GENC POLLO/ Negociatat me BE dhe një kontrapedal i dobishëm

GENC POLLO/ Negociatat me BE dhe një kontrapedal i dobishëm

62
0
Shares
genc pollo

Nga Genc Pollo

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (dmth ministrat e jashtëm të shteteve të BE-së) nuk mori dot vendim javën e shkuar për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Tiranën e Shkupin. Shkak për këtë u bë vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut për çështje historiko-gjuhësore mes tyre dhe meqë BE i trajton dy vendet si çift edhe Shqipëria nuk u diskutua fare. Që prej dy vjet e gjysëm ka qenë Tirana ajo që me kushte të papërmbushura e ka penguar Shkupin të çelë negociatat. Ne nuk e dimë nëse të gjitha shtetet anëtare ishin pozitivë për Shqipërinë, dmth i konsideronin kushtet e përmbushura. Një numër i rëndësishëm i tyre, ndër ta tashmë edhe Hollanda qibare, janë deklaruar pro. Të tjerë, përfshi edhe skeptikët e mëparshëm si Franca, Danimarka, Spanja e Bundestagu gjerman, nuk janë deklaruar ende publikisht.

1-Mbi heronj historikë e kushte prozaike
Reagimet nga Tirana ishin si përherë: KM Rama këndoi refrenin periodik duke e quajtur dështim të BE pasi Shqipëria e tij nuk kishte lënë detyrë shtëpie pa bërë. Për më tepër Zoti e kishte vendosur Atdheun tonë në Europë dhe Gjergj Kastrioti e pas tij Rilindasit e parë e kishin konfirmuar pa mëdyshje.
Një politikan nga opozita tha se Rama jo vetëm që nuk i kishte përmbushur kushtet por kishte sajuar edhe ngatërresa shtesë duke penguar negociatat.
Në fakt kushtet nuk janë përmbushur vërtet. P. sh. njeri syresh kërkon që të qartësohet nëse zgjedhjet lokale (njëpartiake ) të v. 2019 janë apo jo të ligjshme. Siç e dimë Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh dot këtë verë dhe mbase Komisioni i Venecias do t’i verë vulën diku nga dimri. Po kështu me disa kushte të tjerë. Por siç është formuluar vendimi i BE-së për këto 15 kushte në mars 2020 disa nga kushtet duhen plotësuar që të thirret Konferenca Ndërqeveritare, disa të tjerë që të aprovohet Kuadri Negociator (pa Konferencë e Kuadër nuk mund të nisin negociatat) e disa kushte quhen edhe prioritete të rëndësishme. Kjo e bën përmbushjen e tyre disi të interpretueshme e të relativizueshme.

Shtetet europiane që lanë pas diktaturat qoftë të djathta si Greqia e Spanja, qoftë regjime komuniste dhe kërkuan të antarësoheshin në BE e filluan këtë duke përmendur historinë e gjeografinë europiane të tyre si dhe mbretër e gjeneralë që kishin luftuar për të mbrojtur Europën (nga “hordhitë ruse, osmane, saraqene etj.”). Ashtu siç bëri edhe Rama para pak ditësh. Një mik i imi që kishte ndjekur këto proçese asokohe më përshkruante me humor se si funksionarët e Brukselit në takimet fillestare me ministrat e këtyre shteteve aplikante u shpjegonin me durim e monotoni se pranimi në BE lidhej me demokracinë, ekonominë e aftësinë e administratës publike, përndryshe të quajtura Kriteret e Kopehagenit. Të qënit europian në kuptimin historiko-gjeografik e të mbretërve e gjeneralëve me shpatë në dorë është vetëm premisa për anëtarësinë. Mbasi merr statusin kandidat (Shqipëria e mori në v. 2014) nuk lipsej më të llafoseshin për këto bëma por për kriteret -insistonin deri në mërzi funksionarët deri sa e shuajtën dellin romantik të ministrave në dy tre vitet e para.
Unë vetë nuk ka se si të jem kundra që Kryeministri e të tjerë përfaqësues të lartë të Republikës t’i referohen Mbretit Gjergj si konfirmator europian i shqiptarëve. Madje ata mund të shkojnë edhe tre shekuj më herët e t’i referohen Arkondit Progon të Principatës së Arbërit. Vetëm se nuk duhet harruar që në dialogun me Brukselin nuk e shmangin dot refrenin e “mërzitshëm” mbi kushtet e kriteret.
2-Malta si një rast që të bën esëll
FATF, një organ ndërqeveritar i themeluar nga G7 për problemet e larjes së parave e financimit të terrorizmit, në 25 qershor e degradoi Maltën nga lista e bardhë në atë gri. Në këtë listë shtetesh me risk të lartë Malta do të jetë në shoqërinë e Shqipërisë, Jemenit, Sirisë, Zimbabves, Barbadosit etj. (Shqipëria u degradua nga lista e bardhë në atë gri gjatë qeverisë Rama; përmbushja e rekomandimeve të FATF ishte kushti nr. 4 ndër 15 kushtet e BE-së; raporti i Këshillit të Europës (MONEYVAL, prill 2021) për këto çështje konkludoi se Shqipëria nuk kishte bërë progres real).
Rasti i Maltës, anëtare në BE që nga v. 2004, me sistem demokratik prej gjysëm shekulli e me institucione te formuara gjatë qeverisjes koloniale britanike, është tipik e i freskët në dëshminë e tij se në rruzullin tokësor nuk ka parajsë të garantuar. Është në dorë të njerëzve të ndërtojnë një të tillë (të ngjashme deri diku me atë qiellore) dhe po në dorë të tyre t’a shkatërrojnë atë më pas. Malta, nën qeverinë Laburiste (2013 deri sot), ka patur skandale korrupsioni të jashtëzakonshëm dhe pa precedent me përfshirjen e niveleve më të larta të qeverisë; për të heshtur ata që denonconin u organizua edhe vrasja e gazetares investigative Daphne Caruana-Galizia. Përpjekja ngulmuese shumëvjeçare e shoqërisë civile dhe e opozitës malteze por edhe trysnia e ndihma e institucioneve europiane dhe e FBI-së amerikane mundësuan zbulimin e gjykimin e autorëve e porositësve të vrasjes; këta të fundit me poste qeveritare. Në vijim edhe kryeministri dha vjet dorëheqjen nga qeveria e partia dhe u zëvendësua në të dy postet nga një socialist (laburist) tjetër. Kryeministri i ri premtoi reforma për pavarësinë e policisë e prokurorinë sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ndryshoi legjislacionin në përputhje me të. Por ai nuk arriti dot në kohë të parandalojë listën gri nga FATF, që përmendëm më lart, e që pritet t’i sjellë dëme dramatike ekonomisë malteze veçanërisht sektorit bankar e atij të shërbimeve financiare.
Edhe ky rast tregon se gjerat mund të shkojnë për dreq edhe në shtete brenda Bashkimit Europian. Por mund edhe të korrigjohen e drejtohen, qoftë edhe pjesërisht, nëse ka vullnet brenda vendit dhe nëse Europa nuk rri indiferente.
3-Udhëtimi është më i rëndësishëm se destinacioni
Shembulli i Maltës por edhe i shteteve të tjera problematike në BE e në Ballkan shërben për një reflektim jo konvencional për natyrën e dobinë e integrimit europian. Pas çdo samiti europian ku nuk merret dot vendim për çeljen e negociatave me Tiranën e Shkupin (ka patur nja katër të tilla në këto tre vite) shungullojnë ankesa patetike dhe alarme eskatologjike nga politikanë e OJF europiano-ballkanase për gabimin historik, shansin e humbur e kredibilitetin europian të dëmtuar. Një pjesë e mirë syresh janë të sinqerta e dashamirëse. Por sado pozitive të jenë nuk i japin dot përgjigje direkte e të shkoqur pyetjes se çfarë mund të bëjë procesi i negociatave kapitull mbas kapitulli që proçesi para tij i përmbushjes së prioriteteve e kushteve nuk arriti të bënte.
Ne biem kollaj dakord se avancimi drejt anëtarësisë në BE është pozitiv në vetvete dhe se çelja e negociatave është e mirëpritur. Por një çështje më e rëndësishme është se sa do të ndihmojë faza e negociatave në problemin më të madh që kemi e që quhet shtet-kapje më shumë sesa ndihmoi faza e mëparshme e 15 kushteve të marsit 2020? Gjate kësaj faze të fundit ne pamë që kryeministri mohonte sheshit ekzistencën e 15 kushteve dhe fajësonte kot më kot Unionin për çdo gjë nga negociatat tek vaksinimi dhe që në fund të ditës përmbushja e kushteve u interpretua me “zemërgjerësi” nga shumëkush në BE. Gjatë kësaj faze nuk pati përparim real me ç-shtetkapjen, vetëm skandale të reja që si përherë jo vetëm nuk hetohen nga prokuroria e dënohen publikisht nga qeveria por madje justifikohen nga kjo e fundit. Në këto rrethana do të nevojitet një shpjegim bindës pse faza tjetër, ajo e negociatave, do të jetë më efektive në këtë drejtim.
Po ashtu ata që kritikojnë samitet e BE-së pa çelje negociatash thonë se nuk duhet humbur “momentum”-i (në shqip: vrulli ose hovi i lëvizjes) aktual me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por ky do të ishte një moment i vetëm që do të pasohej nga vite të gjata negociatash duke lënë të paqartë se si do të ruhej “momentum”-i gjatë gjithë kesaj kohe. Një shembull jo pozitiv na e japin rastet e Malit të Zi e Serbisë që çelën negociatat përkatesisht në v. 2012 e 2014. Në rastin e parë kishim të bënim me një shtet me parti shtet që nuk kish dalë në opozitë prej dekadash. Në rastin e dytë standartet e demokracisë u përkeqësuan në çdo aspekt deri sa sot kemi një parlament monist. Kjo situatë natyrisht është përgjegjësi e shoqërive vendase. Por edhe proçesi, fillimisht shpresëdhënës, i negociatave tregoi kufijtë e vet.
Prandaj, duke perifrazuar John Kenedin, sot ndoshta lipset të themi: Mos pyet a vjen demokracia nga Europa por pyet çfarë ndihme konkrete vjen nga negociatat?
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
29 qershor 2021

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY