NAMIR LAPARDHAJA/ Iliaz Vrioni – Firmëtari i Pavarësisë që u flak në...

NAMIR LAPARDHAJA/ Iliaz Vrioni – Firmëtari i Pavarësisë që u flak në Osum

109
0
Shares

Mëngjesi i 27 nëntorit 1912 e gjeti Beratin me një të ftohtë të ëmbël. Dielli kishte nisur rrezëllitjen mbi Tomor dhe i shpërhapte ato njëtrajtshëm ndanë qytetit. Në dritaren e Bashkisë u shfaq kryetari, Iliaz Vrioni, me flamurin kombëtar në dorë. Pak më tej, flamuri kuqezi u ngrit në godinën e Prefekturës. Berati po shpallte mëvetësinë. Pas ceremonisë zyrtare dhe fjalëve të rastit, Beu zhvilloi pritjen e zakonshme në selamllëkun e sarajeve të tij, duke nisur pak orë më vonë, hipur në pajtonin luksoz, udhëtimin drejt Vlorës. Ndalesa e parë do të bëhej në sarajet e vrionasve në Fier, për të mbërritur të nesërmen në qytetin bregdetar, ku së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Prefekturës, Hajredin Be Cakranin, Xhelal Be Skraparin, Dudë Karbunarën, Taq Tutulanin, Sami Be Vrionin, do të hidhte firmën mbi Aktin e Pavarësisë.

Për nga rëndësia, pasardhësi i derës së madhe, në mbledhjen e pestë të Kuvendit të Vlorës, u votua, thuajse, në mënyrë unanime, për të qenë anëtar i Pleqësisë, kurse me pëlqimin e vetë Ismail Qemalit u emërua këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ndonëse 30 vjeç, Iliaz Vrioni kishte mbajtur gjatë asaj kohe postin e kryetarit të bashkisë, për t’i hapur më pas rrugë zgjedhjeve lokale, për shkak të angazhimeve të reja shtetërore.
Ngjarjet që ndodhën në Shqipëri midis viteve 1912-1920 janë shtatzënë me zhvillime. Ato janë vite të mishërimit të absurditetit, të pakuptimësisë dhe të përçartjes. Herë të stisura së brendshmi, herë të mbarsura nga jashtë, ato rrodhën natyrshëm për nëpunësin e ri të shtetit shqiptar, i cili është gjithmonë në anën e kombëtaristëve, si shërbëtor i paepur i çështjes kombëtare, në vazhdën e traditës familjare.
Dhe dielli lind përsëri. Këtë radhë në Lushnje, ku më 21 janar 1920, ora 10 e paradites, çel punimet Kongresi më i rëndësishëm i shtetformimit shqiptar. Iliaz Beu është një ndër delegatët kryesorë. Ai propozohet për të qenë pjesë e kabinetit të Sulejman Delvinës, por “Ilias Bej Vrioni për shkaqe të veçanta nuk e pranoj”. Pa mbushur një vit, qeveria jep dorëheqjen. Një kabinet i ri, me figura të pranuara, të dalluara për urtësi dhe profil qytetar, ishte domosdoshmëri. Ai që kishte refuzuar pjesëmarrjen, do të pranojë këtë radhë të formojë qeverinë. Është 38 vjeç. Në kulmin e pjekurisë politike. Urtësia e beratasit dhe shkollimi në zemrën e Perandorisë Osmane po e ndihmonin për konsolidimin e pozitës politike. Sfida e parë me të cilën përballet është ruajtja e pavarësisë dhe forcimi i shtetit të brishtë shqiptar. Veç postit të Kryeministrit, mban edhe atë Ministrit të Punëve të Jashtme. Diplomati i ri do të përfaqësonte vendin në Lidhjen e Kombeve.
Vitet ’20-’24 rrjedhin shumë shpejt. Përplasje politike për pushtet. Kulmi arrihet në ’24, ku qeveria legjitime, e dalë nga zgjedhjet, rrëzohet me anë të një grushti shteti që zgjat pak kohë. Pas triumfit të legalitetit, për shkak të një simpatie personale që gëzonte tek Ahmet Zogu, e cila shoqërohej ndonjëherë nga një xhelozi e pajustifikuar, Iliaz Vrioni është sërish në qendër të zhvillimeve. Atë do ta shohim si kryeministër, ministër të Jashtëm, përfaqësues të Shqipërisë në Francë dhe vende të tjera. Ashtu siç do të shprehej vite më vonë Jusuf Vrioni, babai kishte ditur gjithmonë të tregohej i urtë, i matur dhe i arsyeshëm, duke e trajtuar mjaft njerëzisht dhe ndihmuar me mënyra të ndryshme opozitën antizogiste të mërgimit, prej një pjese të së cilës ishte dënuar dikur me vdekje. Ishte kjo një traditë e vjetër familjare, dera e së cilës kishte qenë përherë e hapur për vizitorët dhe udhëtarët. Miq të ftuar dhe të paftuar bujtnin në selamllëkun e Beut, ku u rezervohej pritje e veçantë, karakterizuar nga nderimet e rastit.
Më 17 mars 1932, ndërsa shërbente në Paris si ministër Fuqiplotë, zemra e Iliaz Vrionit pushoi së rrahuri nga infarkti i miokardit. Ambasadori i shtetit shqiptar do të mbyllte sytë përgjithmonë në moshën 50-vjeçare. Shteti francez i kreu të gjithë nderimet e rastit. Xhenazeja e tij u fal në xhaminë e madhe të Parisit, arkivoli u mbulua me flamurin shqiptar, ndërsa kortezhi mortor e shoqëroi trupin e pajetë në shtratin e topit. Ai u përcoll me të gjithë nderimet për në qytetin e tij të lindjes, ku populli beratas doli dhe e priti me mirënjohje të veçantë. Flamujt në institucionet lokale u ulën në gjysmështizë, imamët e xhamive kënduan salla për hir të shpirtit të tij, ndërsa kambanat e kishave gjëmuan në shenjë respekti. Në qendër të qytetit, në pjesën veriore të Xhamisë së Plumbit, u ndërtua Mauzoleu ku do të prehej trupi i Iliaz Beut. Ndonëse Beu i madh u përcoll për në udhëtimin e amshuar, në këtejbotë jeta vijoi rrjedhën.
Derisa në vitin 1946, vetëm pak kohë pasi komunistët kishin ardhur në pushtet, një turmë e vuvët e harlisur, e ushqyer me urrejtjen klasore dhe e mbrujtur me filozofinë djallëzore, iu turr ndërtesës-varr të Iliaz Vrionit, shpërtheu sarkofagun, mori trupin e pajetë të të ndjerit dhe e hodhën në Osum.
Shqipëria po futej në një qorrsokak të mynxyrshëm, në një ëndërr të keqe, ku nata do të hidhte pelerinën e zezë për 45 vjet dhe ku Zoti do të zëvendësohej nga një besim i ri, pjesëtarëve të të cilit, kur u kërkohej, nuk kursenin as eshtrat e të vdekurve. Qoftë edhe kur bëhej fjalë për Iliaz Vrionin, vdekur katërmbëdhjetë vjet më parë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY