Kim Jong Un ekzekuton dy persona, mbyll Phenianin për shkak të COVID-it

Kim Jong Un ekzekuton dy persona, mbyll Phenianin për shkak të COVID-it

75
0
Shares

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka urdhëruar ekzekutimin e të paktën dy personave, ka ndaluar peshkimin në det dhe ka mbyllur kryeqytetin, Phenian, si pjesë e përpjekjeve intensive për t’u mbrojtur nga koronavirusi dhe nga dëmi i tij ekonomik, u tha të premten ligjvënësve në Seul agjencia koreanojugore e zbulimit.

Qeveria e Kim Jong Un-it ka urdhëruar gjithashtu diplomatët jashtë vendit të frenohen nga çdo veprim që mund të provokojë Shtetet e Bashkuara sepse është i shqetësuar për qasjen e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden ndaj Koresë së Veriut, u thanë gazetarëve ligjvënësit që morën pjesë në një konferencë private të Shërbimit Kombëtar të Zbulimit.

Njëri nga ligjvënësit, Ha Tae-keung, citoi shërbimin e zbulimit të thoshte se Kim po shfaq “zemërim të tepruar” dhe po merr “masa joracionale” mbi pandeminë dhe ndikimin e saj ekonomik.

Sipas tij, muajin e kaluar Koreja e Veriut ekzekutoi në Phenian një kambist të profilit të lartë pasi e akuzoi atë si përgjegjës për një rënie të kursit të këmbimit. Sipas shërbimit të zbulimit Koreja e Veriut ekzekutoi gjithashtu një zyrtar kryesor në muajin gusht për shkeljen e rregullave qeveritare që kufizonin mallrat e sjella nga jashtë. Të dy personat nuk janë identifikuar me emër.

Koreja e Veriut gjithashtu ka ndaluar peshkimin dhe prodhimin e kripës në det për të parandaluar infektimin e ujit të detit nga virusi, u tha Shërbimi Kombëtar i Zbulimit ligjvënësve.

Koreja e Veriut kohët e fundit e vendosi Phenianin dhe provincën veriore Jagang nën bllokim për shkak të shqetësimeve për infektime nga virusi. Më parë ai vendosi masa bllokimi në zona të tjera ku zyrtarët gjetën mallra të paautorizuara dhe monedha të huaja, sipas zbulimit.

Koreja e Veriut ka thënë se nuk ka gjetur asnjë rast të vetëm koronavirusi në territorin e saj, një pretendim i vënë në diskutim nga ekspertë të jashtëm. Një shpërthim i madh i COVID-it mund të kishte pasoja mjaft të rënda sepse sistemi i kujdesit shëndetësor në Korenë e Veriut mbetet i gjymtuar dhe vuan nga një mungesë kronike e pajisjeve mjekësore.

Pandemia e detyroi Korenë e Veriut të mbyllte kufirin me Kinën, partneri i saj më i madh tregtar. Mbyllja, së bashku me një seri katastrofash natyrore gjatë verës, i dhanë një goditje të rëndë ekonomisë së Veriut, e cila ka qenë nën ndëshkimin e sanksioneve të drejtuara nga SHBA.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, Koreja e Veriut ka urdhëruar misionet diplomatike jashtë shtetit të mos provokojnë Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar ambasadorët e tyre për pasoja nëse komentet ose veprimet e tyre në lidhje me SHBA shkaktojnë ndonjë problem me Uashingtonin.

Qeveria e Koresë së Veriut ka qëndruar e heshtur për fitoren e zotit Biden në zgjedhje ndaj Presidentit Donald Trump, me të cilin Kim mbajti tre samite në vitet 2018-19 mbi arsenalin bërthamor të Veriut.

Ligjvënësi Kim Byung-kee citoi Shërbimin Kombëtar të Zbulimit të thoshte se Koreja e Veriut po shfaq ankth ndërsa lidhjet e saj miqësore me zotin Trump po bëhen të padobishme dhe ajo duhet të fillojë nga e para për marrëdhënie me administratën e ardhshme Biden. /VOA/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY