ANALIZA/ Tekstet e kengeve, kur këndon kompjuteri

ANALIZA/ Tekstet e kengeve, kur këndon kompjuteri

223
0
Shares

Nga Roland Qafoku

Më rri ende në mendje një varg lapidar me autor gjeniun Ismail Kadare krijuar në vitin 1989. Shtoi kësaj edhe akordet dhe muzikën e të madhit Gjergj Leka dhe për mua ajo mbetet një nga harmonitë më të spikatura të këngës së lehtë shqiptare. Strofa e parë nis me fjalët “jo nuk kish si ndodhte ndryshe, ndodhte ndryshe s’kish se si”. Për të vazhduar më tej me vargun “u desh të zhdukeshin përbindëshat që në këtë botë të vije ti”.

Performanca shoqërohej me një piano, një kitarë akustike, bateria, akomponjamenti dhe basi. Kënga në fjalë asnjëherë nuk u ngjit në ndonjë skenë festivali. Nuk mori asnjë çmim të parë a të dytë. Ishte kompozuar enkas për një spektakël mëse të zakonshëm, por ama sapo e kam dëgjuar më ka rrëmbyer dhe pëlqyer aq shumë sa nuk mund të ndaja muzikalitetin e vargut alla Kadare me atë të vetë këngës alla Leka.

Por për çudi ato fjalë aq të bukura të vendosura në renditjen e tyre të më mirë, vazhdojnë të jetojnë gjatë te mua. Deri më sot nga shumë e shumë këngë që kam dëgjuar e dëgjoj, atë se kanë zëvendësuar. Por si mund të ndodhë kjo mund të thotë dikush? Jetojmë në një kohë kur bastardimi i teksteve dhe muzikës është në kufijtë ekstremë.

Sot autorët e teksteve nuk janë më ata të mëdhenjtë e fjalëve dhe vargjeve, por ca bejtexhinj që pranohen, futen në këngë dhe shiten si tregtarë. Po si mund të më qëndrojnë si shije e mirë tekste të tilla këngësh që qarkullojnë aktualisht të cilat tregojnë se një djalë është aq i ëmbël, sa krahasohet me sherbetin. Dhe madje, ai thërret e ulëret për t’i mbushur mendjen vajzës në krah se “çun si ai s’ka me gjet”.
Ndërsa një vajzë në një këngë tjetër proklamon hapur se është me pretendime, por që direkt në vargun e dytë, “një djalë nga Tirona më mori zemrën time”. Po një “lejle kaçurrele”, kush e ka dëgjuar, pas të cilës çmenden katër djelmosha kush e kush t’i fitojë zemrën? Dhe bejtja alla shqiptare shoqërohet me ca nota muzikore alla turke, alla bullgare, alla maqedonase që në më të shumtën e rasteve ka ose pirueta të rëndomta të trupit e dredhje të belit, të gjitha këto nën lakuriqësinë e vajzës që kërcen pas këngëtarit.

E pra, nga krijimi dhe kompozimi i atyre vargjeve e me këto sot është krijuar një hon i stërmadh, një distancë që vetëm mrekullia do ta zhdukte.
Ç’duhet bërë?
Kompozitori Gjergj Leka në një intervistë për gazetën “Shqip” theksonte se këtë katrahurë duhet ta shkatërrojë dhe rindërtojë nga e para vetëm media. Unë mendoj që Leka ka shumë të drejtë për konstatimin e situatës skandaloze të muzikës që jetojmë.

Por kur vjen puna tek oponenca, kam bindjen se Gjergji është vetë ai që i largohet thelbit të problemit. Nëse ka një digë për këtë nivel është ajo e krijimit të të kundërtës së saj. Pra, i këngëve me vlera. Nëse në treg do të kishte këngë me nivel muzikor dhe me vlerë poetike, të gjithë, nga fëmijët e deri tek të rinjtë do të kenë të bëjnë edhe dallimin.

Dhe turrja e tyre për të parë, dëgjuar e blerë videklipe do të kishte sensin më pozitiv të mundshëm. Por kur dominoja videklip ka pushtuar tashmë tërë tregun shqiptar, jam i bindur se adoleshentët do të këndojnë “lelje kacurrelet”, “vajzën me pretendime” e shumë e shumë të tjera. Ndërsa vargjet dhe muzikën e Gjergjit, por edhe të shumë e shumë autorëve ka rrezik që brezi i ri të mos e mësojë kurrë që kanë ekzistuar ndonjëherë.

Shembujt në botë tregojnë se muzika mediokre, pa nivel pa motiv është larguar dhe ka vdekur vetëm pas daljes së mrekullive. Dhe arti ta jep këtë mundësi
Edhe sot në botë albumi më i shitur i të gjitha kohërave është “Thriller” i Michael Jakson-it. Padiskutim që jo vetëm ti Gjergj, por edhe shumë e shumë muzikantë gjejnë në këngët e djalit me ngjyre më të talentuar në histori, atë që nuk i keni gjetur kurrë më parë. Dhe prandaj Jakson mposhti jo vetëm mediokrit, por edhe nivele të pranueshme.

Ne sot nuk kemi identitet të këngës shqiptare. Deri në vitin 1990 kishim krijuar një të tillë. Kënga jonë dallohej sapo e dëgjoje. Ndërsa sot emigrantët që vënë këmbën pas shume vitesh thonë se s’ka më këngë shqiptare. Ato janë orientale, me motive haremi. Lëre pastaj për zërin.

Akoderte, të çfarëdo lloji qofshin, modifikohen shkencërisht në kompjuter, të vetmin zbulim shkencor që muzikantët e urrejnë. Po si dallohet një këngëtar dhe zëri i tij nga një pseudokëngëtar që edhe vetë habitet se si i del zëri.

Arsyet e mosarësyes
Dua të rendis ca fakte që kanë çuar në këtë gjendje.
E para lidhet me numrin e madh të këngëtarëve. Ishte Irma Libohova ajo që para dha alarmin teksa tha se në Shqipëri ka 5 mijë këngëtarë, një shifër që do të ishte e lakmueshme për numrin e popullsisë edhe me SHBA-në. E natyrisht sasia e madhe na sjell më pak cilësi. Shumica e tyre nuk këndojnë, por recitojnë. Zëri i tyre rregullohet në kompjuter. Në studio nuk këndon këngëtari, por kompjueri.

E dyta lidhet me numrin e shtëpive diskografike. Janë më shumë në vendin tonë se sa shkolla muzike. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Niveli i tyre vjen edhe bie në proporcion me numrin e madh.

E treta lidhet me faktin që vetëm një pakicë këngëtarësh dhe kompozitorësh është kundër muzikës së vjedhur, të huazuar të përshtatur në mënyrën më të keqe të mundshme. Dhe përballë mazhorancës, ata ndjehen shumë të pafuqishëm.

E katërta, lidhet me tregun. Një videoklip sipas të dhënave kushton vetëm 2 mijë euro. Mjafton të kesh ato dhe çdokush gdhihet këngëtar. Del në televizor, bëhet i famshëm, bëhet i dëgjuar. Ftohet edhe në koncerte e fushata elektorale dhe antivlera e tij kthehet në vlerë.

E pesta, media është e pafuqishme, për të mos e thënë e painteresuar për t’iu futur opozicionit, kur këtë nuk e duan vetë kompozitorët dhe autorët e teksteve me vlera. A e dini çfarë i tha një këngëtar nga ky rang një gazetareje që kishte guxuar të shkruante se stili i tij i vjedhur ishte modeli më i keq për të rinjtë. “Më ki inat, por unë kam fuoristradë dhe femrat më vijnë nga pas”. Nëse çdo këngëtar do të shpallte se qëllimi i tij ishte ky dhe vetëm ky, atëherë artin shqiptar e ka marrë fundi.

E gjashta. Largimi i të kënduarit live. Nëse do të hiqej një ditë superpozimi, shumë këngëtarë do ishin pa punë. Në treg do ishin më të mirët dhe jo kompjuteristat dhe kështu diferencat do të bëheshin që pa dalë në treg. Aty, po dallimet do të ishin vetëm në bazë të shitjeve.

Dhe si përfundim, nëse kjo gjendje duam që të ndryshojë, në radhë të parë duhet që të zotët e artit të ejnë në skalion të parë. Ata janë kompozitorët dhe autorët e teksteve. Nëse ata do të krijojmë muzikë të mirëfilltë shqiptare, të retë freskët e bashkë me to edhe tekste origjinale me muzikalitete ne nuk do të mund të dëgjojmë më në televizione, furgona e taksi pretendimet e bajzës nga Shijaku, apo lejle kacurrele apo edhe çunin që është si sherbet.

DIFERENCA E TEKSTEVE

Teksti: Ismail Kadare

Jo nuk kish si ndodhte ndryshe,
Ndodhte ndryshe, s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që në këtë botë të vije ti

Teksti: Ismail Kadare

Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty se ç’ndjeva mall
Jetojmë të dy në një qytet
Sa rrallë shihemi, sa rrallë

Teksti: Dritëro Agolli

Por kur të jesh mërzitur shumë,
Në raft të librave kërko.
Aty diku do të jem unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Teksti: I panjohur

Jam i omël, jam i omël,
jam i omël si sherbet.
Çun si unë mos çun si unë,
çun si unë moj s’ke me gjet

Teksti: I panjohur
Jam vajzë nga Shijaku
Vajzë me pretendime
Një djalë nga Tirona
Ma mori zemrën time

Teksti: I panjohur
Dashuria ime,
të bëri shpenzime.
Oh, sa mu bë qefi,
prishe mercedezin

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY