Vijon operacioni i koduar “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit dhe futjen e tyre në Shqipëri për shitje.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, gjatë fazës së sotme u sekuestrua një automjet tip “Audi”, me vlerë rreth 50 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Sllovaki. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Sh., 55 vjeç, i dyshuar se e ka trafikuar automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen.
Ndërkohë, një ditë më parë, në kuadër të të njëjtit operacion, u sekuestrua një automjet tip “Seat Cupra”, me vlerë rreth 40 000 euro, i cili rezultoi i vjedhur në Itali. Për këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi G. L., i dyshuar se e ka sjellë automjetin në vend për ta shitur.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



