FATOS LUBONJA/ Pse ideja që ‘zgjedhjet i humbi Luli’ i shërben regjimit...

FATOS LUBONJA/ Pse ideja që ‘zgjedhjet i humbi Luli’ i shërben regjimit dhe si duhet të dalë PD nga ndërtesa e sistemit

222
0
Shares

Debati nëpër media, i shpërthyer edhe nga fjalimi i Mark Markut në Kongresin e fundit të PD-së, nuk mund të mos lidhet me pyetjen se si po sillen shqiptarët në këtë fazë të re të regjimit, që personalisht e konsideroj fazë hopi të rrezikshëm të politikës “krimi ndjell krimin”. Duke e thjeshtëzuar, do t’i ndaja bashkatdhetarët në katër kategori:

– në kategorinë e atyre që ndihen pjesë e regjimit dhe përfitimeve që ai u sjell dhe që, në një mënyrë apo tjetër, janë bërë pjesë e politikave “krimi ndjell krimin”,

– në kategorinë e të nënshtruarve që thonë se duhet të përshtatemi se s’ke çfarë bën;

– në atë të atyre që thonë se duhet të ikim për të ruajtur dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve;

– në kategorinë e atyre që mendojnë se duhet të rezistojmë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Brenda kategorisë së fundit meriton të analizohen në mënyrë të veçantë aktorët që pretendohet të sjellin ndryshimin, ku do të dalloja:

– partitë që i kam quajtur “të sistemit”,
– partitë apo lëvizjet “antisistem”,
– shoqërinë civile

Në këtë shkrim, duke u nisur edhe nga debatet pas Kongresit, do të analizoj gjendjen e PD-së.

* * *

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, brenda PD-së janë shfaqur dy rryma kryesore. Njëra përfaqësohet nga kryetari Basha dhe mbështetësit e tij që i mëshojnë tezës se zgjedhjet u manipuluan nga Rama me të vetët, se po të kishin qenë të lira opozita do të dilte fituese, pa mbajtur ndonjë përgjegjësi për humbjen. Tjetra është e ndarë midis atyre që fajësojnë Bashën, pa përmendur masakrën zgjedhore, dhe atyre që, gjithë duke theksuar masakrën zgjedhore, e akuzojnë kryetarin se nuk arriti të bashkojë, mobilizojë e frymëzojë sa duhet njerëzit për të votuar dhe për të mbrojtur votën.

Ajo që vihet re është se në këtë debat grupi i parë e përqendron diskursin tek individi Edi Rama si shkaktar i humbjes së PD-së, kurse i dyti tek individi Lulzim Basha, duke mos prekur thuajse fare një çështje, sipas meje themelore, që kërkon thellim dhe analizë serioze nëse vërtet PD synon të ndryshojë veten për të ndryshuar Shqipërinë. Duke rimarrë një metaforë që e kam përdorur më herët – ku e krahasoj sistemin/regjimin me një ndërtesë trekatëshe dhe bodrumin – gjykoj se sot kemi hyrë në një fazë të re që e bën thuajse të pamundur atë që ka ndodhur deri më 2013: rrotacionin në katin e tretë të ndërtesës së regjimit pa prekur katet e mëposhtme të saj. Kjo sepse katet e mëposhtme, d.m.th., ai i mediave të oligarkëve na katin e dytë, ai i oligarkisë në katin e parë si dhe “krimi i organizuar” në bodrum, janë bërë thuajse një me partinë e vetme në pushtet, kështu që nëse loja e zgjedhjeve luhet me dhe për lojtarët brenda kësaj ndërtese, shanset e opozitës për të arritur rrotacion janë afër zeros.

Nëse pranojmë se është kështu, siç besoj, ideja se PD-ja humbi/humb pasi Luli është i paaftë apo fle gjumë (ashtu sikurse ajo se Rama është i aftë dhe se fiton pasi zgjohet që në orën 5 të mëngjesit) është tejet reduktive, dhe, dashur pa dashur, i shërben sistemit për të vënë në gjumë shqiptarët që të mos shohin se shkaku i vërtetë pse opozita nuk sjell dot ndryshim në Shqipëri është ai.

Për hir të së vërtetës, opozita i është afruar – në mënyrë hileqare – kësaj teze kur la Parlamentin dhe deklaroi se nuk mund të shërbente më si fasadë e një regjimi. Them “hileqare”, pasi edhe fliste për regjim, edhe e reduktonte këtë në vullnetin e mbrapshtë të një individi si Rama pa e lidhur me tërë strukturat e kateve të poshtme të ndërtesës. Kuptohet se kjo hile kishte arsyet e veta. PD nuk donte, apo nuk ishte në gjendje, të prekte gjithë ndërtesën pasi, duke qenë parti e ndërtuar brenda saj, nuk shkëputej dot nga oligarkët dhe mediat e tyre për dhe me të cilët kishte punuar më herët, por edhe për shkak se nuk e shihte realiste arritjen e rrotacionit në zyrat e katin e tretë nëse kateve të tjera do t’u jepte sinjalin se do të punonte kundër tyre. Në fakt, këtë “mësim” PD e kishte marrë që në zgjedhjet e vitit 2017 kur në vend se të rritej qoftë edhe pak si opozitë në krahasim me 2013-tën e pa veten, paradoksalisht, të vetmen parti që humbi vota në krahasim me tri partitë e sistemit në pushtet. Prandaj, edhe në zgjedhjet e fundit, thellë-thellë, pavarësisht disa retorikave kundër oligarkëve dhe krimit të organizuar, ajo shpresonte të kthehej në pushtet në një ndërtesë ashtu siç ajo ishte kur e mori Rama në 2013, kur oligarkët dhe mediat ishin të ndarë midis partive kryesore kurse krimi i organizuar ishte dhe ai më i ndarë dhe jo kaq vendimtar sa tani në ekonominë, mediat dhe politikën e vendit. Mjafton të shikosh se një pjesë e mirë e kandidatëve të PDsë këtë vit janë përzgjedhur mbi kriterin e vjetër të sistemit: pra, duke tërhequr të pasurit që investojnë me shpresë se dalja deputet apo marrja e pushtetit do t’u krijojë më shumë mundësi për bizneset e tyre dhe jo pse aspirojnë të përfaqësojnë interesat e viktimave të këtij regjimi, për tu bindur për këtë.

Personalisht e kam mbështetur kthimin në gjendjen e vitit 2013 me logjikën pragmatiste (më mirë tri banda se një) duke argumentuar se kjo mund të shërbente si një frenim i përshpejtimit që i ka dhënë Rama makinerisë se “krimi ndjell krimin” dhe si mundësi kthese; por zgjedhjet konfirmuan se lojtarët e kateve poshtë, me të cilët më herët opozita ka luajtur në kushte pak a shumë të barabarta, tani luajnë thuajse të gjithë me bandën e Ramës (fatkeqësisht së bashku me arbitrin ndërkombëtar).

Ndërkaq, shqiptarëve të shumtë që janë viktima të këtij regjimi, materialisht dhe moralisht, sikurse e tha edhe Mark Marku, pak u intereson nëse ndodh mrekullia e PD-ja fiton zyrën e Kryeministrit në katin e tretë nëse jeta e tyre nuk ndryshon. Sipas meje, ky ndryshim mund të vijë vetëm mbi një projekt të premtimit të çmontimit të ndërtesës, d.m.th., që do ta çonte krimin e organizuar në burg, bizneset e oligarkëve në tregun e lirë të bazuar mbi meritat, kurse mediat nga instrumente të tyre do t’i kthente në mjete investigimi e denoncimi të krimeve të tyre? Kjo nuk mund të mos të të çojë tek ideja se për të realizuar këtë projekt, PD, si parti e sistemit, duhet të nxjerrë të paktën kokën, njërën dorë dhe njërën këmbë nga ndërtesa e sistemit për t’i lidhur ato me viktimat e tij dhe për të punuar me to për çmontimin e saj. Mirëpo, kjo çon te problemi tjetër, për të cilin fola më lart: i gjarprit që kafshon bishtin e tij, pasi kjo parti e sistemit, në një mënyrë apo tjetër, direkt apo indirekt, e ka shumicën e aktorëve të saj, duke përfshirë edhe kryetarin, të lidhur mendërisht dhe materialisht me sistemin.

Vështirësia për ta gjetur rrugën e daljes nga ky rreth vicioz është ekstreme, por meqenëse bëhet fjalë për hapjen e një debati, gjykoj se asnjë shpresë për ndryshim të vërtetë nuk mund të ketë nëse ky nuk përqendrohet në këtë çështje.panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY