Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj mosmarrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit të një anëtareje të qeverisë, duke e cilësuar këtë situatë si një precedent të rrezikshëm dhe të paprecedentë në botën demokratike.
Në një deklaratë publike, Rama theksoi se Gjykata Kushtetuese “nuk e gjeti forcën” për të ndalur atë që ai e quan rimarrje peng të qeverisë së Shqipërisë përmes një mjeti të paparë, siç është pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe një gjyqtar, pa nisur ende procesi gjyqësor.
Sipas kryeministrit, mosvendimmarrja e Kushtetueses e rikthen automatikisht në fuqi masën e pezullimit të ministres, e cila, siç nënvizoi ai, nuk akuzohet për korrupsion, madje as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin. Rama e cilësoi këtë praktikë si një “shpikje 100% Made in Albania” të një drejtësie ende të papjekur, që sipas tij cenon parime themelore të demokracisë.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se ky precedent rrezikon seriozisht ndarjen e pushteteve, duke hapur rrugën që edhe figura të tjera të larta shtetërore, deri te Presidenti i Republikës, të mund të pezullohen në mënyrë arbitrare.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë,” u shpreh Rama, duke theksuar se zhbërja e këtij precedenti është e domosdoshme për të rigarantuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe funksionimin normal të institucioneve.
Në deklaratën e tij, kryeministri kritikoi gjithashtu ashpër atë që e quajti “modë e re e arresteve pa gjyq”, duke iu referuar një operacioni të fundit në Durrës, ku sipas tij janë lëshuar dhjetëra masa arresti pa u përmbushur kriteret e përcaktuara nga standardet europiane.
Në fund, Rama deklaroi se lufta për drejtësi, shtet ligjor dhe integrim europian ka sot vetëm një garant: shumicën aktuale qeverisëse. Sipas tij, përpjekjet për shtet ligjor nuk do të prodhojnë kosto politike për qeverinë, pasi kjo është një betejë që, siç tha ai, mbështetet dhe kuptohet nga shumica e qytetarëve shqiptarë.a.b
E PLOTË/ Mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese
Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë menjë mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.
Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.
Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.
Kaq e thjeshtë është!




