e ekstradimit të 53-vjeçarit drejt Spanjës. a.b



