HISTORIA/ Si u shkeput nga bidoni ku mbahej peshkatari i Currilave

HISTORIA/ Si u shkeput nga bidoni ku mbahej peshkatari i Currilave

150
0
Shares

Nga Gezim Kabashi, BIRN

Një lëvizje e tepërt ndërsa tërhiqnin pjesën e fundit të rrjetës dhe përplasja e dallgës në cektinë e hodhi Ilir Bardhetin dhe Ardian Mërkurin në ujë, ndërsa barka e tyre e vogël e peshkimit u përmbys dhe u fundos 800 metra larg bregut të Currilave.

Dy peshkatarët durrsakë kishin dalë në det me 1 mars për të kontrolluar rrjetën 2 mijë metra të gjatë që kishin hedhur një natë më parë, por vetëm njëri prej tyre u kthye i gjallë në tokë.

Pasi ka rënë në ujë, Iliri ka notuar deri sa e kanë lënë forcat dhe është gjetur pa ndjenja nga i biri i Ardian Mërkurit, i cili mbërriti i pari me një ‘pedalone’ në cektinën e Batllave – ku varka e dy peshkatarëve u përmbys.

“Nuk do të dal më për peshk, deri sa të gjendet trupi i Ardit,” thotë me zë të ulët Ilir Bardheti, ndërsa kujton detajet e aksidentit që i mori jetën shokut të tij, trupi i të cilit nuk është gjetur akoma.

Ilir Bradheti, kujton aksidentin kur u mbyt me 1 mars shoku i tij Ardian Mërkuri | Foto : Gëzim Kabashi

Dhjetëra peshkatarë si Bardheti e sigurojnë jetën duke peshkuar në ujërat e cekëta të gjirit të Durrësit dhe Lalzit me varka të vogla dhe pedalone turistike.

Në pamundësi për të paguar taksat dhe kostot e përdorimit të mjeteve lundruese motorike, në të shumtën e rasteve peshkatarët e bregut nuk përdorin as veshjet dhe jelekë shpëtimi, duke e kthyer peshkimin me mrexha në një biznes vdekjeprurës.

“Është një punë mjaft e rrezikshme, pasi në më të shumtën e rasteve peshkatarët e bregut nuk kanë veshjet dhe pajisjet që u duhen, edhe më keq, shpesh herë nuk i përdorin ato, pasi u duket sikur i pengojnë, thotë Kati Shtëmbari, i cili ka hequr dorë prej kohësh nga peshkimi me mrexha, siç i quajnë njerëzit e detit pjesët e rrjetave që hidhen natën në ujë, për tu nxjerrë një ditë më pas.

“Askush nuk i kontrollon, dhe peshkatarët të gjitha mjetet i sajojnë vetë,” shtoi ai, duke treguar peshat prej betoni të derdhur në arka plastike frutash, ku lidhen litarët e mrexhave dhe që fundosen për të mos i marrë dallgët.

Peshkatarët e bregut dalin në det me barka pa motor ose me pedalone verore, pasi kjo i lehtëson nga taksat e mundshme, por mbi të gjitha nuk kanë mundësi të blejnë motorë, si dhe ta mbajnë atë vazhdimisht me karburant.

“Më shumë se 20 vetë janë këtu te Bërryli dhe në Currila, dhjetëra të tjerë janë të shpërndarë më tej në Porto Romano, në Bisht Pallë, në Gjirin e Lalzit e deri në kepin e Rodonit,” tha Shtëmbari.

Edhe Shpëtim Sherifi, i cili ka gjuajtur një jetë pranë bregut, pranon se puna është tepër e vështirë dhe megjithë pasionin që kanë peshkatarët e bregut, më shumë nevoja i detyron të dalin në det

“Një pjesë kanë punuar më parë në motopeshkatore, si puna ime,” tregon Sherifi, ndërsa shton se të tjerë janë lidhur më vonë me këtë zanat.

Ai shpjegon se nisen kryesisht në mbrëmje, nga dy vetë në çdo barkë dhe me vehte marrin 500-600 metra rrjetë, ndonjëherë edhe më tepër. Në një barkë ka zakonisht edhe 2-3 kova me parangallë – grepa më të mëdhenj se ata të zakonshmit, të cilët lëshohen të lidhur me njëri tjetrin në një gjatësi të madhe.

“Jo gjithmonë rrjetat kanë peshk, por kur kanë, atë e shesim menjëherë në restorantet e zonës dhe me to mbahen familjet,” tregon Sherifi. “Rasti i Ardit, i cili vazhdon të kërkohet nën ujë nuk është as i pari, dhe për fat të keq nuk do të jetë as i fundit,” shton ai me keqardhje, duke treguar se në mënyrë të ngjashme janë mbytur peshkatarë edhe në Kepin e Rodonit apo në Porto Romano.

Fatbardh Omari, i cili ka punuar prej një jete si polumbar, shpjegon se trupi i Ardian Mekrurit nuk është gjetur akoma pasi “fatkeqësisht, deti i nxjerr trupat e mbytur me shumë vonesë.”

Sipas Omarit njerëzit që mbyten në rezervuar apo në liqen i gjen shumë më lehtë, pavarësisht nga uji i turbullt, ndërsa në ujin e kripur kufoma fryhet dhe kur del mbi ujë dallgët e dërgojnë sipas drejtimit të erës.

“Po nuk arrite ta gjesh në momentin e parë, më pas e ka në dorë uji,” tha ai, ndërsa shtoi se “trupat i nxjerr deti 10 ditë apo dy javë më vonë dhe më së shumti larg vendit ku janë mbytur.”

Megjithatë, polumbari me eksperiencë kujton dhe raste kur janë kanë arritur t’i nxjerrin nga deti trupat e viktimave.

“Para disa vitesh ne nxorëm trupin e pajetë të një peshkatari, i cili humbi nën ujë pas përplasjes aksidentale të dy motopeshkatoreve në Bisht Pallë,” tregon Omari. “Për fat, ai kishte mbetur i bllokuar në një nga kabinat e motobarkës, 22 metra nën ujë,” shtoi ai.

Bajram Iljazi pohon me kokë, gjithçka që zhytësi me përvojë thotë. Ai kujton se disa vite më parë, i vëllai u mbyt teksa peshkonte pranë gurëve të portit, por deti e nxori kufomën tre javë më vonë, në plazhin e zonës rezidenciale, 4 kilometra më tej.

Sipas policisë kufitare numri i kërkesave për ndihmë nuk i kalon 10-12 rastet në vit dhe alarmi vjen kryesisht nga familjarët e pushuesve që kanë dalë me pedalone në verë – të cilët  nuk arrijnë të kthehen kur përkeqësohet moti.

Kati Shtëmbëri shprehet se për peshkatarët rreziku është gjithmonë i pranishëm sa herë që largohen nga bregu.

“Mua më ka ndodhur të rrezikoj kokën dy herë në fund të muajit gusht, një herë pasi dolëm në det me një pedalone së cilës i mungonte një tapë uji dhe një herë tjetër kur mjaftoi një dallgë pa rrezik që u përplas te Batllat për të na e kthyer barkën përmbys,” tregoi ai.

“Në rastin e  parë i ka shpëtuar motoskafi i policisë, ndërsa herën e dytë një grup kalimtarësh i kanë dëgjuar nga bregu klithmat e tyre për ndihmë,” shtoi ai.

Ndryshe nga Shtëmbari, Ardit Merkuri dhe Ilir Bardheti nuk ishin aq me fat. Kur varka e tyre u përmbys të dielën e parë të marsit – 800 metra larg bregut, askush në shëtitoren bregdetare të Durrësit të mbushur me njerëz nuk pikasi gjë.

Shtëmbari thotë se peshkatarët e bregut duhet të nxjerrin mësime nga ngjarjet e hidhura.

“Nëse del në det pa e veshur jelekun që fryhet; nëse nuk kujdesesh për gjendjen e mjetit dhe nëse nuk pajisesh me të gjitha pajisjet që duhen në raste rreziku, mund të ndodhë gjithçka,” paralajmëroi ai. “Pa harruar se një peshkatar duhet të notojë shumë mirë për ta përballuar punën në det,” nënvizoi Shtëmbari.

Mbytja e Ardian Mërkurit e ka tronditur 51-vjeçarin Bardheti, i cili nënvizon se nuk do ta harroj kurrë se si shoku i tij u zhduk mes dallgëve.

“Më kishte ndodhur edhe pesë herë të tjera të rrezikoja kokën, por kësaj here nuk do ta harroj Ardin,” tha ai.  “I lutesha të bënte forcë edhe pak, por jo, i lëshoi duart nga bidoni ku po mbahej dhe për pak sekonda humbi nën ujë.”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY