Belinda Balluku, ‘projekton’ me rrugët që do ketë Shqipëria në 2024

Belinda Balluku, ‘projekton’ me rrugët që do ketë Shqipëria në 2024

2550
0
Shares

Zv/kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi sot afatet për disa projekte rrugore në vend.

Balluku tha se tyneli i Llogarasë do të hapet në verën e 2024. “Më 30 Qershor 2024 vepra do të dorëzohet sipas të gjitha parametrave të parashikuara”, tha ajo.

Për trafikun në aksin Fushë-Krujë dhe nyjen e Rinasit zgjidhja do vijë nga përfundimi i aksit Thumanë-Kashar, si pjesë e Korridorit Blu. Ajo theksoi se ky aks do të futet në funksion gjatë verës së këtij viti.

“Thumanë-Kashar, së bashku me dy nyjet e tij të rëndësishme do të futet në funksion edhe ai gjatë verës të vitit 2024, duke shfryrë njëherë e mirë të gjithë trafikun që krijohet në autostradën e veriut dhe problematikën që krijohet në aeroportin e Rinasit”, u shpreh ministrja.

Ministrja përsëriti lajmin edhe për përfundimin e rrugës së Arbrit, lajm që është dhënë tashmë prej disa vitesh. Balluku theksoi se ky aks do të përfundojë në Dhjetor të këtij viti.

“Lajmi i mirë është se në Dhjetor 2024, ndoshta edhe më shpejt, megjithatë dua që të jap afatin maksimal, me përfundimin e tunelit të Murrizit ku janë hedhur qindra tonë hekur për ta mbajtur dhe mos pasur asnjë problematikë në të ardhmen rruga e Arbrit do të përfundojë”, tha ajo.

Në Dhjetor 2024 do të përfundojë edhe Unaza e Madhe e Tiranës. Ajo nuk tha gjë nëse do të përfundonte edhe Unaza e Re tek Astiri e cila ka gëlltitur deri tani më shumë se 20 milionë euro për km.

“Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë e disponueshme për të përthithur të gjithë trafikun që vjen nga autostradat e veriut e jugut, apo dhe të lindjes. Kështu që të gjithë banorët e kryeqytetit nuk do t’i duhen më që të kalojnë qytetin mes për mes për të shkuar nga një pikë në tjetrën”, theksoi Balluku.

Për autostradën Tiranë-Durrës, parashikohet që të ketë 3 korsi të plota, plus një korsi emergjence. Balluku siguroi se nuk preken rrugët dytësore apo bizneset.

“Ky aks ka qenë parashikuar për 30 mijë mjete në ditë, ndërkohë që me matjet e fundit piku maksimal ka arritur mbi 90 mijë mjete. Dhe ne kemi parashikuar që brenda vitit 2024 të hapim fazën e parë dhe mundësisht të dytë, të këtij zgjerimi që shkon nga Tirana deri në Vorë. Pra faza e parë shkon nga Tirana, kthesa e Rinasit dhe faza e dytë është  kthesa e Rinasit deri në Vorë. Zgjerimi i Tiranë-Durrësit do të marrë një korsi nga secila anë, pra do ketë një korsi të plotë secila anë plus korsinë e emergjencës. Është parashikuar që do të ketë një zgjerim, pra do të ketë 3 korsi të plota, plus korsinë e emergjencës. Sigurisht Tiranë-Durrësi është një nga akset më të rëndësishme, por në të ardhmen përdorimi i tij do të jetë më i pakët nga ç’është sot. Nga ana tjetër që në 5-vjeçarin e ardhshëm i gjithë ky rrjet do të jetë i integruar me njëri tjetrin dhe fluks e trafikut do jenë të mirë rregulluara pasi këtë vit duhet të nisë edhe ndërtimi i Kashar-Lekaj. Pra është komplet një aks i ri i cili kalon përmes zonës së Arbanës, Ndroqit dhe akseson Rrogozhinën duke i dhënë mundësi kështu të gjithë atyre drejtuesve të automjeteve që kërkojnë të shkojnë në pjesën jugore dhe janë duke ardhur nga veriu mos t’i afrohen fare Durrësit, mos futen në Tiranë, por të vazhdojnë drejtë”, tha ministrja.

Balluku lajmëroi nisjen e ndërtimit të by-pass-i i Tiranës, një projekt për të cilin brenda këtij viti pritet të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tij.

“Gjithë këtë rregullim do ta bëjë by pass-i i Tiranës që është tashmë një projekt i miratuar, i aprovuar, kemi fituar edhe grantin për këtë projekt, jemi në fazën përfundimtare të koordinimit me donatorët dhe brenda vitit 2024 nis dhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e by pass-it të Tiranës që do jetë rregulluesi dhe lidhësi i të gjithë kësaj infrastrukture”.

Njëherësh zv/kryeministre në qeverinë Rama, Balluku njoftoi se këtë vit do të procedohet me krijimin e një agjencie për transportin publik. Sipas saj, kjo agjenci do të ofrojë shërbim të unifikuar në të gjithë vendin dhe bileta elektronike për të shmangur evazionin fiskal dhe abuzimet mbi udhëtarët. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY