Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjes së 2 gushtit të vitit 1967, kur tre të dënuar politikë të burgut të Burrelit, me në krye 24 vjeçarin, Adem Allçi me origjinë nga një fshat i largët i zonës kufitare të Tropojës, pasi kishin goditur me grushte dy nënoficerët e shërbimit të brendshëm dhe i kishin neutralizuar ata, u kishin marrë çelsat e dyerve, kishin dalë në oborr dhe prej aty në taracë, duke u hedhur më pas në drejtim të rrethimit të jashtëm me tela me gjëmba, nën breshërinë e armëve automatike të rojeve. Ndërsa i dënuari Adem Allçi mundi që t’i kalonte rrethimin dhe të vraponte për në drejtim të fshatit Lis të Burrelit, Sazan Hadari, me origjinë nga Tepelena, që ishte dhe nipi i Shefqet Peçit, mbeti në tela i sharruar nga breshëria e zjarrit të armëve automatike të rojeve të burgut, kurse, i dënuari tjetër, Dhori Gërnjoti, me origjinë nga qyteti i Korçës dhe ish-kampion apsolut kombëtar në sportin e boksit, u plagos në këmbë dhe u kap nga rojet e burgut, disa dhjetra metra më larg. Dëshmia e Adem Allçit, njërit prej protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje të largët që asokohe alarmoi udhëheqjen e lartë në Tiranë, e cila ngriti në alarm disa njësi të mëdha ushtarake siç ishte Korpusi i Burrelit dhe të gjitha çetat vullnetare të fshatrave të Matit, si dhe vetë Enver Hoxhën, i cili i tha ministrit të Brendshëm: “Hë mo Kadri, na keshe thënë se andej nuk del dot as miza…”
Nga Dashnor Kaloçi
Ka qenë mbrëmja e 2 Gushtit të vitit 1967, kur një helikopter ushtarak i ngritur diku nga pista e re e Laprakës, përcillet me nxitim drejt qytetit të Burrelit, ministrin e Punëve të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiun, zëvëndësin e tij Rexhep Kollin dhe disa ushtarakë të tjerë madhor të kësaj ministrie. Çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje vere në atë qytet të vogël ku ndodhej një nga burgjet më të njohura dhe të një rëndësie tepër të veçantë që kishte Shqipëria e asaj kohe?! Radiogramet që vinin në ministri njoftonin: ”Është shpërthyer burgu i sigurisë së lartë në Burrel, nuk dihet numëri i saktë i të arratisurve”. Teksa helikopteri ushtarak ulej në fushën sportive të atij qyteti të vogël, ku nuk pushonin ende sirenat e alarmit, ministrit Kadri Hazbiu, i kishin ngelur në mendje fjalët e Enver Hoxhës, që i tha vetëm pak çaste para nisjes në verandën e vilës së tij bregdetare në “Bllokun” e Durrësit:”Hë mo Kadri, sikur na keshe thënë se andej nuk del dot as miza?!”
Me të mbërritur në Degën e Punëve të Brendshme të Burrelit ku ishte mbledhur Shtabi i Mbrojtjes së rrethit që prisnin të sapoardhurit nga Tirana, ministri Hazbiu do të mësonte të vërtetën më të pabesueshme: “Është shpërthyer burgu i sigurisë së lartë nga një revoltë e brendshme e kryesuar nga një 24 vjeçar nga Tropoja, i quajtur Adem Allçi”.
Tropojani i tmerrshëm që kishte kaluar kufirin në ’63-in, hipur në kale!?
Pasi ministri i Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, u informua nga vartësit e tij për ngjarjen që kishte ndodhur, u kërkoi atyre edhe disa të dhëna paraprake lidhur me të dënuarin, Adem Allçi, i cili kishte shpërthyer atë burg të sigurisë së lartë. Dhe ata i bënë me dije se: Eshtë me origjinë nga një fshat i Tropojës që ndodhet fare pranë kufirit shtetëror dhe në vitin 1963, ndërsa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, kishte përfituar nga disa ditë leje që i kishin dhënë eprorët e tij dhe kishte shkuar në fshatin e tij, ku në orën 12 të ditës, kishte kaluar kufirin shtetëror, i hipur mbi një kalë të bardhë. Autoritetet jugosllave e kthyen pas disa muajsh dhe ai pasi u mbajt disa kohë i izoluar në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës, doli para gjyqit ku u dënua me 15 vite burg “për tradhëti të lartë ndaj atdheut”. Pasi dënimit ai u mbajt disa kohë në qelitë e Shkodrës, por duke sjellë shumë probleme aty, e largojnë nga andej dhe në fillimin e vitit 1964, e sjellin në kampin e Laçit, ku ndërtohej Uzina e Superfosfatit. Pas një arratisje të dy personave të dënuar nga ky kamp, që u vranë nga forcat tona të policisë, si person që paraqiste rrezikshmëri të lartë edhe për arratisje, Ademin e transferuan në burgun e Rubikut. Në këtë burg, ai rrahu dhe i la në gjendje të rëndë, tre policë që u kërkonin rregull dhe disiplinë të dënuarëve. Pas kësaj ngjarje të shëmtuar, ai doli përsëri në gjyq dhe u dënua edhe me dhjetë vite të tjera burg, e si person tepër i rrezikshëm, u soll këtu në burgun e sigurisë së lartë.
Burgu i Burrelit, plani i arratisjes….?!
Burgu i Burrelit i ndërtuar që në kohën e Mbretit Zog, sipas idesë së kryeministrit Koço Kota, nuk kishte njohur deri në atë mbrëmje të 2 gushtit të vitit 1967, asnjë lloj tentative arratisje. Adem Allçi, personazhi i vetëm i asaj ngjarjeje të bujshme që mundi të “shijonte” vetëm dy-tre orë lirinë, ndonëse nuk ka asnjë lloj dëshire të kujtojë ato ngjarje, dëshmon për herë të parë për Memorie.al, duke u shprehur:”Në dhomën tonë ishim 25 vetë të gjithë të rinjë nga 18 deri 25 vjeç. Ideja për t’u arratisur më lindi që tre muajt para asaj dite. Në fillim këtë planin për arratisje, e bisedova vetëm me dy shokët e mi më të afërt: Sazan Haderin nga Vlora dhe Dhori Gërnjotin nga Korça. Sazani ishte një djalë shumë trim, ishte dënuar si unë me 25 vite për tentativë arratisje, ndonëse ishte nipi i Shefqet Peçit (djali i motrës). Po kështu dhe Dhori për këtë gjë ishte dënuar, pra për tentativë arratisje, pasi ai ishte kampion apsolut i Shqipërisë në sportin e boksit dhe pas mbylljes që i bëri qeveria komuniste atij sporti burrëror, Dhori vendosi që të ike dhe ta vazhdonte jashtë shtetit atë sport, pasi e kishte me shumë pasion. Pas këtyre që siç thashë ato kohë i kisha dy miqtë e mij më të ngushtë, vendimin për t’u arratisur, unë ua komunikova edhe shtatë personave të tjerë me të cilët ishim bashkë në një qeli dhe kështu u bëmë 10 vetë gjithsej që ishim në dijeni të këtij plani që kisha marrë unë dhe ishte pranuar prej tyre”.
Përse planin e tij për arratisjen Ademi ua tregoj një numëri aq të madh të dënuarish prej 10 personash që mund të krijonte mundësi dekonspirimi dhe dështimin e planit?! Lidhur me këtë, ai tregon: “Edhe atë gjë e kisha marrë parasysh, por unë vetëm sa kishte rënë dakort si parim me ta. Pra që ata do të më ndiqnin në të gjitha veprimet e mija gjatë arratisjes, por nuk ju kisha treguar asnjë detaj apo plan se si dhe kur do të kryhej kjo arratisje. Pra as datën dhe as orën e caktuar. E vetmja gjë që ju kisha treguar atyre të dhjetëve, ishte se unë do të isha kryetar i grupit dhe çdo gjë do të bëhej nën urdhërat e mia dhe kush të donte të më ndiqte nga pas”, kujton Ademi lidhur me planin e tij të arratisjes.
Lidhur me këtë Ademi shton se: “Në atë burg të sigurisë së lartë ku regjimi komunist që nga viti 1945 mbante të izoluar kundërshtarët e tij që i konsideronte me rrezikshmëri të lartë, çdo gjë që thuhej, besohej dhe merrej seriozisht nga komanda, përveç asaj që dikush mund të arratisej prej aty”?! Megjthë këto, ai tregon se komanda e burgut diçka kishte nuhatur prej informatorëve të saj dhe nisur nga ky fakt, në dhomën prej 25 vetash ku ishte Ademi, ajo futi një të dënuar për krime ordinere që i shërbente mësëmiri komandës dhe operativit të burgut, të cilit i ishte ngarkuar detyra për të kontrolluar nga afër situatën. Ai ndiqte dhe mundohej që të mos i shpëtonte asnjë veprim apo bisedë që bëhej aty. Ndërkaq për dy muaj rresht, një pjesë e “dhjetëshes” që kishin rënë dakort për arratisjen, bënin gjithë ditën stërvitje në dhomë duke praktikuar mundje, boks, kërcime, dhe ushtrime të ndryshme.
Lidhur me këtë, Adem Allçi, kujton: “Çdo ditë gjatë atyre dy muajve bëja nga një variant të ri plani arratisje të studiuar deri në detaje, por pa i biseduar me asnjeri”. Paraditen e 2 gushtit 1967, ndërsa bëhej apeli si zakonisht, Ademi konflikotohet dhe bën një debat të ashpër me komandantin e burgut, Qani Kalon, duke iu ankuar atij për kushtet e të dënuarve dhe në fund të bisedës, para të gjithë të dënuarve, Ademi i drejtohej atij, duke i thënë “Shoku komandant, nuk dua të zgjatem më me ju, se ndoshta këto janë kontaktet tona të fundit”.
“Askush nuk ua vuri veshin, fjalëve të mia, kështu u kisha thënë dhe ushtarëve në Gjirokastër përpara se të nisesha për në Jugosllavi, por atë ditë kisha vendosur i gjallë ose i vdekur do të dilja patjetër nga ai burg”, kujton Ademi lidhur me debatin që bëri me komandantin e burgut, pasi e kishte ndarë mëndjen se diçka do të bënte atë ditë…?! Gjatë gjithë paradites së asaj dite (2 gusht), Ademi bluante për herë të fundit planin e arratisjes dhe këta jua thotë gjithësecilit më vete, të nëntë personave të tjerë që kishin dijeni dhe kishin pranuar planin e tij. Ndërkaq Sazan Hadëri dhe Dhori Gërnjoti, e siguruan Ademin se do e ndiqnin atë në çdo hap.
Ademi godet me grusht kapterrin që mbante çelsat e dyreve
Në orën 19 e 30 të asaj pasdite, në dhomën nr. 25, hyri oficeri i rojes, kapterr Y. L., dhe filloi të bënte apelin, duke qenë i shoqëruar nga kolegu i tij H. L., të cilët sipas rregullores së brëndshme të burgut, në dhomat e të dënuarve, hynin pa armatim. Pas leximit të emrave në apel me listën e të dënuarve, Adem Allçi, i drejtohen oficerit të rojes, duke i thënë se kishte një letër për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë. Dhe vërtete, Ademi atë pasdite kishte shkruar një letër për Enver Hoxhën, ku ndër të tjera në fillim të saj, shkruante, “Sot këtu në Burrel, hapet varri gjigand i Shqipërisë me këta djem që janë dënuar padrejtësisht nga ana juaj dhe mbahen për dhjetra vite në këta kafaze hekuri”.
Më pas letra vijonte me një lumë të sharash për vetë Enver Hoxhën dhe disa nga pjestarët e tjerë të udhëheqjes së lartë të PPSh-së së asaj kohe. Sipas rregullores së burgut, komanda hapte vetëm letrat që të dënuarit i dërgonin familjeve të tyre, kurse letrat që ata i dërgonin zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve politike, nuk u lejohej t’i hapnin dhe në raste kur kishte dyshime, ato kishte të drejtë t’i hapte vetëm Dega e Punëve të Brëndshme të rrethit. Kështu Ademi, nuk kishte frikë të ndonjë mundësie të hapjes së zarfit nga ana e komandës së burgut, gjë e cila do t’i sillte automatikisht dështimin e planit të arratisjes. Sapo Ademi i drejtohet oficerit të rojes duke i thënë “kam këtë zarf për Sekretarin e Parë të Komitetit Qëndror”, ai sipas rregullores, i thotë: “Dil nga rreshti dhe sille”. Ademi me dorën e majtë i zgjat zarfin, dhe me të djathtën e godet atë duke e rrëzuar në tokë pa ndjenja.
Ndërkohë sipas planit që kishin bërë, Dhori me Sazanin godasin gardianin tjetër, duke e lënë dhe atë pa ndjenja. Në këtë moment, Ademi i merr tufën e çelsave kapterrit Y. L. dhe del në fund të korridorit të qelive, duke hapur derën e madhe prej hekuri që të nxirrte në oborrin e ajrosjes. Nga aty ai del në oborr, kërcen, dhe varet me duar në një strehë prej betoni (penecilinë) që mbronte nga shiu një nga dyert që komunikonte si derë rezervë për të hyrë tek korridori i qelive. Pasi ngjitet me shumë vështirësi sipër asaj strehe betoni, Ademi zgjatet dhe ndihmon edhe Sazanin me Dhorin, të cilët pa shumë vështirësi, hypën në tarracën e burgut, që ishte jo më shumë se 50 cm. mbi strehën e derës.
Hedhja nga taraca e burgut dhe…
Në të gjithë burgun u dha alalrmi, pasi i burgosuri ordiner që ishte futur në dhomën e 25 të rinjve, varet në një dritare duke u mbajtur tek hekurat dhe bërtet me të madhe. Sakaq, nga të gjitha kullat e rojeve të shërbimit, ushtarët hapën zjarr me automatikë dhe mitrolozë të lehtë, duke pasur si shënjestër fillimisht tarracën ku ata u ngjitën, gjë e cila e bëri të pamundur afrimin e të tjerëve për t’u ngjitur aty. Ndërsa ishin ngjitur në tarracë, Ademi, Sazani, dhe Dhori, në një interval dy deri në tre sekonda, u hodhën nga tarraca në tokë, në pjesën e prapme të burgut nga ana lindore e tij, që ishte tokë e butë dhe me bar.
Pasi u hodhën aty, ata u nisën me shpejtësi në drejtim të rrethimit të jashtëm të burgut, që përbëhej nga një gardh me tela me gjëmba, në lartësinë rreth dy metra e pak. Rrethimi i jashtëm me tela me gjëmba, nga muri i qelive, ishte në një distancë diku më pak se 10 metra, dhe para tij, ndodhej një transhe e thellë, e izoluar me tela me korent. Pasi ata të tre kapërcyen transhenë, me shpejtësi u hodhën nëpër kollonat që ishin prej betoni e që shërbenin për mbajtjen e telave me gjëmba të rrethimit të jashtëm. Ndërsa Ademi me Dhorin mundin t’i kapërcejnë kollonat e larta e të dalin jashtë territorit të burgut, shoku i tyre, Sazan Hadëri, ngeli i varur në shtyllën e betonit mbi tela, ngaqë plumbat e rojeve të shërbimit, e vranë.
Pas pak, në një distancë jo më shumë se 100 deri 150 m. larg rrethimit të jashtëm, një plumb goditi edhe Dhorin në këmbën e djathtë, duke ia dëmtuar rëndë kockën. Ademi u mundua ta ndihmonte, por çdo gjë ishte e pamundur, pasi Dhori jo vetëm nuk e lëvizte dot më këmbën, por po e linin ndjenjat dhe ra në gjëndje të fikti. Ndërkohë që Dhori mbeti i shtrirë në tokë pa ndjenja, breshëria e armëve e të gjithë rojeve të burgut që kishin zënë pozicion në tarracën e tij, ishin drejtuar për nga Ademi. Sakaq, përveç burgut, alarmi ishte dhënë dhe në qytetin e Burrelit, ku ishte i përqëndruar një nga njësitë ushtarake më të mëdha të vëndit, i njohur si “Korpusi i Burrelit”. Po kështu pak çaste pas këtij alarmi, në të gjitha fshatrat e rrethit të Matit u dha “kushtrimi” dhe u çuan të gjitha çetat vullnetare, (njësi ushtarake rezerviste të armatosura), në një alarm të përgjithshëm.
Kjo ndodhi dhe me rrethet fqinje me Matin, si Mirdita, Peshkopia, Kruja etj. Ndërkohë nga Tirana, përveç helikopterit që solli aty titullarët kryesorë të Ministrisë së Brëndëshme, dy helikopterë të tjerë sillnin në drejtim të Burrelit, disa efektivë të Forcave Speciale të Brigadës së Zbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes, e përqëndruar në ZallHerr.
Ndërsa ndodhnin gjithë këto, i burgosuri politik Adem Allçi, që kishte mundur të shpërthente burgun e sigurisë së lartë, vraponte rrugë e pa rrugë në drejtim të fshatit Lis që ndodhej afërsisht në një distanë prej 12 km. larg qytetit të Burrelit, me qëllim që të shkonte në drejtim të Malit të Dejës. Ndërsa kishte përshkuar për më shumë se një orë rrugë, gjithnjë duke vrapuar, në ndjekje të tij ishin vënë forcat e policisë dhe ushtarëve të Korpusit të Burrelit, si dhe atyre të forcave vullnetare të fshatrave përreth.
Kapja dhe arrestimi në fshatin Lis
Diku në afërsi të fshatit Lis, ndërsa po mundohej të kalonte një përrua, Ademi bie pa ndjenja në një bregore shtufi. Vetëm aty i shtrirë, ai mundi të dallojë në kurriz një plagë plumbi, por pa e kuptuar se në ç’kohë ishte plagosur. Nga dhimbjet e plagës dhe nga lodhja e madhe, pasi kishte duke vrapuar për rreth dy orë pa pushuar, Ademi nuk mund të lëvizte më. Ashtu në një gjëndje gati të fikti, ai dëgjonte t’i afroheshin gjithnjë e më shumë, zërat e oficerëve dhe lehjet e qenve me erë.
Pas pak në atë bregore shtufi aty pranë fshatit Lis, mbi trupin e shtrirë pa ndjenja të Adem Allçit, u hodhën disa efektivë (oficerë), nga më të përgatiturit dhe stërviturit që kishte Batalioni i Zbulimit, duke e lidhur atë këmbë e duar me litar. Ndërkohë në qëndrën e qytetit të Burrelit, ishte urdhëruar mbledhja e popullit të cilët vinin dhe nga fshatrat përreth, shumica e të cilëve ishin të armatosur.
Në një podium të ngritur diku në sheshin kryesor të qytetit të Burrelit, kishin zënë vënd autoritetet e larta ushtarake dhe civile të atij rrethi, dhe atyre të ardhur nga Tirana. Ndërkaq disa policë mbanin të lidhur me litarë Adem Allçin dhe bashkë me ta ishte në përforcim edhe një “Kompani Sigurimi” me fefektiva ushtarësh që e kishte shoqëruar atë gjatë gjithë rrugësë nga fshati Lis deri në qëndër të Burrelit. Pas mitingut ku autoritetet e shumta partiake dhe ushtarake që kishin zënë vënd në podium folën para popullit për “suksesin e arritur”, Ademin e dërguan fillimisht në Degën e Punëve të Brendëshme të atij qyteti, nga ku disa ditë më vonë do t’i bëhej një “gjyq model”, ku ai qëndronte i shtrirë në një barrelë prej torturave që ishin bërë ndaj tij.
Dënimi me vdekje dhe…
Gjyqi e dënoi me vdekje, me pushkatim, duke e akuzuar “për terrorizëm”, dhe në pritje të përgjigjies nga Kuvendi Popullor nëse do i falej jeta apo të do të ekzekutohej vendimi i gjykatës, Ademin më pas e dërguan pëpërsëri në burgun e sigurisë së lartë nga ku ai kishte mundur që të “shijonte” lirinë për vetëm dy orë. Duke qënë kështu i pari dhe i fundit i burgosur që kishte mundur që të çante rrethimit e hekurt që nga viti 1945 dhe deri në 1991. Në 47 vite të ekzistencës së atij burgu politik në librat e shërbimit, do të shënohej si e vetmja arratisje e bujshme ajo e Adem Allçit.
Ndërkaq në orët e vona të natës së 2 gushtit 1967, Kadri Hazbiu kishte zbritur nga helikopteri ushtarak diku në periferi të Tiranës dhe kishte marrë rrugën në drejtim të qytetit të Durrësit, për të shkuar tek “Blloku” i vilave qeveritare, ku Enver Hoxha, priste zgjuar lajmin e kapjes së rebelit të rrezikshëm me origjinë nga Tropoja.
I cili pas asaj ngjarje mori famë të madhe në të gjitha kampet dhe burgjet e regjimit komunist ku vuajti dënimin deri në 30 prill të vitit 1990. Dhe bashkë me të do të dënoheshin edhe katër vëllezërit e tij, duke qenë një rast i rrallë dhe unik në Shqipëri, ku të gjithë së bashku deri në 1990-ën, vuajtën plot 118 vite burg dhe internim
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/