GENC POLLO/ Shembulli maltez

GENC POLLO/ Shembulli maltez

668
0
Shares

Nga Genc Pollo

“Nuk ka pasur mashtrim financiar (fraud) nga kompanitë por ka pasur përbetim kriminal (collusion) mes qeverisë dhe kompanive”.

Sa më lart është konkluzioni i gjyqtarit maltez Francesco Depasquale në v2023, i cili dha verdiktin për aferën VGH në vijim të një padie civile të opozitës. Afera me pak fjalë: kryeministri laburist Joseph Muscat, ministri i linjes Konrad Mizzi dhe shefi i zyrës kryeministrore Keith Schembri arritën të realizojnë në v2015 një kontratë koncesionare e cila vinte në administrim të plotë të kompanisë VGH që të tre spitalet shtetërorë të Maltës përfshirë miliona euro që gjendeshin në llogaritë bankare spitalore. Sipas kontratës qeveria transferoi më pas edhe shumë miliona euro në po ato llogari. VGH nuk bëri asnjë nga investimet e parashikuara në kontratë dhe më vonë ja shiti statusin koncesionar një kompanie tjetër e cila falimentoi fill më pas.

Gjyqtari Depasquale shënoi në verdikt se “ata (në qeveri) që duhej të mbronin interesin publik nuk e bënë këtë” edhe pse ishin njoftuar zyrtarisht për problemet e koncesionit dhe se “se mashtrimi financiar ishte kryer gjatë tre fazave të procesit: para fillimit të procedurës, gjatë negociatave dhe me nënshkrimin e kontratës”. Depasquale urdhëroi anullimin e kontratës dhe kthimin e tre spitaleve në pronësi shtetërore.

Hetimi penal në vijim të atij civil zbuloi se, përmes një vargu ndërmjetësish, rreth 10 milion euro u ishin paguar zz Muscat, Mizzi e Schembri. Sipas aktakuzës kjo shumë është vetëm maja e ajsbergut pasi qindra milionë janë shpërndarë në një pezhishkë globale llogarish bankare off-shore dhe duhet shumë përpjekje që të gjënden. Këtë vit, kundër kësaj tresheje e 25 të tjerëve, u ngritën akuza për korrupsion, fshehje pasurie e fallsifikim.

Tashti në Shqipërinë tonë

Le të tentojmë ushtrimin e mëposhtëm duke zëvendësuar:

1.Maltën me Shqiperinë

2.Dhënien e tre spitaleve në koncesion  (2015) me dhënien e tre inceneratorëve në koncesion (2014)

3.Zz Muscat, Mizzi e Schembri me zz Rama, Veliaj e Agaçi

4.VGH me Integrated Energy BV, Albtek Energy Elbasan dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier.

5.Mbi 100 milion euro taksapará malteze të paguara koncesionarëve të mësipërm për asgjë me mbi 100 milion euro taksapará shqiptare të paguara koncesionarëve të mësipërm për asgjë.

Edhe për lexuesin jo shumë të vëmendshëm ngjashmëria e skemave korruptive duket goditëse e pothuaj identike. Por me dy ndryshime themelore:

A- Në Maltë gjyqësori vendosi anullimin e kontratës koncesionare per të tre spitalet dhe kthimin e tyre në pronësi shtetërore. Në Shqipëri gjyqësori ka vendosur vetëm sequestrimin e tre inceneratorëve dhe administrimin e tyre nga shteti. Por pronarët janë po ata që ishin që në v2014 dhe sipas ligjit çdo fundviti ata fusin në xhep dividendin.

B- Në Maltë gjyqësori nuk e copëtoi çështjen në tre dosje për secilin spital që do të çonte në fokusimin tek vogëlsirat; hetimi civil e penal u fokusua fillimisht te përgjegjësit më të lartë të konceptimit e realizimit të aferës korruptive. Në Shqipëri gjyqësori e ndau çështjen në tre copa; në rastin Fier e Elbasan u kufizua tek shkeljet procedurale nga funksionarë të mesëm e të ulët dhe në dy raste tek përfitimi i mekët i dy ofiqarëve përmes familjarëve të punësuar e të kontraktuar.

Sa më lart mund t’u shërbejë prokurorëve të posaçëm që ende po hetojnë incineratorin e Tiranës. Po më shumë mund t’i shërbejë opinionit publik për të analizuar e kuptuar performancën e SPAKut e të GjKKOsë në këtë rast e në tërësi. Kontrasti është i qartë midis gjyqësorit që cilindo e konsideron të barabartë para ligjit dhe gjyqësorit që për disa aplikon ligjin e Maliqit.

P. S. Malta shfaq edhe një tjetër aspekt shqetësues. Në këtë shtet tradita administrative britanike (Malta ishte koloni e Londrës deri në v1964) kombinohet me mentalitetin mesdhetar ku interesi personalo-familjar sfidon më fort atë publik. Nëse skandali VGH do të ndodhte në një shtet skandinav qeveria do të dorëhiqej menjëherë dhe partia e kryeministrit do të kolapsonte në zgjedhjet e radhës. Në Maltë megjithëse VGH ishte vetëm një ndër skandalet e shumtë të këtij lloji, KM Muscat i rezistoi sa mundi trysnisë së opozitës, shoqërisë civile dhe segmenteve ndërkombëtare (Parlamenti Europian, Asambleja KiE); vetëm kur hetimi mbi vrasjen e gazetares Caruana Galizia (i asistuar nga FBI dhe Europol) zbuloi implikimin e zyrtarëve atëhere qeveria Muscat dha më në fund dorëheqjen në v2020.  Qeveria pasardhëse e Partisë Laburiste me KM Abela në mënyra të ndryshme i ka marrë në mbrojtje zyrtarët e dyshuar. Dhe çfarë eshtë më e frikshme, që nga fitorja e parlamentareve në 2013, laburistët nuk kanë humbur asnjë palë zgjedhje. Në votimet e qershorit 2024 për Parlamentin Europian përsëri Partia Laburiste doli para Partisë Nazzjonalista opozitare (anëtare e Partisë Popullore Europiane) megjithëse me diferencë të ngushtuar shumë. Teoria e së drejtës ndërkombëtare njeh koncepte si kapje e plotë e shtetit(full state capture) dhe korrupsion i lartë(grand corruption); në këto situata korrigjimi i brendshëm përmes institucioneve bëhet pothuaj i pamundur. Si opsion mbetet presioni i rrugës me një shkallë të kontrolluar dhune i kombinuar ose jo me ndërhyrjen ndërkombëtare. Malta e Muscatit, Shqipëria e Ramës e disa shtete të tjerë janë jo vetëm raste studimore por edhe probleme të pazgjidhura.

P. P. S. Në dhjetor 2019 media investigative maltese Shift News shkroi se KM Muscat tentoi të eksportonte tek qeveritë socialiste në Ballkan skemën VGH. Perveç marreveshjeve në Shkup e Podgoricë ai nënshkroi me KM Edi Rama një memorandum i cili do i hapte udhën kontratës koncesionare. Por projekti i Tiranës duket se ngeci diku.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY