Zana Gervalla per te shoqin, Jusuf Gervallen ne 75 vjetorin e tij

Zana Gervalla per te shoqin, Jusuf Gervallen ne 75 vjetorin e tij

391
0
Shares

75 vjet jetë!

Nga Suzana Gervalla*

Shumë të rinj në moshë e nisëm jetën e përbashkët pa e ditur se çfarë do të na sjellë e ardhmja.

Ti i rritur në Dubovik dhe Pejë, në rrethana të vështira familjare dhe shoqërore, me mall të vazhdueshëm jo vetëm për babën, të cilin komunistët partizanë që nga paslufta e deri në vdekjen e tij pesë vjet më vonë e privuan nga e drejta për të jetuar së bashku me familjen. Në moshë shumë të re do të ballafaqoheshe me jetën duke përjetuar anët e saj më të egra: vdekjen e hershme të babait, dëbimin nga shtëpia për shkak të kolonëve malazez, largimin e Nënës Ajshe dhe vëllezërve në drejtim të Sllovenisë, vetminë dhe mallin e përhershëm për më të dashurit.

Unë e rritur në Shkup, në kushte të mira deri në lazdrim, me rreth të madh familjar.
Ardhja ime në Prishtinë në vitin 1967 në moshë shumë të re, me Ty si të vetmen pikënisje dhe cak, më ballafaqoi për herë të parë me jetën dhe problemet serioze, me të cilat luftonin shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme, me gjendjen e rëndë ekonomike, diskrimin deri në poshtërim, përndjekjen politike të atdhetarëve, varfërinë e papërshkrueshme.

Jeta me Ty gjithnjë ka qenë e shpejtë, një dekadë e kemi jetuar brenda një viti. Nuk ka qenë e zakonshme atëherë në fillim, kur në mungesë të një banese të mirëfilltë jetonim si mundnim, në kushte të vështira. E tillë ka qenë edhe kur, pas lindjes së Premtonit, banesat ku jetonim ishin kaq të ftohta, saqë Fitim Domi (Mixha Ramë) na sjell një stufë dhe për të mos lënduar krenarinë tënde, thotë që po na e huazon sepse nuk ka vend në shtëpi se ku ta vërë. Por e zakonshme nuk ka qenë jeta me ty as atëherë kur, si gazetar i Rilindjes, ishe tashmë pjesë e jetës kulturore të Kosovës së atyre viteve, kur si këngëtar në radio dhe tv ishe bërë figurë e njohur, kur rrethanat jetësore na u përmirësuan dukshëm dhe familja jonë e vogël me tre fëmijë në fakt do të kishte mundur të jetonte në këto rrethana deri sa të na vinte pleqëria. As atëherë kur fillove të botosh vëllimet e para me poezi duke shpalosur botën tënde emocionale kaq të pasur me dëshira, ëndrra, mall dhe revoltë. Dhe së fundi e zakonshme nuk ka qenë jeta me Ty as atëherë, kur pasi flinin fëmijët, me zë të ulët bisedonim për përpjekjet për liri, format e atëhershme të organizimit dhe hapat konkret që ishin duke u ndërmarrë ose që duhej të ndërmerreshin në të ardhmen.

Asnjë herë nuk të kam përjetuar të dorëzohesh para fatit dhe sfidave të jetës.

Si një lis të shkulur me rrënjë të kam përjetuar vetëm pas arratisjes tënde, kur një muaj pas teje kam arritur së bashku me fëmijët të iki nga Kosova dhe të bashkohemi përsëri tek Bardhi në Ludwigsburg të Gjermanisë. Në Gjermani gjeta një Jusuf tjetër, një Jusuf që veten e ndëshkonte për largimin nga Kosova duke u ndarë njëherë e përgjithmonë nga poezia dhe muzika. Një Jusuf të vendosur për t’i hyrë ballë për ballë betejës me një regjim të tërë sundues dhe për të dalë në fund fitimtar.

Tek Ti gjithçka ishte jetë dhe dashuri dhe në dashuri ti nuk njihje kufi. Dashuri për familjen, për fëmijët, për vëllezërit, familjet e tyre, shokët e afërt. Dashuri që iu ngjan legjendave për Babën Bardh dhe Nënën Ajshe, të cilët ishin udhërrëfyesit më të qëndrueshëm në jetën tënde. Dashuri për muzikën, për letërsinë, natyrën, Dubovikun, poezinë, për gjithçka të bukur që të rrethonte. Një dashuri deri në marrëzi për jetën, të cilën do të ta merrnin shumë para kohe për të të ndëshkuar për dashurinë më të madhe në jetën tënde: dashurinë për vendin, për lirinë e tij.

Jeta jote, jo vdekja e parakohshme, është udhërrëfyesi i fëmijëve tanë, mbesave dhe nipave tanë, i brezave që do të vijnë. Prandaj ti sot jeton tek fëmijët tanë, tek mbesat dhe nipat tanë, je pjesë e jetës sonë të përditshme, e gëzimeve dhe hidhërimeve tona, e vendimeve dhe betejave tona.

Jeta jote dhe jo vdekja e parakohshme është udhërrëfyese për të gjithë ata që me Ty ndajnë një dashuri të madhe, atë për lirinë, Kosovën dhe njerëzit e saj.

Pra në këtë ditëlindje tënden do të kujtojmë të gjithë së bashku 75 vjet jetë.

*Marre nga llogaria e saj ne Facebook

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY