Diplomati amerikan per lirine e shprehjes: Me shume lapsa, me pak goma!

Diplomati amerikan per lirine e shprehjes: Me shume lapsa, me pak goma!

101
0
Shares

SHBA nuk janë shprehur deri tani publikisht për ligjin per mediat online por i Ngarkuari me Punë i SHBA-vë në Shqipëri, Daniel Koski, në fjalën e sotme në nje konferencë te Avokatit te Popullit, e vuri theksin pikërisht tek rëndësia që ka liria e të shprehurit për një shoqëri demokratike, duke sjellë përvojën amerikane.

Në fjalën e tij, diplomati amerikan ndonëse nuk i permendi drejtpërdrejt ligjet e fundit për mediat, theksoi se në Shtetet e Bashkuara mbizotëron toleranca e mendimit ndryshe dhe jo kufizimi i të shprehurit.

Fjala e Ngarkuari me Punë i SHBA-vë në Shqipëri, Daniel Koski:

Fjala është dhuratë. Është një talent që vetëm njerëzit e zotërojnë. Ajo na mundëson të shprehim dashuri dhe shpresë. Është mjeti që na lejon të ëndërrojmë, të planifikojmë dhe të vëmë në lëvizje projekte madhështore.

Por ligjërata mund edhe t’i japë zë frikës, zemërimit dhe urrejtjes. Fjalët mund të çojnë në dhunë. Ekziston një kufi midis ligjëratës së pranueshme dhe të papranueshme, por është e vështirë të hiqet një vijë kufiri. Ne jemi mbledhur sot këtu për të debatuar mbi atë vijë dhe rolin e Zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e këtyre kufijve. Jam mirënjohës për mundësinë që të ofroj pikëpamjen e Sh.B.A. për lirinë e fjalës dhe për të bërë një kërkesë në mbrojtje të saj.

Fjala e lirë është dhe ka qenë gjithmonë kryesore për Shtetet e Bashkuara. Në vendin tonë, liria e fjalës erdhi në jetë pas Revolucionit Amerikan, kur ne bëmë një premtim publik, një besëlidhje, për t’a mbrojtur atë përmes Amendamentit të Parë të Kushtetutës së Sh.B.A.

Prej ditës kur boja u tha mbi atë dokument, ka pasur shumë diskutime dhe mosmarrëveshje në lidhje me ligjin kushtetues amerikan, përfshirë edhe kuptimin e Amendamentit të Parë. Sidoqoftë, angazhimi amerikan për të mbrojtur lirinë e fjalës është i palëkundur. Ne madje e shtrijmë atë mbrojtje edhe ndaj të shprehurit të çuditshëm, të folurit qartësisht të pasaktë dhe fjalëve fyese, të pamenduara. Pse?

Ne nuk mund ta pastrojmë shoqërinë nga fjalët e urrejtjes duke i shtypur ato. Ne besojmë se kundërshtimi më i mirë ndaj gjuhës së ulët dhe të urrejtjes është arsyetimi racional. Nëse gjuha e urrejtjes është helm – dhe është e tillë – arsyetimi është kundërhelmi. Ndërsa diskutoni se ku duhet hequr viza midis fjalës së mbrojtur dhe të pambrojtur, ju lutem të kujtoni se përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma.

Ka edhe përfitime të tjera që angazhimi radikal ndaj fjalës së lirë sjell për shoqëritë e lira.

Liria e fjalës ushqen një larmi idesh, qasje të paparashikuara më krijuese për një çështje. Një forum publik i hapur ndaj një larmie të pafund të mendimit njerëzor prodhon zgjidhje më efikase për problemet që sfidojnë shoqëritë. Për shembull, organizatorët e kësaj konference ftuan më shumë se njërin prej nesh për të mbajtur fjalime këtë mëngjes, në kërkim të një larmie pikëpamjesh për një çështje të vështirë.

Fjala e lirë është gjithashtu edhe valvula e sigurisë së shoqërisë. Në fund edhe të debateve më të diskutueshme publike mbi temat më të kundërshtueshme, anëtarët e një shoqërie të lirë mund të largohen duke e ditur se kishin një mundësi për të thënë fjalën e tyre, pavarësisht përfundimit.

Mbi të gjitha, fjala e lirë i ka dhënë formë thelbit të demokracisë që nga lindja e saj në Ballkanin Perëndimor pothuajse 2,500 vjet më parë. Demokratët e Athinës krijuan një qeveri të bindjes, të arsyetimit racional: një qeveri të fjalës. Fjala e lirë është fryma e demokracisë. Mbyte atë, ndërprite rrjedhën e saj dhe trupi politik mund të vdesë.

Nga ana tjetër, fryma e mospajtimit ka fuqinë për të tronditur një shtet policor. Kjo është arsyeja pse diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë. Ata mund të mbijetojnë vetëm nëse mohojnë fjalën e lirë të popullit të tyre. Kur ata e privojnë shoqërinë e tyre nga oksigjeni, që është fjala e lirë, demokracia vuan dhe kalbet. Shqipëria u zgjua nga makthi komunist i kontrollit të fjalës jo më larg se 30 vitet e fundit. Shumë prej jush e dinë shumë mirë se si është të jetosh me frikën e pasojave të paparashikuara të fjalëve të tua. Shumë prej jush u rritën në një shoqëri në të cilën një fjalë e thënë rastësisht mund të të çonte në burg, punë të detyruar dhe tortura. Ju nuk duhet të ktheheni më kurrë në atë shoqëri.

Liria e fjalës nuk është licensë për të thënë çfarë të duam, pavarësisht nga pasojat. Edhe ne në Shtetet e Bashkuara vendosim kufij mbi të ashtuquajturat fjalë luftuese dhe forma të tjera të shprehjes që çojnë drejtpërdrejt në dhunë. Por, kufijtë përcaktojnë shoqëritë duke treguar çfarë ato tolerojnë dhe çfarë ato kanë frikë. Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve.

Sërish, nuk është e thjeshtë të përcaktosh kufirin midis fjalës së pranueshme dhe fjalës që provokon dhunë. Prandaj jemi sot këtu – për të shqyrtuar kufijtë e fjalës së lirë. Unë thjesht ju kërkoj që ta vendosni atë kufi në mënyrë të gjerë dhe pa frikë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY