Gjyqet per shpifje i fiton pushteti

Gjyqet per shpifje i fiton pushteti

109
0
Shares

Nga Gjergj Erebara

Kryeministri shqiptar i ka qejf gjyqet për shpifje. Sipas vendimeve të Gjykatës së Lartë të publikuara në faqen e saj në internet, Edi Rama ka ngritur katër akuza për shpifje në këtë gjykatë, nga  të cilat ka humbur dy dhe ka fituar dy. Rama rezulton edhe politikani që ka ngritur më shumë akuza për shpifje ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Problemi është se Rama i ka humbur dy akuzat penale të ngritura ndaj Sali Berishës gjatë kohës kur ishte në opozitë ndërsa ka fituar dy të tjera ndaj deputetëve demokratë gjatë kohës që ishte kryeministër.

BIRN analizoi 18 vendime të Gjykatës së Lartë – ku kjo gjykatë kishte juridiksionin fillestar – të lidhura me shpifjen si vepër penale dhe rezultati ishte pothuajse gjithmonë i njëjtë. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë i kanë dhënë të drejtë njerëzve me pushtet në kurriz të politikanëve në opozitë, ose atyre të rënë nga vakti.

Anësia e dukshme e Gjykatës së Lartë në favor të pushtetit dallohet si gjatë kohës kur vendi qeverisej nga maxhoranca demokrate ose ajo PD-LSI, ashtu edhe gjatë maxhorancës PS-LSI.

Edi Rama ngriti akuzë për shpifje ndaj Sali Berishës në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2009, kohë kur ishte kryetar i Bashkisë Tiranë dhe kryetar i Partisë Socialiste. Rama thoshte se Berisha ishte përgjegjës për veprat penale “Shpifja për shkak të detyrës”  dhe të “Fyerja për shkak të detyrës”. Që të dyja ishin në atë kohë vepra penale që dënoheshin me gjobë deri me burg dhe për të cilat, hetimi bëhej nga prokuroria.

Rama ishte ndjerë i fyer nga një fjalim plot fyerje nga Sali Berisha, në atë kohë, kryeministër i vendit, fjalim i mbajtur në një konferencë për shtyp.

Prokuroria e Përgjithshme vendosi të refuzojë kërkesën e Ramës për ndjekjen penale të Berishës. Në vendimin e pushimit, prokurorët argumentuan se liria e shprehjes në retorikën politike prevalon mbi të drejtën e cënuar. Sipas tyre, Berisha ka “përdorur një retorikë politike, e cila e analizuar në kuptimin literal të fjalëve nuk i drejtohet direkt kallëzuesit por aludohet për sjellje dhe persona të vetës së tretë. Kompozimi i fjalive është në formë pyetëse dhe gjykimi vlerësues por jo konstatues dhe provues të faktit”.

Gjykata e Lartë, kur gjykoi si të saktë vendimin e prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj Berishës, shkoi më tutje duke e rrëzuar pretendimin e Ramës si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Sipas vendimit, Fyerja për Shkak të Detyrës nuk vlen në kontekstin e debatit politik por në rastin kur i fyeri është duke kryer një punë apo shërbim publik. Ndërsa nga përmbajtja, gjykata argumentoi njësoj si prokuroria se mënyra e formulimit të fjalive prej Berishës i bënte fjalët e tij të ishin jo fakte, por pyetje dhe opinione.

Pak muaj më vonë, në maj 2010, nëna e kryeministrit Aneta Rama iu drejtua Gjykatës së Lartë me kallëzim për veprën penale “Shpifje e kryer botërisht”, në atë kohë e dënueshme gjithashtu me burg. Aneta Rama u ankua për një pjesë të fjalimit fyes të Berishës për të cilin ishte ngritur kallëzimi i parë në Prokurorinë e Përgjithshme, por kësaj here nuk bëhej fjalë për fyerjen për shkak të detyrës, por për shpifje ndaj një qytetareje. Gjykata e rrëzoi atë në të njëjtën mënyrë. Sipas saj, “fakti i sjellë përpara gjykatës, fragmenti i fjalës së Kryeministrit në Kuvend, në datën 26.11.2009, nuk përmban thënie të qëllimshme, të rreme që cenojnë nderin dhe dinjitetin e zonjës Aneta Rama” si dhe “nuk rezulton se kërkuesja Aneta Rama të jetë personi i dëmtuar nga thëniet e cituara”.

Tre nga pesë anëtarët e trupës gjykuese e rrëzuan akuzën. Rama u mbështet nga gjyqtarët Majlinda Andrea dhe Ardian Dvorani.

Rama pati më shumë shans me Gjykatën e Lartë pasi mori pushtetin në vitin 2013. Në këtë kohë, Shpifja ishte hequr si vepër penale që dënohej me burg, por vijonte të ishte si kundravajtje penale që dënohet me gjobë.

Në qershor 2015, Rama ngriti akuza penale ndaj deputetit të opozitës Edi Paloka. Ky i fundit akuzoi publikisht se e ashtuquajtura Banda e Shullazit po vepronte prej kohës në liri të plotë dhe e papenguar nga policia për shkak se kishte mbrojtjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Paloka u dënua me 200 mijë lekë gjobë, pasi Gjykata e Lartë argumentoi se të gjitha fjalët e tij përbënin shpifje dhe se Paloka nuk kishte dhënë prova për të vërtetuar saktësinë e deklaratës së tij. Gjykata spërdridhet disi kur argumenton se referuar të drejtës Europiane, fjalimet politike kanë liri të gjerë veprimi.

“Është e vërtetë”, shkruan gjykata, “se neni 10/2 i Konventës lë pak hapësirë për kufizime ndaj fjalimeve politike apo për debate për çështje te një interesi publik”. Megjithatë, gjykata në këtë rast argumentoi se, Paloka, ndryshe nga Berisha, nuk i kishte zgjedhur siç duhet fjalët për të thënë opinione, por i kishte thënë si fakte.

Po në të njëjtën kohë, Edi Rama hodhi në gjyq deputetin e opozitës Arben Ristani. Ai gjithashtu kishte akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se mbështeste dhe ndihmonte Emiljano Shullazin dhe bandën e tij.

Prokuroria e Përgjithshme, në qëndrimin e saj në këtë gjyq theksoi se “një pjesë e thënieve” të Ristanit përbënin shpifje, por argumentoi se kjo nuk ishte vepër penale për shkak se i akuzuari i ka bërë këto shpifje “për shkak të detyrës së akuzuesit”. Shpifja për shkak të detyrës ka qenë një vepër penale veçmas shpifjes dhe që dënohej nga gjobë deri me dy vjet burg. Kuvendi i Shqipërisë e shfuqizoi këtë nen në vitin 2012. Sipas argumentit të prokurorisë, për shkak se shpifja ishte kryer ndaj Edi Ramës si kryeministër dhe jo ndaj një qytetari privat, atëherë çështja duhet të pushohet.

Gjykata e Lartë i hyri edhe një herë argumentimit me referencë të drejtën Europiane dhe në fund, shpalli Ristanin të pafajshëm për veprën penale të fyerjes. Ai u shpall fajtor për veprën penale të shpifjes dhe u dënua me 200 mijë lekë gjobë.

Kryeministri duket se nuk doli shumë i lumtur nga shpallja fajtore e dy deputetëve dhe dënimin e tyre me gjobë. Në nëntor 2015, Kryeministri Edi Rama, me nismë të tij personale, kërkoi në Kuvendin e Shqipërisë ndryshime në Kodin Penal, për të shpallur edhe një herë, shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë si vepër penale. I parë në kontekst historik, propozimi i Ramës ishte ekstrem dhe më i egër se sa vepra penale “Shpifja për shkak të detyrës” e shfuqizuar në vitin 2012. Kodi i vjetër penal parashikonte dënim me gjobë ose burg deri në dy vjet për shpifjen që bëhet ndaj punonjësit me detyrë shtetërore. Propozimi i Ramës ishte për gjobë ose burg deri në tre vjet për “shpifjen që i atribuon një zyrtari të lartë një fakt që parashikohet nga ligji si vepër penale”. Një nen i konceptuar ngushtësisht për interes të “zyrtarëve të lartë”, të cilëve, nëse i thua “i korruptuar”, dënohesh sepse korrupsioni njihet nga ligji si vepër penale.

Një protestë e fortë brenda dhe jashtë Shqipërisë detyroi Ramën të tërheqë propozimin “për përmirësim” pas afro 12 orësh nga çasti që media zbuloi ekzistencën e tij.

Ndryshe nga Rama, Berisha është personi më shpesh i akuzuar në Gjykatën e Lartë për shpifje. Një numër politikanësh dhe biznesmenësh e kanë akuzuar atë pesë herë për shpifje. Përveç Edi Ramës dhe Aneta Ramës, ish-deputeti Koço Kokëdhima, deputeti Dashamir Peza dhe biznesmeni Artan Dulaku i janë drejtuar gjykatës për fjalimet e pafundme të Berishës gjatë viteve 2008 e më pas, kohë kur qeverisja e Berishës u zu ngushtë nga skandalet e njëpasnnjëshme, të tilla si shkatërrimi i fshatit Jalë nga fadromat e ndërtimores, shpërthimi i bazës ushtarake të Gërdecit, akuzat për abuzim me detyrën ndaj Lulzim Bashës për Rrugën Durrës – Kukës apo aktivitetet e biznesit të familjarëve të Berishës. Që të gjithë e kallëzuan atë kur ai ishte kryeministër dhe në të gjitha rastet, Gjykata e Lartë ka rrëzuar pretendimet.

Në Gjykatën e Lartë janë trajtuar edhe raste të tjera përplasjesh politikashës në nivelit më të ulët ose të qytetarëve përballë politikanëve. Është një rastësi me probabilitet shumë të ulët që të gjithë fituesit kanë qëlluar në pushtet ose në nivel më të lartë se sa humbësit.

Në vitin 2010, deputeti socialist Asllan Dogjani akuzoi atë demokrat Fatos Hoxha për shkak të një fjalimi që ky i fundit kishte mbajtur në Kukës dhe që ishte transmetuar në televizionin vendor. Në fjalim, Hoxha e shpalli Dogjanin “bastard” dhe “bashkëpunëtor të Aldo Bares”. Avokatja e Hoxhës, Erinda Ballanca, argumentoi para Gjykatës së Lartë se kjo ishte një përplasje politike dhe jo personale dhe si e tillë, nuk mund të gjykohej si shpifje.

Gjykata e Lartë i dha të drejtë, çështja u pushua.

Në vitin 2015, deputeti socialist Tom Doshi sapo kishte rënë nga rradhët e socialistëve pasi denoncoi Ilir Metën, në atë kohë kryetar i Kuvendit, se kishte porositur një vrasës me pagesë për të. Një muaj më vonë, Doshi iu drejtua me kallëzim për shpifje Gjykatës së Lartë kundër deputetit Spartak Braho, Ky i fundit kishte deklaruar se një vërtetim mjekësor që Doshi kishte paraqitur në parlament “ishte i falsifikuar”. Gjykata i dha të drejtë Brahos. Sipas saj, Braho kishte të drejtë të dyshonte në vërtetësinë e vërtetimit mjekësor dhe se ai nuk kishte thënë si fakt se vërtetimi ishte i rremë, por ai kishte “ngritur dyshime”. Një nga pesë anëtarët e trupës gjykuese pati mendim ndryshe. Ai argumentoi në minorancë se për shkak se Braho kishte deklaruar publikisht si të pavërtetë dhe “fakt rrënqethës” vërtetimin mjekësor, kjo përbënte cënim të dinjitetit të Doshit.

Në një rast më të freskët, në vitin 2016, ish-kryebashkiaku i Kukësit Hasan Halilaj, i cili pasi drejtoi Kukësin për dy mandate për Partinë Demokratike, garoi më 2015 për koalicionin PS-LSI, u ankua në Gjykatën e Lartë ndaj deputetit demokrat Flamur Noka. Noka kishte thënë në një takim elektoral se Hasan Halilaj “ka miliona euro” mes të tjerave. Halilaj i humbi zgjedhjet e vitit 2015. Ai argumentoi se nuk dispononte llogari bankare me miliona euro, siç kishte thënë Noka. Gjykata argumentoi se liria e shprehjes është veçanërisht e rëndësishme për politikanët dhe shpalli Nokën të pafajshëm.

Politikanët nuk janë përballur vetëm me njëri-tjetrin për çështje shpifjeje. Ato janë përballur edhe me shtetas të ndryshëm. Në një rast të tillë, një biznesmen me emrin Arjan Çukaj, administrator i kompanisë Ferrar akuzoi për shpifje deputeten socialiste Ermonela Felaj. Kjo e fundit kishte folur në Kuvendin e Shqipërisë duke aluduar se qeveria demokrate e kohës e kishte favorizuar Çukajn për një leje koncesionare për hidrocentral. Felaj u mbrojt duke argumentuar se “shpifja” nuk mund të ekzistojë kundër një “personi juridik” për shkak se ajo kishte folur për kompaninë Ferrar dhe jo për z. Çukaj. Gjykata e Lartë argumentoi se znj. Felaj, për shkak se është deputete, është e papërgjegjshme për fjalët e saj.

“Paragrafi i parë i nenit 73 [i kushtetutës], duke parashikuar papërgjegjshmërinë e anëtarit të Kuvendit, jep garanci relative në lidhje me diskutimet parlamentare, me objektiv sigurimin e lirisë maksimale të shprehjes së deputetit, pa kufizime që mund të shkaktohen prej vetëdijes se mund të mbajë ndonjë lloj përgjegjësie në të ardhmen për veprimtarinë e tij parlamentare,” argumentohet në vendim. Rrjedhimisht fitoi Felaj.

Të dhënat mbi çështjet në Gjykatën e Lartë tregojnë se politikanët në pushtet kanë më shumë gjasa të fitojnë në krahasim me ato në opozitë. Rezultatet e gjyqeve të tilla në gjykatat e zakonshme janë më të vështira për t’u analizuar, pasi ato nuk publikohen në internet siç është rasti me vendimet e Gjykatës së Lartë.

Një valë gjyqesh me bazë shpifjen mbërtheu politikën shqiptare pas vitit 2009, si në gjykatat e zakonshme ashtu edhe në Gjykatën e Lartë. Një numër politikanësh kallëzuan njëri-tjetrin. Ishte koha kur qeverisja e Partisë Demokratike dhe më pas, ajo e PD-LSI u zu në një numër të lartë skandalesh publike. Berisha vetë mbajti fjalën që kishte dhënë në 2005 që të mos ngrinte akuza penale për shpifje ndaj medias. Ai kishte fituar vendin e dhjetë në listën e armiqve botërorë të medias të hartuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve për vitin 1997 për shkak se vendosi cenzurë paraprake për median dhunoi gazetarët dhe, aludohet, dogji gazetën Koha Jonë, pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në përpjekje të kotë për të shpëtuar pushtetin e vet pas shpërthimit të protestave të shkaktuara nga rënia e skemave piramidale. Por ndryshe nga Berisha, familjarët e tij dhe politikanë të nivelit të ulët, e bënë një si tip sporti t’i drejtoheshin gjykatës për fjalime të ndryshme, duke kërkuar gjoba të majme. Taulant Balla, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi e Ermonela Felaj panë dyert e gjykatave të akuzuar për shpifje, para se të ndërronin vend dhe të ktheheshin nga të akuzuar në akuzues. Siç është e zakonshme për sistemin gjyqësor shqiptar edhe këto gjyqe zgjatën me vite dhe është e vështirë të shihet se si përfunduan.

Link: Lista me çështje për shpifje në Gjykatën e Lartë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY