Është zhvilluar dhe finalizuar sot operacioni policor kundër kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e Malësisë së Madhe, njësia administrative Kelmend, fshati Selcë, në vendin e quajtur “Bjeshkët e Gërçes”, në afërsi të kufirit me Malin e Zi.
“Gjatë operacionit u bë asgjësimi i 11 358 bimëve narkotike të dyshuara cannabis sativa, të kultivuara në 3 parcela, si dhe kapja në flagrancë e autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, shtetasit Mark Gilaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje, deklaroi drejtori i Policisë në Shkodër, Edmond Sulaj.
Për finalizmin e këtij operacioni u përfshinë edhe reparte të Policisë së Malit të Zi.
Që nga muaji janar i vitit 2024, deri sot, janë asgjësuar nga policia e Shkodrës, 249 834bimë dhe fidanë cannabis sativa, si dhe janë evidentuar 242 raste të kultivimit, për të cilat janë referuar materialet për fillimin e procedimeve penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
“Në funksion të këtyre hetimeve që po kryhen nga DVP Shkodër, ne po koordinohemi dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me Prokurorinë e Posaçme SPAK, për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të përfshirë në këtë veprimtari”, tha drejtori i policisë së Shkodrës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/