Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në të cilën vlerëson angazhimin e tij për të siguruar siç thuhet qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan dhe në botë, ndërsa nënvizon pritjet për forcimin e partneritetin midis dy shteteve.
https://www.facebook.com/538814499513242/posts/3724099874318006/
Letra ndërlidhet me dakordimin për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Ky dakordim përshkoi edhe debatin e sotëm në parlamentin e Kosovës, lidhur me punën 100 ditëshe të qeverisë.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se marrëveshja e katër shtatorit ka hapur mundësi për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ndonëse reagimet ndaj kësaj marrëveshjeje brenda vendit kanë qenë shpeshherë të ashpra, ajo me të drejt është cilësuar marrëveshje historike që mundëson ecjen përpara kah zgjidhja përfundimtare e kontekstit politik në mes të dy vendeve. Unë falënderoj presidentin Trump dhe gjithë administratën amerikane për rolin e jashtëzakonshëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje e cila është një akt i vullnetit tonë të mirë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të dy shteteve sovrane”, tha ai.
Kryeministri Hoti tha se në këto muaj të qeverisjes së tij janë rivendosur marrëdhëniet me shtetet mike, të cilat sipas tij ishin dëmtuar.
“Qeveria ka arritur që brenda këtyre tre muajve të rivendos marrëdhëniet me vendet mike, në rend të parë me SHBA-në dhe me vendet kryesore të BE-së të cilat marrëdhënie ishin lënduar nga qasja e papërgjegjshme e qeverisë së mëparshme”, tha kryeministri Hoti.
Por, dakordimi dhe politika e jashtme e qeverisë u kritikuan nga partitë opozitare. Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kryeministri Hoti lëshoi mundësinë e sigurimit të një marrëveshje që do të ishte në favor të Kosovës.
“Hoqi masat e reciprocitetit si parakusht për të shkuar atje, e çoj (Aleksandër) Vuçiç-in në Shtëpinë e Bardhë, kurrë pa këta (Aleksandër) Vuçiç-i nuk do të kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Hoqi dorë nga njohja reciproke, shkoj por nuk ja arriti ta ndaj Ujmanin me Serbinë, a nuk është kështu? Shkoj ta formoj zonën Novi Sad të cilën e quajtën mini Shengen, shkoj për t’i hap rrugë Serbisë për në Adriatik, shkoj ta zhbënte kufirin shtetëror në pikë kalimi, deshi t’i shkëmbente të pagjeturit me të zhvendosurit dhe si fund u zotua edhe për realizmin e “zajednicës”. Dhe ky erdh këtu dhe na thotë se kjo është sukses dhe fitore për Kosovën, fitore dhe sukses është për dikë por për Kosovën jo”, tha zoti Selimi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se pezullimi një vjeçar i anëtarësimit të vendit në organizata ndërkombëtare mbetet një nga dështimet më të mëdha të qeverisë në 100 ditë të punës së saj.
“Shembull tipik i kësaj është zotimi juaj për pezullimin e agjendës ndërkombëtare të Kosovës për një vit, pra keni hequr dorë nga njohjet, nga anëtarësimet ne organizatat ndërkombëtare, nga përfaqësimi dhe pjesëmarrja në organizata ndërkombëtare, gjë që kushtetuta nuk ta lejon”, tha zoti Tahiri.
Partia Demokratike bëri thirrje që partitë politike në parlament të bëhen bashkë për të çuar vendin në zgjedhje pasi që sipas saj vendi është futur në një ngërç institucional në mungesë të shumicës.
Qeveria e Kosovës përballet me mungesë votash të mjaftueshme në parlament Kosovës për të miratuar ligje, siç është rasti me atë të rimëkëmbjes ekonomike të vendit, i cili për gjashtë herë radhazi ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme. /VOA/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/