LUÇIANO BOÇI/ Transporti është e ardhmja

LUÇIANO BOÇI/ Transporti është e ardhmja

169
0
Shares

Nga Luçiano Boçi

Debati për transportin në Shqipëri të kujton paksa atë dilemën “veza pulën apo pula vezën?”… Elbasani në fakt i ka të dyja.

Transporti ka lidhje me prodhimet e një vendi dhe me logjikën e mallrave që jo vetëm vijnë, por edhe nisen prej aty. Çmimi i transportit detar nga porti i Durrësit është gati dy herë më i lartë sesa ai që ofrojnë portet italiane në bregun tjetër të Adriatikut. Kjo sepse nga portet italiane thirrjet dalëse për anije janë më të larta se thirrjet hyrëse.

E njëjta ka qenë situata me hekurudhën shqiptare. Nëse hekurudhës i heq shërbimet për industrinë – transporti i udhëtarëve nuk është i përballueshëm. Dhe në të gjithë botën ai subvencionohet – nga ekonomia e transportit të mallrave. Rrjeti hekurudhor shqiptar me një linjë të vetme dhe me një trase që nuk përballon shpejtësi mbi 45k/orë është jashtë parametrave të tregut. Projekti i Bankës Botërore për rehabilitimin e pjesshëm të hekurudhës ka pesë vjet që pret qeverinë Rama të zgjohet.

Rrjeti rrugor njohu një rritje të konsiderueshme falë filozofisë së qeverisë Berisha për t’i dhënë vendit një infrastrukturë të ripërtërisë sipas standarteve të shek.21-të. Rikonceptimi i transportit mbi një logjikë inter-modale është sot i domosdoshëm dhe investimet tona në transport duhet të reflektojnë qoftë kujtesën historike të zhvillimit, ashtu edhe prirjet e reja të tregjeve të sotme.

Shqipëria mesjetare ka pasur një peshë tjetër në ekonominë e rajonit dhe të Europës, përsa kohë Venecia ishte porti më i rëndësishëm për mallrat që arrinin Europën Qëndrore, atë Perëndimore dhe Veriore nga lindja. Lidhja me portet e Venedigut ishte dhe mbetet rruga më e shkurtër për të arritur rajonet europiane. Vlen të kujtohet se Elbasani ka shkëlqyer kur rruga Egnatia ishte në ditët e saj më të lumtura. Sot kjo arterie europiane është lënë në harresë nga administrata shqiptare.
Rikompozimi i rrjetave të transportit kërkon një real-politikë në rrafshet e diplomacisë ekonomike – qoftë në nivel rajonal, ashtu edhe europian. Këtë mund ta bëjë vetëm një forcë politike që i shërben integrimit – me vizionin e ngritjes ekonomike të shqiptarëve.

Sot që flasim, Shqipëria vlen si korridor vetëm për drogën e qeverisë. Jo rastësisht partnerët e saj nga segmentet më të errët të krimit të organizuar u shfaqën si investitorë në bashkinë e Tiranës. Jo rastësisht persona të huaj me dosje kriminale po kërkojnë tanimë të marrin karta identeti shqiptar për të lëvizur lirisht atje ku ata kërkohen për krime. Ne nuk jemi Korridor i krimit.
Shqipëria duhet të përmbysë këtë logjikë që I shërben vetëm xhepit të pak njerëzve, ndërsa shkatërron fatet e miliona të tjerëve.

Transporti është sektor që rritet bashkë me industritë e tjera si një parametër që mbështet zhvillimin – duke e pararendur atë.

Ngjitja më në veri e portit të Durrësit për ta kthyer portin qytets në një port jahtesh mund të mos jetë ideja më e mirë – edhepse interesi i investitorit në këtë rast ka qenë Ndërtimi. Ne mirëpresim investitorët – por së pari favorizojmë shqiptarët dhe zhvillimin e tyre.

Për të mbështetur modernizimin e strukturave të transportit Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë institucionale dhe kompaktësim të shërbimeve që ulin burokracinë dhe presionin korruptiv. Në portet shqiptare sot një kontainer mallrash nga kalata deri në dalje të portit, duhet të ndalet 6 herë në 6 polici të ndryshme. Socialistët e Ramës nuk e kanë seriozisht kur flasin për transportin!

Një kontainer në Singapor apo në Dubai përpunohet për 9 – 20 sekonda. A e arrijmë ne dot këtë standard? Sot mbi 270 mijë trailera udhëtojnë me det nga Turqia deri në Venecia – ndërsa shoferët e tyre i arrijnë kamionët në port nga ajri, duke fluturuar. A e zhvendosim ne dot këtë transport nëpërmes Shqipërisë?!

Sot Serbia shërbehet kryesisht nga porti i Tivarit (Bar) dhe nga rrjeti i saj hekurudhor. Jemi vetëm 570km larg kufirit rumun – vendit lider në rajon për eksporte. Kemi mundësinë të jemi një nyje përpunimi për një mori mallrash që importohen për Europën Juglindore – nëse duam që të krijojmë një industri mbështetëse.

E gjithë kjo panoramë ka vetëm një përgjigje: le të nisim së bashku udhëtimin tonë! Transporti do të na bëjë rrugë për të gjetur zgjidhjet më të mira për të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm. Ri-integrimet ekonomike kërkojnë atë që fshihet në zgjidhjet e këtij sektori parësor.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY