Belind Këlliçi teksa takon qytetarët dhe u prezanton programin dhe 5 pikat që sjellin ndryshimin në Tiranë, denoncon po ashtu paligjshmërinë dhe korrupsionin në Bashki. Në zonën e “Tregut Çam”, Këlliçi denoncoi ndërtimin e 7 kateve pa leje të kullës “Eyes of Tirana”. Sipas Belind Këlliçit, ky objekt është përballë zyrës së Erion Veliajt, por kryebashkiaku aktual i Tiranës ka lejuar paligjshmërinë.
_“Shikoje këtë që nuk e kishte parë Erion Veliaj, 7 kate pa leje! Se nuk ka lënë ndërkohë, nuk ka lënë kotec pule në katund pa u vënë gjobë, nuk ka lënë avlli e çati pa prishur edhe këtë këtu nuk e ka parë. Shihe këtë, shihe ku e ka zyrën, e ka zyrën ballë për ballë, shihe pak, 100 metra distancë nuk e ka parë, e ka nga zyra. Nuk e pashë tha!”._
Po sikur të mos mjaftojë kjo, Erion Veliaj ka dhënë leje për ndërtimin e pjesës tjetër të kullës, në truallin ku aktualisht ndodhet “Qendra Rinore”.
_“Kjo është Qendra Rinore aty, që është mbyllur. E vetmja qendër rinore në Tiranë, e mbylli zotëria, do ta shembi këtë këtu për ta bërë kullë… shihe si i ka lënë këto fitilat jashtë këtu. është një arsye pse janë lënë të gjitha jashtë këtu, sepse është ditur që kur është bërë projekti, është ditur që këto do shemben, kjo pjesa edhe do jepet për kullë tjetër betoni. Ndërkohë, ka ngritur 7 kate pa leje lartë, minimalisht duhet të merrte masa administrative bashkia e Tiranës, duhet t’i pezullonte licensën e të gjitha, gjobë e të gjitha. Çfarë ka ndodhur, kaluan tre muaj dhe tani do i japi dhe këtë truallin tjetër për të bërë kullë aty për të vazhduar kullë tjetër_”-tha Këlliçi.
Sipas tij, ky është modeli dhe standardi i dyfishtë i bashkisë së Tiranës, e cila në qendër lejon betonizimin, ndërsa në zonat rurale banorët nuk lejohen as të bëjnë rregullime avllie pa marrë leje në bashki.
_“Ndërkohë që kjo shërben për ta kuptuar të gjithë ato banorët në Tiranë, në qytet dhe në fshat, që më thonë: Belind nuk hapin dot dritaret e shtëpisë, nuk rregullojmë dot avllinë, nuk rregullojmë dot çatinë se vjen na vë gjobë policia bashkiake. Kurse klientela e këtij shiko çfarë bën!_”-u shpreh Këlliçi.
Më tej, në brendësi të “Tregut Çam”, Belind Këlliçi tregoi edhe pallatin e Arben Malokut, zyrtarit të bashkisë së Tiranës, i cili gjithashtu ka ndërtuar 2700 metra katrorë pa leje.
_“Dua të tregoj pak këtë pallatin e Ben Malokut. Kape pak këtë pjesën lartë këtu. Ky është ai pallati që ka bërë Ben Maloku nja 2700 metra pa leje, këtu është. Këtu nja 50 metra larg, jeton Ministri i Brendshëm dhe këtu kishte thënë Veliaj, për këtë që blen vota në Kasallë, në Dritas në Zall Herr edhe në Tapizë, kishte thënë që nuk e ka parë këtë. S’ka parë as atë 7 kate pa leje në qendër te “Sheshi Skënderbej”, ndërkohë që qytetarëve u merr shpirtin për një kotec pulash, për një dritare. Ky është Erion Veliaj që ta dini”_-tha Këlliçi.
Nga ana tjetër, po në këtë zonë, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, tregoi edhe disa pallate të vjetra, banorët e të cilëve tashmë jetojnë me frikën se bashkia do t’i shembë, për shkak të vjetërsisë së tyre. Këlliçi u shpreh se tashmë e kanë në dorë qytetarët e Tiranës për të vendosur nëse do të lejohet ajo që parashikon qeveria dhe bashkia për pronat e qytetarëve, apo do të zgjedhin ndryshimin.
_“Dhe këtej është një pjesë tjetër e llokmës që Erion Veliaj do të betonizojë në Tiranë, e llokmës që do t’u vjedhë qytetarëve pronat në banesat e vjetra. Domethënë, sot të rrezikuar në Tiranë nuk janë më vetëm qytetarët që janë në proces legalizimi por dhe autoktonët, dhe ata që i kanë apartamentet me letra të rregullta, me certifikatë pronësie me të gjitha, vetëm për faktin se mund të banojnë në apartamente më të vjetra se 50-vjeçare rrezikojnë që Erion Veliaj mund t’i nxjerri nga shtëpia, për t’u shembur shtëpitë për t’i bërë kulla betoni. Bëjeni zgjedhjen vet, katër ditë kanë ngelur”_-tha Këlliçi.
Duke shtrënguar duart dhe marrë mbështetjen nga qytetarë e tregtarë të zonës, Belind Këlliçi u takua dhe me një zonjë, e cila edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, kishte ardhur nga Italia për të votuar ndryshimin në 14 maj.
_“Jo, unë kam qenë e sëmurë e operuar, kam ardhur nga Italia dhe do iki prapë, vetëm për të votuar. Vetëm për të votuar kam ardhur. Do iki prapë në datën 22, vetëm për të votuar kam ardhur_”-u shpreh Nënë Klija, duke i dhënë mbështetjen Belind Këlliçit.
Ky i fundit, duke falenderuar zonjën, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin shembullin e saj në 14 maj.
_“Ju e dini, ju e keni në dorë. A e dëgjuat zonjën: kam qenë e sëmurë, thotë, kam ikur në Itali, kam ardhur nga Italia vetëm për të votuar. Të gjithë ata që përtojnë me dalë në votim, e kuptoni që ka njerëz që vijnë nga jashtë vetëm për të votuar. Dilni votoni masivisht, masivisht!_”-tha Belind Këlliçi.
Ndërkohë, bizneset në “Tregun Çam”, treguan vështirësitë që po kalojnë, duke u shprehur se barra e taksave bashkiake ka ardhur duke u rritur çdo vit.
_“Dobët! Inshallah mos bëhet ndonjë gjë e re o vëlla, se kemi ndonjë shpresë. Dëgjo, për pesë muaj, për Zotin, po shihja pardje faturat e siguracionit që paguaj, nga 80 mijë lekë shkuan 90, në 100, 120.. Po ashtu si përherë, me hope. Inshallah fitoni dhe në Durrës, dhe në Elbasan, por aman veç na hiqni këtë zdromsin_”-shprehen disa biznese në zonë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/