E njoftuan dy ministrat për tetëpikëshin e gabuar por e bëri. Çfarë...

E njoftuan dy ministrat për tetëpikëshin e gabuar por e bëri. Çfarë përgjigje ka Rama për bonusin për Zoton e Mërtirin

103
0
Shares

Kryeministri Rama u pyet sot nga gazetarja Ambrozia Meta në lidhje me bonusin prej 8 pimësh që iu dha një kompanie e cila u themelua 8 muaj pasi kishte përfituar bonusin.

Dua t’i rikthehem çështjes së inceneratorëve në lidhje me një vendim që ju keni firmosur. Në dhjetor të vitit 2016, ju keni firmosur një VKM me anë të së cilës jepni miratimin e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë e Klodian Zotos për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën konkurruese për dhënien me koncension të landfillit me qëllim ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Megjithëse ju jeni paralajmëruar nga ish ministrja Felaj dhe ish ministri Manjani se kjo kompani nuk ekziston, pse favorizuat me VKM një kompani fantazëm e cila në momentin që ka marrë këtë bonus pikësh nuk ka qenë e regjistruar në QKB?

 Kryeministri Edi Rama: Kjo pyetje ka të njëjtën përgjigje që i dhashë një kolegeje më parë dhe nuk ka asnjë përgjigje tjetër. Nuk është pyetje për mua fare kjo.

 E keni firmosur ju VKM, zoti kryeministër, apo nuk mbani përgjegjësi për firmën tuaj?

 Kryeministri Edi Rama: Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë dhe çdo firmë e imja është fryt i një procesi dhe një mekanizmi dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo sfera të ndryshme që kanë kompetencat e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell në një rezultat. Kur ky rezultat merr edhe firmën time kthehet në një vendim. Edhe kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris, unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës mediatike, në kalkulimet e natyrës politike, në kalkulimet e natyrës jo aritmetike që vijnë për arsye të ndryshme. Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime..

 Më falni por nuk janë kalkulime, por është një  vendim që ju e keni firmosur. Ju keni firmosur një VKM duke i dhënë bonus dhe favorizim një kompanie, e cila është krijuar disa muaj pas këtij vendimi. A mbani përgjegjësi për këtë gjë?

 Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se nuk kam nevojë për përkthyes kur flas në gjuhën shqipe kështu që unë e dëgjova pyetjen.

Keni të më ktheni një përgjigje konkrete nëse mbani përgjegjësi që i keni dhënë bonus një kompanie fantazëm?

Kryeministri Edi Rama: Unë e dëgjova pyetjen dhe jua dhashë përgjigjen time. Përgjigja ime është përgjigja ime jo përgjigja që juve doni.

 Më falni, a jeni njoftuar nga ministrja që kjo kompani ka qenë kompani që nuk ekzistonte, nga ish ministrja Felaj dhe ish ministri Manjani?

 Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë tjetër, qeveria është një mekanizëm, i cili funksionon në bazë të një zinxhiri me shumë hallka dhe nuk funksionon si një marrëdhënie mes një pronari që i çon gazetarit me mesazh pyetjen që do t’i bëjnë të intervistuarit…

 Më falni, keni qenë i njoftuar në momentin që keni firmosur? Ju lutem mos bëni paralelizma të tilla dhe më ktheni përgjigje për pyetjen konkrete që unë po ju bëj, nëse keni qenë të njoftuar nga ministrat tuaj në momentin që ju keni firmosur këtë VKM që kjo kompani nuk ekzistonte?

 Kryeministri Edi Rama: Unë po ju jap  shpjegimin…

 Ju po bëni paralelizma me rastin e pronarëve dhe gazetarëve ndërkohë që unë po ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë…

 Kryeministri Edi Rama: Unë po ju jap shpjegimin qetësisht dhe mitingun në konferencë ju lutem të mos e bëjmë. Unë nuk kthej dot një përgjigje që nuk është përgjigja ime. Unë kthej vetëm përgjigjen time dhe po të shpjegoj me qetësi sesi funksionon procesi i vendimmarrjes dhe paralelizmin e bëra pikërisht për këtë. Unë nuk marr njoftime individuale. Janë të gjitha pjesë e një procesi dhe një mekanizmi vendimmarrje dhe në fund fare firma ime vendoset kur mekanizmi ka përfunduar punën dhe kur çështja X, Y, Z shtrohet në mbledhjen e qeverisë ku janë prezentë të gjithë ministrat. E pasi shtrohet në mbledhjen e qeverisë dhe merr miratimin e të gjithë ministrave,- në qeverinë time nuk merren miratime nëse çdo gjë nuk sheshohet më përpara dhe nuk ndodh në qeverinë time qysh prej 10 vjetësh që unë të imponoj futjen e çfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe të negocimit, ballafaqimit dhe ridiskutimit mes të gjitha palëve që do të thotë,në fund fare firma është thjesht dhe vetëm zbardhja e një vendimi që merret si rezultat i gjithë këtij procesi.

Në qeverinë time ndodh që një proces vendimmarrës të vonohet edhe 6 muaj. Ndodh që të merren edhe 32 vendime brenda 1 dite. Varet se si shkon procesi ndërveprimit të mëparshëm brenda për brenda mekanizmit. Kjo është përgjigjja dhe prandaj bëra edhe krahasimin. Nuk merret njoftim “bëj këtë pyetje” me mesazh ose shiko me mesazh.. Është proces institucional. Nuk është një proces pazari, muhabet..

Më fal, po ju si ua jepni kontratat një kompanie kur ajo nuk ekziston? Qeveria ka ndonjë përgjegjësi si i jep kontrata?

Kryeministri Edi Rama: Ka ndonjë pyetje se këto ekzistencat dhe mosekzistencat e kompanive nuk i vendos Syri. Net. I vendos tjetërkush. Nëse ka ndonjë pyetje..

I keni dhënë bonus një kompanie që nuk ekzistonte…

Kryeministri Edi Rama: nëse ka një pikëpyetje për çfarëdo qoftë, pikëpyetje trajtohen në rrugët që ka përcaktuar një shtet dhe një shoqëri demokratike. Trajtohen në diskutime. Juve më pyetët, unë iu përgjigja. Juve më ripyetët, unë ju ripërgjigjem me durim shumë të madh, se ju thashë; durimin e kam mësuar më mirë nga të gjithë ju dhe ju lutem shumë, nëse ka pyetje tjetër, jepini mundësinë kolegëve të bëjnë një pyetje tjetër. Përgjigjen time e morët. Nuk kam një tjetër përgjigje për ju.

Dhe një pyetje tjetër për ju: A keni dijeni nëse ka patur spostim të lejes së ndërtimit për çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe dherat e kompanisë së ndërtimit, të cilët duhet të depozitoheshin brenda në landfill, janë depozituar jashtë ambienteve të inceneratorit.

Kryeministri Edi Rama: jo, unë kam dijeni për një gjë tjetër, që nuk më duket aspak e rastit që përtej të gjitha problematikave që kanë dalë nga ky proces, një pjesë e politikës vazhdon të mos i ndahet plehrave. Nuk më duket e rastit. Këtë mendim kam unë. Jepja pak. Kush ka një pyetje tjetër? Dhe e fundit besoj. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY