GENC POLLO/ Një koncept sovraniteti i vitit 1702 në prizmin e privatizimit...

GENC POLLO/ Një koncept sovraniteti i vitit 1702 në prizmin e privatizimit rilindist

84
0
Shares

Nga Genc Pollo

Oficerët e kapterët e Bazës Detare Limion pranë Sarandës nuk pranojnë të firmosin transferimin e aseteve tek një grup oligarkësh duke kundërshtuar aktet abuzivo-korruptive të qeverisë. Rezistenca e tyre është domethënëse për sovranitetin e Republikës dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare te saj. Ky shënim u dedikohet atyre.

1-Sovraniteti në det që nga shek. 18

“Deti yt është deri aty ku arrijne gjylet e topave të tu” (në latinisht: terrae potestas finitur ubi finitur armorum vis) ishte parimi që formuloi teoricieni i të drejtës ndërkombëtare, hollandezi Cornelius Bynkershoek në traktatin e tij “De dominio maris” të vitit 1702 për detin territorial nën sovranitetin e shtetit bregdetar. Ky rregull ishte një mënyre e thjeshtë e përcaktimit të sovranitetit. Çfarë është zyrtarisht e shtetit por edhe e kontrollon forca e armës së tij (shpata mbi tokë, gjylja në det e në kohët moderne avionët gjuajtës në qiell) mund të quhet se është realisht nën sovranitet shtetëror.

2-Sovraniteti në detin (e qiellin) shqiptar

Në Republikën tonë në vitet 90 ushtrimi i sovranitetit në det e qiell ishte problematik. Avionët e vjetëruar Mig 19 e Mig 21 ishin gati jashtë përdorimit dhe anijet luftarake që na mbetën nga v. 60 gjithashtu me zor dilnin në det e morrën një dërrmë gjatë trazirave në 1997. Kontrolli i qiellit u zgjidh me anëtarësimin në NATO: ashtu siç vepron rutinë Aleanca me anëtarët e vegjël që nuk kanë buxhet e arsye për të blerë avionë luftarakë, edhe rajoni mbi Shqipërinë patrullohet rregullisht nga avionë gjuajtës të shteteve të NATO-s që janë fqinjë sipas një kalendari të miratuar nga Aleanca. Për detin territorial përgjegjësia e shtetit ka dimesion më të thellë njerëzor pasi për çdo anije në avari, lundërthyerje e situata të ngjashme duhet të jetë në gjendje të dërgojë anije të afta për operacione kërkim-shpëtimi. Këtë mision nuk e përmbushin dot motoskafet e policisë që operojnë vetëm përgjatë bregut. Prandaj Qeveria në v. 2008 bleu, me subvencion nga shteti hollandez, katër anije të reja të klasit Iliria, me të cilat u pajis Roja Bregdetare. Me këto anije në vitet në vijim Shqipëria mori pjesë edhe në operacione detare të përbashkëta me NATO-n e BE-në në Mesdhe duke kontribuar në sigurinë kolektive.
Por më e rëndësishme, ujrat territoriale të Republikës tashmë mund të patrulloheshin regullisht, aktivitetet e paligjshme mbi ujë mund të hasnin një barrierë të re dhe në rast avarie apo lundërthyerje shteti shqiptar do të ndihmonte efektivisht duke përmbushur detyrimet e tij njerëzore e ndërkombëtare.

3-Digresion i shkurtër mbi disa debate për sovranitetin

Çështja e sovranitetit është debatuar nxehtë në legjislatura të shkuara të Kuvendit. Ish ofiqarë të lartë me pasion kanë apeluar për përgjegjësitë kushtetuese të shtetit duke përdorur shpeshherë, por jo gjithmonë, me vend fjalën sovranizëm. Të tjerë duke ju referuar disa idealeve të mëdha, por me gjasë duke patur në mendje interesat politikë të ditës, i mëshuan zgjidhjeve internacionaliste. Nëse ky debat do të vëzhgohej nga Europa shumëkush do të mendonte se debati bëhej mes europianistëve federalistë që synojnë të transferojnë kompetenca kombëtare të shteteve anëtare tek institucionet e BE-së, në rradhë të parë tek Komisioni Europian. Nëse dikush do e shihte këtë nën prizmin e efekteve të administratës Trump do t’i dukej se po ndiqte një debat interesant midis transaksionalistëve unilateralë dhe multilateralistëve institucionalë. Kush e vëzhgonte nga afër e dinte që nuk ishte as njëra e as tjetra. Dhe me siguri debati mbi sovranitetin nuk kishte të bënte me konceptin e hollandezit Bynkershoek se vetëm kontrolli i plotë shtetëror e legjitimon pretendimin për sovranitet.

4-Cfarë të bën grykësia nuk t’a bën hasmëria

Kontrolli mbi detin territorial pati një cënim serioz negativ vitet e fundit. Ministri i Mbrojtjes tentoi të mbyllte Bazën Detare të Kepit të Palit (ana veriore e gadishullit të Bishtpallës) në veri të Durrësit si dhe atë të Limionit në skajin perëndimor të Sarandës. Këto dy baza për nga vendndodhja gjeografike janë të domosdoshme sqarojnë ekspertët e ushtarakë: e para mundëson ndërhyrjen e shpejtë në pjesën veriore te detit territorial shqiptar; e dyta mundëson ndërhyrjen imediate në veri të Kanalit të Korfuzit ku dëndësia e trafikut detar shton gjasat e problemeve dhe të incidenteve e si pasojë rrit nevojën e Rojes Bregdetare. Në mungesë të këtyre dy bazave anijet luftarake Iliria ankorohen në Pasha Liman ose strehohen në kalata me qera të porteve komercialë si fëmija bonjak. Procedura zyrtare e privatizimit të Limionit pothuajse ka përfunduar. Ajo e Kepit të Palit është në fillimet e veta. Këto orvatje shkelin haptas ligjin, ndër të tjera mbasi nuk është marrë aprovimi (firma) Presidentit të Republikës (edhe Kryekomandant i Forcave të Armatosura) e detyrueshme për çdo ndryshim në Planin e Përhapjes. Motivet janë për t’u bërë favore atyre që rëndom i quajmë oligarkë, miq të ministrit e shefit të ministrit e me ndërmjetësimin e ethshëm të një të afërmi të ngushtë të ministrit. Po të gjejë kohën SPAKu e të gërmojë pak më thellë çështjen vë bast se do të zbulojë edhe ndonjë fije korrupsion. Nga ana tjetër duhet të shtoj se investimi i brendshëm e i huaj në resorte turistike e marina jahtesh lipset të jetë i mirëpritur. Shteti edhe mund të krijojë favore nëse ato ofrohen në mënyre transparente e me barazi kushtesh për të interesuarit. Por pyetja mbetet pse nga 415 km vijë bregdetare të shkon dora pikërisht e vetëm tek dy bazat e Flotës Detare? Përgjigjen e kësaj pyetje nuk e jep dot teoricieni i të drejtës ndërkombëtare në fillimshekullin e 18; monarkëve absolutë të kohës së tij nuk u kapte dora gabim në çështje të tilla nga të cilat varej pushteti, pasuria e mbase edhe jeta e tyre. Në kohët moderne përgjigjen duhet t’a japin politikanët e magjistratët; por pa pritur që të flasin ata, lipset t’a japin edhe zërat e shumtë të shoqërisë e sidomos ata që, me ose pa teprim, bubullijnë për kilometra katror det të humbur a fituar në negociata me fqinjët. Gjithmonë duke patur parasysh parimin Bynkershoek se ti meriton të zotërosh vetëm atë që je i aftë të kontrollosh. -/-

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
03 korrik 2021

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY