Nga Merxhan Daci
Redaktuar dhe konsultuar nga Sami Nezaj, videoeditor Daniel Mucaku
Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Evropës në rezerva hidrokarbure. Shfrytëzimi i naftës ka nisur që në fillimet e shekullit të 20 dhe pika kulminante e shfrytëzimit arriti në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës bruto arriti nivelin e 2,5 milionë ton naftë në vit. Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17,8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5,4 miliardë fuçi naftë.
Sektori i naftës ka qenë gjithmonë një sektor i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. Vendburimet e naftës në Shqipëri ndodhen kryesisht në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të vendit.
Sipas disa studimeve të kryera nga Albetrol por jo vetëm, nga vitit 1985 deri në vitin 1990 rezervat e naftës në vendburimet ekzistuese në Shqipëri ishin në total rreth 437.6 milionë ton.
Momentalisht Shteti shqiptar merr pjesë në industrinë e naftës dhe gazit nëpërmjet Albpetrol Sh.a, ndërmarrja shtetërore e naftës e angazhuar në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës bruto dhe gazit. Albpetrol u themelua në 20 mars të vitit 1993. Që prej themelimit, shteti i dha kompanisë administrimin e të gjitha fushave të naftës ekzistuese në Shqipëri dhe disa blloqe kërkimi, për të lejuar Albpetrol të vazhdonte operacionet e saj të kërkimit dhe prodhimit të naftës, por edhe zbatimin e tekonologjive modern për nxjerrjen e naftës nga nëntoka.
Numri i punonjësve të kompanisë deri në 31 dhjetor të vitit 2018 ishte 1803.
Raporti i Deloitte Albania nxorri disa parregullsi e dha rekomandime, por a u mor parasysh?
Në maj të vitit 2018, kompania e njohur auditimit Deloitte Albania bëri një studim për tregtimin e naftës bruto në Shqipëri dhe gjeti disa parregullsi në mënyrën se si Albpetrol operon. Për disa prej tyre kompania ka dhënë rekomandime që Albpetrol të përmirësojë punën e tij.
Albpetrol zakonisht nënshkruan një deri në dy kontrata për tregtimin e naftës gjatë vitit. Cmimi i ofertës fituese të ankandit bëhet publik ndërsa kushtet e plota të kontratës nuk bëhen publike. Deloitte ka rekomanduar që Albpetrol ti bëjë publike kushtet e plota të kontratës, për të përmirësuar kuptueshmërinë e këtyre transaksioneve dhe për të lejuar publikun që të bëjë një krahasim se si zbatohen dispozitat e akteve rregullatore. Ekonomisti Panajot Soko i tha Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë se është e rëndësishme që të gjendet një ekuilibër mes transparencës së domosdoshme për publikun dhe sekretit tregtar.
“Transparenca është e domosdoshme për mbajtjen të informuar të publikut, pasi nafta është pasuri e publikut dhe ai duhet të dijë se cfarë bëhet me të. Sekreti tregtar i disa termave të kontratës, nga krahu tjeter, është i rëndësishëm për ta ruajtur kontratën nga sabotimet e mundshme që mund t’i bëhen nga konkurenca”, tha Soko.
Ndër të tjera, Albpetrol nuk i ka bërë publike pagesat e marra nga tregtia e naftës bruto deri tani. Rekomandimi i Deloitte ka qenë që kompania të bëjë publike shumën e pagesës, monedhën dhe datën e pagesës bashkëngjitur në cdo faturë.
Albpetrolit i është rekomanduar të bëjë publike rakordimet periodike të shitjeve dhe faturave me kontraktorët e saj.
Sipas ekonomistit Soko, patjetër që cdo komponent i ekzekutimit, pas ekzekutimit, duhet të jetë subjekt i transparencës. Sipas tij nuk ka asnjë arsye pse të mos publikohen të dhënat e ekzekutimit.
“Nëse nuk publikohen të plota dhe të qarta, dyshimi për një aktivitet abuzues është mëse i justifikuar”, tha ai.
Cmimi fitues i ankandit gjatë viteve ka qenë shumë afër cmimit dysheme. Kjo duket se lidhet me numrin e kufizuar të pjesëmarrësve në ankandin e Albpetrol.
Në përputhje me aktet rregullatore, cmimi përfundimtar i shitjes përcaktohet duke iu referuar cmimit Brent, të botuar nga Platts European Market scan, në fuqi në datën e pagesës. Cmimi përfundimtar duhet të jetë i njohur për Albpetrolin përpara shitjes aktuale. Për shkak të kufizimit të aksesit në informacionin e përditshëm të cmimeve Brent, Albpetrol fillimisht lëshon faturën duke përdorur një cmim të përafërt dhe pastaj rregullon faturën kur cmimi përfundimtar është në dispozicion në buletinin e APP.
Kjo sipas studimit tregon se Albpetrol ka vështirësi të tërheqë blerës në procesin e tenderimit të naftës. Katër ofertat e fundit iu dhanë aplikantit të vetëm pjesëmarrës. Cmimi fitues ishte i barabartë ose pothuajse i barabartë me cmimin dysheme të ankandit. Albpetrol për këtë rast komentoi se kjo është për shkak të kapaciteteve të kufizuara të rafinimit në shtetin shqiptar. Për shkak të vëllimeve të ulta të shitjeve, ankandet nuk po i tërheqin tregtarët.
Sipas ekonomistit Panajot Soko, ka dy arsye kryesore pse ankandet e Albetrol nuk po tërheqin blerës:
“E para, humbja e industrise rafinuese. Nafta e blerë nga Albpetroli duhet të eksportohet jashtë që të rafinohet, kjo do të thotë shumë kosto shtesë dhe pak interes.
E dyta është fakti që mënyra sesi Albpetrol operon, është shumë burokratike dhe aspak elastike. Ka shume kufizime, mungese hapësire për manovra tregu, ka rregullime të forta të aktivitetit të tij, c’ka e bën jo atraktiv në sytë e partnerëve tregtarë. Tregu kërkon dinamizëm, zhdërvjellësi në operacione, nuk mund te presë sa të dalë VKM-ja, Urdhri i Ministrit, apo Fletorja Zyrtare. Ndërmarrjet shtetërore, nëse do të duan të mbijetojnë në këtë ritëm dinamizmi, do të duhet patjetër të kenë të njëjtin fleksibilitet, elasticitet apo shpejtësi reagimi njelloj si ndermarrjet private, përndryshe do të mbeten aty si relike të kushtueshme. Dhe këte po e shohim me Albpetrolin sot, që për hir të burokracive rregullatore, ka mbetur një kompani që partneret nuk duan të kenë të bëjnë me të. Kjo duhet ndryshuar, duhet ndryshuar mendësia”.
Ndër të tjera, kompania nuk mbledh të dhëna mbi destinacionin e naftës. Albpetrol sipas Deloitte duhet tu kërkojë kontraktorëve të tij të bëjnë publike synimin e përdorimit të naftës dhe të japin informacion mbi vëllimet sipas destinacionit dhe shfrytëzimit të mëpasshëm.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë e pyeti zyrtarisht kompaninë Albpetrol nëse ka reflektuar për sa i përket gjetjeve të studimit të Deloitte:
Përgjigja:
Se pari Shoqëria Albpetrol sh.a. nuk eshte njohur me studimin e Deloitte Albania per vitin 2018 mbi tregtimin e naftes bruto dhe gjithashtu nga ana e shoqerise tone nuk eshte administruar ndonje raport i shoqeruar me rekomandime te cilat do te duhej qe te mereshin parasysh nga ana jone.
Duke qene shoqeri shteterore dhe te ardhurat jane publike, te gjitha llojet e transaksioneve (ku perfshihen shitjet dhe blerjet) i nenshtrohen ligjit nr. 9643 date 20.11.2016 “Per prokurimin publik” me ndryshimet perkatese si dhe ligjit nr. 9874 date 14.12.2008 “Per ankandin publik” me ndryshimet perkatese. Bazuar ketij kuadri ligjor te gjitha transaksinet e Albpetrol sh.a. jane te publikuara ne faqen zyrtare te Agjencise te Prokurimit Publik.
Lidhur me shitjen e naftes brut ju informojme se Albpetrol sh.a. ka nje kuader ligjor specifik per shitjen e ketij produkti i cili eshte Urdhëri nr. 83 datë 10.02.2012 (Per rregullat dhe procedurat e shitjes te produkteve hidrokarbure) i METE (i ndryshuar). Bazuar ne kete urdher e gjithe procedura qe ndiqet nga Albpetrol sh.a. ne shitjen e naftes brut eshte trasparente. Albpetrol sh.a. ben publike ne faqen e tij zyrtare “Albpetrol.al.” ne faqen e M.I.E. ne dy gazeta kombetare dhe nje gazete te huaj qe ne fillim sasine e naftes qe del per tu shitur, menyren e llogaritjes se cmimit sipas BRENT, pikat e levrimit te mallit si dhe kohezgjatjen e kontrates te shitjes. Kete informacion mund ta marre cdo subjekt i cili eshte i interesuar per te mare pjese ne procedurat e ankandit qe do te zhvillohet.
Nga ana jone nuk bejme asnje publikim fature, mbeshtetur ne Urdherin 83 te MIE nga ana e Albpetrolit behet njoftimi per cdo shitje me dite dhe kujt kontraktori i perket ( sasia,cm vlera ,TVSH dhe totali i shitjes) per MIE,AKBN dhe ISHT.
Ne faqen e Albpetrolit si dhe ne MIE eshte e publikuar njoftimi i fituesit.
Cfarë kanë gjetur auditimet e KLSH për Albpetrolin
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë disa auditime në kompaninë Albpetrol ndër vite.
Raporti më i fundit, ai i vitit 2019 i Kontrollit të Lartë të Shtetit për kompaninë Albpetrol ka gjetur disa parregullsi.
Janë konstatuar mangësi në përcaktimin e çmimit të kontratave të gazit, të azhurnuara në kontratat përkatëse, me dëm ekonomik me vlerë 10.8 milionë lekë. Është konstatuar humbje asetesh me vlerë 65.6 milionë lekë, nga procesi i transferimit të të drejtave dhe detyrimeve në zona në marrëveshje hidrokarbure. Janë konstatuar mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit me vlerë 2.5 milionë lekë.
Ndër të tjera, si pasojë e largimeve nga puna pa shkaqe të përligjura, Albpetrol SHA është ndëshkuar me vlerë 99.6 milionë lekë, nga procese gjyqësore të humbura. Shoqëria Albpetrol SHA ka rezultuar me punonjës mbi strukturën e miratuar, duke shkaktuar efekt negativ financiar me vlerë 13.6 milionë lekë.
Shtuar kësaj, janë blerë programe kompjuterike për menaxhimin e magazinave, programe të cilat nuk janë vënë në funksionim, duke përdorur fonde pa efektivitet me vlerë 19.5 milionë lekë.
Sa i përket punës me kontraktorët, për zonën Patos-Marinëz, bazuar në të dhënat në dispozicion, për periudhën e zbatimit të marrëveshjes hidrokarbure janë krijuar detyrime duke filluar nga viti 2011. Bazuar në çmimet e shitjes së naftës nga Kontraktori dhe çmimet e shitjes në momentin e likuidimit të këtyre sasive, Albpetrol SHA, ka pësuar humbje me vlerë 6,6 milionë dollarë. Edhe në marrëveshje të tjera kontraktorët kanë krijuar detyrime ndaj Albpetrol për sasinë e naftës bruto nga ndarja e prodhimit.
Një auditim i kryer nga KLSH në vitet 2015-2016 Albpetrol ka konstatuar se kjo kompani shtetërore i ka shkaktuar arkës së shtetit një dëm prej afro 150 milionë dollarësh, 30 milionë prej të cilave nga ARMO.
Raporti shprehet se pavarësisht se ARMO i është rikthyer punës në vitin 2016, Albpetrol nuk ka arkëtuar prej saj një borxh prej më shumë se 3 miliardë lekësh.
“Megjithëse uzina e përpunimit të thellë të naftës prone e ARMO sha është vënë në punë (kjo e konfirmuar dhe nëpërmjet mediave), Albpetrol SHA nuk ka kryer asnjë veprim arkëtimin e detyrimeve të mësipërme”, thekson KLSH në raportin përfundimtar.
Nga auditimi ka rezultuar se Albpetrol SHA ka shkaktuar një dëm total ekonomik në vlerën 15,1 miliardë lekë dhe një efekt financiar negativ në vlerën 3 miliardë.
Sipas KLSH, dëmi kryesor është shkaktuar në zbatimin e kontratave të marrëveshjeve hidrokarbure me vlerë 14 miliardë lekë, nga të cilat:
Detyrime të kontraktorëve për naftën bruto pjesë e Albpetrol nga ndarja e prodhimit me vlerë 6,7 miliardë lekë; Diferenca të prodhimit të naftës bruto rezultuar nga testimi i prodhimit të puseve me vlerë 4,2 miliardë lekë dhe shpenzime të përfshira në kostot hidrokarbure me vlerë 2,7 miliardë lekë.
Vetëm nga manipulimet me çmimet e transportit, sipas KLSH është shkaktuar një prej 700 milionë lekësh.
Ndërsa Diferenca e krijuar nga vlera shitjes në ankande të naftës bruto pjesë e Albpetrol nga detyrimet e kontraktorëve, krahasuar me çmimin e naftës bruto në momentin e krijimit të detyrimeve arrin në 700 milionë lekë.
Po ashtu, në fushën e pagave dhe shpërblimeve me rezulton një dëm prej 89,5 milionë lekësh.
Dëmi ekonomik
– Në zbatimin e kontratave të marrëveshjeve hidrokarbure me vlerë 14,956,009 mijë lekë, nga të cilat:
-Detyrime të kontraktorëve për naftën brut pjesë e Albpetrol nga ndarja e prodhimit me vlerë 6,706,916 mijë lekë.
-Diferenca të prodhimit të naftës brut rezultuar nga testimi i prodhimit të puseve me vlerë 4,245,693 mijë lekë.
– Shpenzime të përfshira në kostot hidrokarbure në kundërshtim me përcaktimet e marrëveshjeve hidrokarbure, me vlerë 2,780,252 mijë lekë.
-Diferencë transporti me çmime shumë më të larta se tregu me vlerë 796,043 mijë lekë.
-Diferencë e krijuar nga vlera shitjes në ankande të naftës brut pjesë e Albpetrol nga detyrimet e kontraktorëve, krahasuar me çmimin e naftës brut në momentin e krijimit të detyrimeve, me vlerë 427,105 mijë lekë.
- Në fushën e pagave dhe shpërblimeve me vlerë 89,576 mijë lekë.
- Në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave me vlerë 60,157 mijë lekë.
- Firo transporti me vlerë 2,676 mijë lekë.
Efekti Financiar Negativ
- Diferencë e detyrimeve të shoqërisë në divident nga mos pasqyrimi i saktë i rezultatit financiar të shoqërisë me vlerë 1,788,727 mijë lekë.
- Kamatëvonesa të likuiduara për mosshlyerjen në kohë të energjisë elektrike me vlerë 564,402 mijë lekë.
- Detyrime të krijuara nga shoqëria për furnitorët me vlerë 644,031 mijë lekë.
- Pagesa për shpërblime grupe pune me vlerë 11,496 mijë lekë.
- Në zbatimin e procedurave të prokurimit me vlerë 2,176 mijë lekë.
A ka mbajtur njeri përgjegjësi ligjore për Albpetrolin?
Në dhjetë vitet e fundit kompania Albpetrol ka pasur disa administratorë.
Mbi gjysma e tyre kanë qenë ose të akuzuar ose të kallëzuar për shkelje dhe abuzime. Le të bëjmë një retrospektivë të administratorëve nga viti 2010 deri në vitin 2020:
2010- Ferdinand Murati– I kallëzuar penalisht nga vetë Albpetroli
2013- Endri Puka-Vënë nën hetim nga prokuroria
2016- ri-emërimi i administratorit Endri Puka
2018- Kastriot Bejtaj– Shkarkuar nga ministrja Balluku
2019- Dritan Spahiu– Kërkuar nga KLSH që të shkarkohej
30.09.2019- Eriola Muka– E thirrur në prokurori për pesë akuza
06.05.2020- Genti Gazheli
28.09.2020- Baftjar Zeqaj
Albpetroli mbahet si një histori jo-transparente parregullsishë, abuzimesh dhe akuzash të rënda për shpërdorim të një nga pasurive më të mëdha që ka Shqipëria, nafta dhe gazi.
Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe partnerëve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/