Për librin e ri “Jona dhe deti”, autor Zimo Krutaj, botues “mediaprint”
Në panairin e ri të librit, të hapur sot në Pallatin e Kongreseve, zënë një vend të veçantë librat e rinj për fëmijë, të autorëve shqiptarë. Një ndër to është libri “Jona dhe deti” (poemë vere), shkruar nga Zimo Krutaj, botim i Shtëpisë Botuese “mediaprint”.
Ky libër është fitues i Fondit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për krijimtarinë letrare për fëmijë, viti 2022. Lexuesit e vegjël, por edhe ata më të rritur, marrin në duar një poemë të gjatë për fëmijë, që ka si pikënisje kontaktin e parë të një vajze të vogël me detin. Thënë ndryshe, është përshkrimi, historia, befasitë e ndodhitë e ditës së parë të vogëlushes buzë detit, në një lojë reale e imagjinare ku ndërthuret e shkrihet realiteti dhe trillimi, koha dhe hapësira.
Në poemë, deti personifikon të panjohurën, të renë, të bukurën, atë botë të çuditshme e joshëse, atë mrekulli të kaltër që na kthen të gjithëve në fëmijë, që na nxit ta njohim e ta eksplorojmë në tërë bukurinë e pafundësinë e vet. Vajza (Jona) përfaqëson, me dëlirësinë, kureshtjen, përpjekjen dhe etjen e pafund (si deti), prirjen e lindur, të vetvetishme, të fëmijës për njohje, dije, imagjinatë, jetë, dashuri…
Poema “Jona dhe deti” synon të evokojë e të lartësojë shpirtin e ndjeshëm, të pasur me vlera të qenësishme, të domosdoshme për jetën e formimin e njeriut, si dhe lidhjen e ngushtë e marrëdhëniet e fëmijës me natyrën, si pjesë e pandarë e botës, si “shtëpia” e madhe ku jeton e rritet.
Vogëlushja Jona, në udhëtimin imagjinar të saj mes për mes detit, takon personazhet fantastikë të përrallave tona popullore, si dhe figurat më të njohura të letërsisë botërore për fëmijë. Situatat befasuese, ëndrra dhe zgjimi, dritat dhe ngjyrat e detit në perëndim; bota e gjithë, e parë me sytë e fëmijës, i japin kësaj poeme një frymëmarrje të re, një tjetër hapësirë, që nxit kureshtjen, përfytyrimin dhe edukimin e fëmijëve me të mirën dhe të bukurën…
Ilustrimet e piktores Fatlinda Shala e pasurojnë librin me imazhe që marrin dritë, ngjyra e kuptim në vështrimin e lexuesit, sendërtojnë pamje të natyrës e personazhe të poemës, duke përcjellë, përforcuar e bërë më të prekshme, kumtet e tekstit poetik.
Me librin “Jona dhe deti”, biblioteka e fëmijëve plotësohet me një vepër të re të poezisë për fëmijë, të llojit të poemës rrëfimtare të ilustruar, me personazhe e ngjarje të ndërthurur me elementë fantastikë, me tipare të theksuara lirike. Vargu tetërrokësh i thyer, rimat e puthura, asonancat dhe aliteracionet e shpeshta, si dhe figurat tingëlluese, e pasurojnë poemën me ritme muzikore që lehtësojnë “këndimin” e strofave nga prindërit, për fëmijët që ende nuk kanë mësuar të lexojnë… r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/