Mjeket njoftojne gjendjen shendetesore te Trump, dy pikat e dobeta te Presidentit...

Mjeket njoftojne gjendjen shendetesore te Trump, dy pikat e dobeta te Presidentit ne perballjen me Covid

172
0
Shares

Një grup mjekësh që po trajtojnë Presidentin Donald Trump, i cili është infektuar nga COVID-19, dhanë një vlerësim optimist të shtunën rreth gjendjes së tij shëndetësore.

Këtë mëngjes gjendja shëndetësore e Presidentit është shumë e mirë“, u tha mjeku i tij, Sean Conley gazetarëve të shtunën në mesditë gjatë në konference në pjesën e përparme të Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”.

Ndërkohë shefi i Stafit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se “organet jetësore të Presidentit gjatë 24 orëve të fundit ishin shumë shqetësuese dhe se 48 orët e ardhshme do të jenë kritike për sa i përket kujdesit ndaj tij”. Ai shtoi se: “Nuk jemi ende në një rrugë të qartë drejt rimëkëmbjes së plotë“.

Mjeku personal i presidentit, Sean Conley tha se aktualisht ai dhe ekipi i mjekëve që po e trajtojnë zotin Trump, janë jashtëzakonisht të lumtur me progresin që ka shënuar gjendja shëndetësore e tij.

Mjeku tha se ishte e paqartë se edhe për sa kohë do të duhet që presidenti të qëndrojë në spital dhe se ai aktualisht nuk po merrte oksigjen. Zoti Conley nuk u përgjigj pyetjes nëse në ndonjë rast zoti Trump kishte marrë oksigjen për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Zoti Conley tha gjithashtu se ishte ai që kishte rekomanduar që zoti Trump të shtrohej në spital, kjo si masë paraprake për të parandalur cdo ndërlikim.

Aktualisht ekipi dhe unë jemi jashtëzakonisht të kënaqur me përparimin e gjendjes shëndetësore të presidentit. Të enjten, ai kishte një kollë të lehtë, rrjedhje të lehtë hundësh e lodhje, të gjitha këto akualisht po përmirësohen“, u tha zoti Conley gazetarëve gjatë një komunikimi me ta në ambjentet jashtë spitalit.

Ne po e monitorojmë atë nga afër për ndërlikime ose nga sëmundja e koronavirusit ose terapitë që po kryejmë për ta bërë atë të ndihet më të mirë”, tha doktor Sean Dooley.

Ai është në humor jashtëzakonisht të mirë” shtoi ai, duke shpjeguar se kur ekipi i mjekëve përfundoi vizitën të shtunën në mëngjes, presidenti u kishte thënë se: “E ndjej se jam në gjendje të dal prej këtej, që sot“.

Ekipi i mjekëve nuk pranoi të hynte në detaje mbi diagnozën e presidentit në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Zoti Conley tha se presidenti Trump po kryente çdo ditë ekzaminime, por kur u pyet nëse ishte vënë re ndonjë dëmtim mushkërish, ai nuk pranoi të “hynte në specifika rreth gjetjeve”.

Ekipi i mjekëve vuri në dukje se dita e shtatë deri në atë të 10-të janë më shqetësueset për pacientët me koronavirus.

Menjëherë pas konferencës për shtyp zoti Trump shkruante në Twitter se “Mjekët, infermierët, të gjithë në Qendrën madhështore Mjekësore Walter Reed si dhe të tjerë nga institucionet të ngjashme, janë të jashtëzakonshëm“.

Të premten vonë në mbrëmje Presidenti Donald Trump, i cili është shtruar në spital për shkak të infektimit nga COVID-19, në një postim në Twitter shkruante, “Mendoj se po shkon mirë! Faleminderit të gjithëve”, u shpreh Presidenti Trump ndërsa shprehu mirënjohje.

Mjeku i presidentit Sean Conley tha të premten në mbrëmje se: “Jam i lumtur të raportoj se Presidenti është shumë mirë. Nuk është e nevojshme t’i jepet oksigjen shtesë, por në konsultim me specialistët kemi zgjedhur të fillojnë terapinë me ilaçin remdesivir. Ai e ka përfunduar dozën e tij të parë dhe po pushon i qetë”.

Komentet e tij u bënë të ditura nëpërmjet një deklarate të sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.

Presidenti Trump u transportua me helikopter nga Shtëpia e Bardhë në një spital ushtarak aty pranë të premten pasdite, ku pritet të qëndrojë për të paktën disa ditë.

Përpara se të hipte në helikopter Presidenti i përshendeti me dorë disa here gazetarët që ndodheshin në vendngjarje dhe më pas u nis drejt Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda të shtetit të Marilendit. Ai do të punojë nga spitali në ditët në vazhdim.

“Me qëllimin për të treguar kujdes dhe shmangur çdo rrezik, sipas rekomandimeve të mjekut të tij dhe ekspertëve, Presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed gjatë ditëve të ardhshme”, thuhej në deklaratën e zonjës McEnany.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk do të ketë transferim të pushtetit nga Presidenti Trump tek Nënpresidenti Mike Pence.

Më herët Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital bazuar në rekomandimet e mjekut. “Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës,” tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.

“Nisur nga synimi për të qenë mëse të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” përfundon deklarata për shtyp.

Më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.

Presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një kokteil eksperimental antitrupash ndaj COVID-19, tha mjeku.

REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.

Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për anti-trupat e COVID-19, por kreu i departamentit për sëmundjet infektive Dr. Anthony Fauci është ndër personat që kanë thënë se është premtuese.

Kompania Regeneron njoftoi këtë javë rezultate testimesh që tregojnë se ilaçi i saj me anti-trupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjensinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.

Po të premten, paradite, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.

Ndërkohë kandidati demokrat për garën presidencilae Joe Biden tërhoqi prej transmetimit reklamat që sulmonin Presidentin Trump. Ai vijoi fushatën të premten duke udhëtuar drejt Miçiganin pasi më parë rezultoi negativ pas testit për korovirusis. Në një postim në Twitter të shtunën, zoti Biden u bëri thirrje amerikanëve të vendosin maska: “Mos e bëni vetëm për veten tuaj. Bëjeni për njerëzit që doni”, shkruante ai.

Mosha dhe pesha janë faktorë që e vënë Presidentin Donald Trump në një kategori më të rrezikuar nga COVID-19, por megjithatë ekspertët thonë se prognoza nuk mund të parashikohet lehtë.

Mjeku i presidentit, Sean Conley, pohoi në një deklaratë të premten se presidenti dhe zonja e parë kanë rezultuar pozitivë për koronavirus. Por mjeku thotë se të dy ata “janë mirë në këtë moment”.

“Parashikoj se presidenti do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e tij pa ndërprerje gjatë kohës që kurohet”, tha mjeku.

Presidenti është 74-vjeç dhe të dhënat tregojnë se ritmet e shtrimit në spital janë 5 herë më të larta për grupmoshën e tij se sa për 18-29 vjeçarët, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Po ashtu rreziku për vdekje është 90 herë më i lartë.

Sipas rezultateve të analizave të tij më të fundit, presidenti është 1.9 metra i gjatë dhe peshon thuajse 111 kg. Sipas këtyre shifrave, ai konsiderohet mbipeshë i kategorisë obeze.

Kjo e trefishon rrezikun për shtrim në spital, sipas Qendrës Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Përgjithësisht, dikush që ka këto veçori kërkon vëmendje të madhe”, thotë Amesh Adalja, mjek i sëmundjeve ngjitëse dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins. “Por kjo nuk do të thotë se ai medoemos do të kalojë një sëmundje të rëndë”, thotë eksperti.

“Ky virus ka shfaqur trajektore të ndryshme në çdo person. Nuk dimë mjaftueshëm përse disa individë, megjithëse janë në grupin më të rrezikuar, e kalojnë më lehtë se të tjerë”.

Një studim i kufizuar në një qendër të kujdesit për të moshuarit, të cilët janë në grupin më të rrezikuar, arrin në përfundimin se më shumë se 1/3 e atyre që rezultuan pozitivë për koronavirus nuk shfaqën simptoma.VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY