Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar një prift të Kishës Ortodokse Serbe në Budva për shkelje të masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së COVID-19, njoftoi Birn.
Frat Goran Bacan u arrestua për mbajtjen e një lutjeje me 11 besimtarë të dielën në Manastirin Rezevici, pranë Budvës.
“Ai shkeli masën e përkohshme sipas të cilës ritet fetare duhet të kryhen ekskluzivisht pa praninë e besimtarëve”, tha policia në një njoftim për shtyp.
Të dielën, policia në Kotorr thirri për të marrë në pyetje një prift tjetër ortodoks serb me inicialet M.B dhe tre besimtarë, për mbajtjen e një shërbimi fetar në një varrezë. Sipas policisë, edhe ata shkelën ndalimin e qeverisë për grumbullime të më shumë se dy personave në hapësira publike.
Më 19 mars, policia thirri për të marrë në pyetje një nga priftërinjtë kryesorë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Momcilo Krivokapiç, dhe djalin e tij Nemanja, për mbajtjen e një meshe në një kishë në qytetin e Kotorrit.
Ashtu si shumica e vendeve europiane, Mali i Zi ka ndaluar tubimet publike, ka mbyllur shkollat, kafenetë, restorantet, qendrat tregtare, qendrat sportive dhe shumicën e dyqaneve për të frenuar përhapjen e virusit.
Ai ka ndaluar gjithashtu praninë e më shumë se dy të rriturve në të njëjtin automjet.
Të hënën, prokuroria tha se kishte paraqitur më shumë se 100 çështje penale për shkelje të masave të qeverisë për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Prokurorja Milica Andjeliç Mandiç tha se rreth gjysma e çështjeve kishin të bënin me shkelje në Podgoricë.
“Nuk do të ketë tolerim për ata që shkelin ndalimet e qeverisë. Pa përjashtim, ne po vëmë në zbatim ligjin dhe kushdo që shkel masat, do të ndalohet nga policia”, tha Mandiç.
Mali i Zi ka konfirmuar 91 raste me koronavirus ndërsa 6,278 persona janë nën mbikëqyrje mjekësore.
Si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, të gjitha komunitetet fetare në vend ndaluan përkohësisht mbajtjen e shërbimeve në vendet e adhurimit më 13 mars.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/