Çfarë mund të përfitohet nga projektet e BP me BE, Rama: Ende...

Çfarë mund të përfitohet nga projektet e BP me BE, Rama: Ende nuk kemi asgjë konkrete

159
0
Shares

Ditën e sotme në Tiranë u zhvillua një takim informal mes kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi mbi planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së.

Pas takimit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një komunikim me mediat lidhur me çështjet e diskutuara në takim:

Duke qenë se sot kaluat disa orë në kushte jo fort të mira për shkak edhe të vapës dhe duke qenë se takimi, për natyrën e tij informale, ishte një takim pa konferencë shtypi të përbashkët, e pashë të udhës që t’ju ftoj për t’ju informuar, duke ju falenderuar për mundimin e sotëm dhe pastaj sigurisht edhe për t’ju përgjigjur ndonjë pyetjeje lidhur me këtë, nëse keni.

Ju e dini që Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë Bashkimit Europian në tetor dhe për këtë ne jemi angazhuar shumë seriozisht me kancelarinë në Gjermani,por edhe me aktorë të tjerë në mënyrë që ky Samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që Procesi i Berlinit ka në bazën e vet, që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nga ana tjetër edhe mundësisht për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet tona me Bashkimin Europian.

Për këtë të dytën, ne ishim sot këtu në Tiranë me Komisionerin Várhelyi, i cili mbulon rajonin dhe ka për detyrë trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me zgjerimin dhe me fqinjësinë dhe për këtë diskutuam.

Prej disa kohësh ne jemi në një përpjekje si Shqipëri, për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të pandemisë, të krizës energjetike në tërësi, konflikti në Ukrainë që kanë bërë që Bashkimi Europian të shpërndaje fonde shumë të konsiderueshme mbështetjeje për vendet anëtare dhe kjo e ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve anëtare, në aspektin e kapaciteteve plus mundësive të brendshme të çdo vendi.

Duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë, por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta po aq sa janë dhe të përveçme, ne jemi përpjekur edhe duke u koordinuar me të tjerët, që të krijojmë një tjetër qasje, që do të thotë paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një plan i ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur dhe për këtë ne ishim sot me Komisionerin, për të diskutuar, për tu konsultuar, për të ndarë opinione për sesi nga njëra anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten më shumë financiarisht dhe për sesi nga ana tjetër, vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’iu hapen disa shtigje të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur që ato të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Pak a shumë kjo është panorama e përmbledhur e ditës së sotme.

Zoti Rama, ju bëtë me dije dhe në Facebook por edhe në konferencën që po zhvillojmë për planin e ri që keni diskutuar në drekën informale që ju thirrët ditën e sotme. Mund të na thoni cilat janë fushat ku Shqipëria do të kërkojë më shumë mbështetje dhe ndoshta është ende herët por sa mund të jetë kjo mbështetje për Shqipërinë në këtë plan që ndoshta do të bëhet publik në 16 tetor kur të mbahet dhe Samiti i Procesit të Berlinit dhe së dyti, a ju vjen keq që në këtë takim ditën e sotme nuk ishte vëllai juaj i vogël, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim. Nuk e di a e keni ndjekur Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani. Ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që ta shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh Bashkimi Europian, pavarësisht se brenda për brenda rajonit ka vende që janë më përpara me procesin e integrimit dhe ka vende që janë më mbrapa.

Përsa i përket fushave edhe kjo është diçka që u diskutua edhe sot dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja është sesi ky plan do të integrohet me çfarë ne kemi si mekanizma ekzistues mbështetjeje nga Bashkimi Europian.

Përsa i përket pyetjes së dytë, nuk shoh asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, e kush nuk mundi, nuk erdhi.

Zoti Rama, në pothuajse muajin e fundit, në Shqipëri përfaqësues të partisë suaj janë përfshirë në skandale. Ish krye-bashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i cili u arrestua, më pas krye-bashkiaku i Kukësit, Safet Gjici i cili gjithashtu është në burg. Më pas, një deputet i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja dha dorëheqjen pasi familjarët e tij u përfshinë në një dhunë brutale e cila u bë dhe publike. Së fundmi, është ish krahu juaj i djathtë, zoti Arben Ahmetaj i cili është në arrati dhe kërkohet për çështjen e inceneratorëve. Pyetja ime është, në të gjitha këto raste është vetëm përgjegjësi personale dhe ju si kryetar partie nuk keni fare përgjegjësi?

Pyetja e dytë është, a do të anulohen kontratat e inceneratorëve duke qenë se pronarët e tyre vazhdojnë të marrin ende para megjithëse janë në kërkim?

Kryeministri Edi Rama: Për të gjitha këto pyetje, duhet të klikoni në faqen time në Facebook dhe duhet t’i referoheni mesazhit tim për të gjithë shqiptarët ku të gjitha këto pyetje dhe më shumë se kaq kanë marrë përgjigjen time.

Ju nuk keni dhënë një përgjigje, për shembull, për rastin e zotit Rraja, të cilin disa vite më parë ju akuzonit në atë kohë nënoficerin dhe e quanit horr atë që denoncoi djalin e deputetit i cili sërish u përfshi në dhunë. Nëse në atë kohë ju do mbanit një qëndrim publik për këtë çështje jo në favor të deputetit, a do përsëritej historia që ndodhi në Fushë Krujë?

Kryeministri Edi Rama: Edhe për këtë duhet të klikoni në faqen time në Facebook, t’i referoheni mesazhit që kam bërë për të gjithë shqiptarët përpara pak ditësh dhe e keni përgjigjen brenda.

– Edhe një pyetje për Ballkanin e Hapur. Duke qenë se ju keni thënë që e duan 59% e shqiptarëve duke iu referuar deklaratave për Këshillimin Kombëtar, pse tashmë ua mohoni shqiptarëvekëtë nismë?

Kryeministri Edi Rama: Shifrën e keni gabim, nuk është 59%, por është më shumë dhe unë nuk i mohoj shqiptareve asgjë e shqiptarët janë shumë të mençur për të kuptuar që edhe ky shkëmbim është i padobishëm në funksion të temës për të cilën u bë pyetja. Shumë faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY