Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë dhe komunitetin shqiptar atje: trupi i pajetë i 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e zhdukur prej datës 25 mars në Romë, është gjetur brenda një valixheje të hedhur në një humnerë në zonën e pyllëzuar të Polisë, në periferi të kryeqytetit italian.
Sipas të dhënave të Corriere della Sera, trupin e saj e kanë zbuluar disa persona që shëtisnin në zonën pyjore, të cilët lajmëruan menjëherë policinë. Hetuesit e skuadrës kriminale, së bashku me zjarrfikësit, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë nxjerrë valixhen dhe kanë konfirmuar identitetin e viktimës.
Nga hetimet paraprake rezulton se Ilaria ishte vrarë dhe më pas ishte futur në valixhe, për t’u zhdukur në mënyrë të fshehtë. Gjurmët e krimit kanë çuar autoritetet drejt një personi të vetëm: një shtetas filipinas me të cilin Ilaria kishte qenë në një lidhje romantike së fundmi. Ai është personi i fundit me të cilin ajo kishte komunikuar natën e zhdukjes, përmes një sërë mesazhesh që tashmë janë sekuestruar nga policia.
Mbrëmjen fatale, Ilaria kishte dalë me nxitim nga banesa e saj pa marrë as portofolin apo sendet personale. Sipas dëshmisë së prindërve të saj, që jetojnë në Terni, ajo kishte lënë gjithçka pas, ndërsa telefoni qëndroi i ndezur për disa orë. Madje, dikush kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe që miqtë i kishin dërguar, duke ngritur dyshime të forta nëse ishte ajo vetë që po i shkruante.
E reja studionte Statistikë në universitetin prestigjioz “La Sapienza” dhe njihej si një vajzë e qetë dhe shumë e përkushtuar ndaj studimeve. Menjëherë pas zhdukjes, familjarët, miqtë dhe kolegët u mobilizuan në rrjetet sociale për të shpërndarë fotografitë dhe për të kërkuar ndihmë në lokalizimin e saj. Kjo përpjekje masive sensibilizimi u përmbyll në mënyrën më tragjike.
Policia ka kontrolluar banesën e të dyshuarit filipinas në rrugën Homs, në lagjen Africano të Romës, ku është ndërhyrë edhe me policinë shkencore. Brenda apartamentit, hetuesit kanë sekuestruar disa objekte dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se ai mund të ndalohet zyrtarisht brenda orëve në vijim, pasi është marrë në pyetje për disa orë.
Ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje të dyshuar, ndërsa policia po punon për të rindërtuar minutë pas minute lëvizjet e Ilaria Sulës gjatë ditës së fundit. Po ashtu, pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të japë informacion mbi mënyrën dhe kohën e saktë të vdekjes, çka mund të jetë vendimtare për akuzat ndaj të dyshuarit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin shqiptar dhe më gjerë, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe dhimbjeje dhe thirrje për drejtësi. Autoritetet italiane kanë premtuar një hetim të thelluar dhe të shpejtë për të çuar para drejtësisë autorin e këtij krimi tronditës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/