Turizmi malor në Alpe, një paketë bashkëpunimi për të zbehur kufinjtë mes...

Turizmi malor në Alpe, një paketë bashkëpunimi për të zbehur kufinjtë mes njerëzve

1867
0
Shares

Shtegu “Majat e Ballkanit” e ka zgjuar jetën mes maleve që qarkojnë Alpet në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Por deri tani turistët po shijojnë më shumë se sa ata që jetojnë atje. Por vetëm për pak kohë. Gjithandej po fillon të ngjallet biznesi në male, krejt I panjohur për një pjesë të banorëve që jetojnë në këto zona të mrekullueshme, të izoluara dhe të egra.

Sa përfitojnë banorët e shtegut

Përgjatë udhetimit në pjesën shqiptare të shtegut është vështirë të gjesh ndonjë kamping përvec atij në Çerem dhe hoteleve dhe bujtinave në Valbonë,  pjesa tjetër e udhëtimit përshkon disa nga bjeshkët më të njohura të zonës por ndërtimet në përgjithësi janë të rralla dhe me standarte të ulëta për të pritur turistë. Në Dobërdol është një bujtinë e cila rezervohet që në fillim të kësaj stine. Për turistët pa vëmëndje ndaj akomodimit, e vetmja mundësi mbetet të gjejnë një stan.

“Pronari, një bari i moshuar me zemër, i veshur me një palë çizme plastike dhe një kapak të vjetër me pluhur, është i vendosur të na bëjë të provojmë çdo lloj rakie që ka prodhuar vitet e fundit. Ky shnaps balkanik dihet se është shumë i fortë por bariu i vjetër është i talentuar: rakia e tij është gjithashtu shumë i mirë! Ajo na ngroh më shumë se cdo gjë tjetër. Rakia është ilaçi natyror ballkanik kundër erës së ftohtë të malit që futet paprerë nëpër çdo vrimë të mureve vec me gurë të stanit”, shkruan faqja M. & Mme Shoes që ka hedhur shënimet e tij në një guidë të thjeshtë orientuese për “Majat e Ballkanit”.

“Më në fund, ata nuk duan të dëgjojnë asgjë kur insistojmë të paguajmë për kafet tona. Ne lëmë  2 € gati në mënyrë të fshehtë në një pjatëz në tavolinë. Kështu funksionon këtu. Guida shqiptare që takuam në Theth na këshilloi të bënim këtë, “për të ndihmuar ekonominë vendore”, sikurse tha ai.

Një ndër specialistët e turizimit në zyrën e informacionit në Plavë, Emir Feratovic thotë se shpenzimet për një turist janë shumë të vogla dhe mjaft tërheqëse. “Çmimet janë të lira qoftë për fjetje e qoftë për ushqim. 15 euro një natë për një person kushton akomodimi ndërsa dreka shkon deri në 10 euro. Natyrisht që janë cmime të lira për turistët por jo për ne”, thotë Feratovic.

Emir Feratoviç

Por dy pika po konsolidohen gjithnjë e më shumë në biznesin e turizmit malor me mjaft sukses. Të dyja ndodhen në Shqipëri: Janë Thethi dhe Valbona. Ndërsa ato në Kosovë si në bjeshkët Isniqit, Rugovës, Rroshkodolit e kanë kapërcyer tashmë sfidën e fillimit të një biznesi në male.

Në 1990-n, Thethi kishte rreth në 1200 banorë dhe shkollën e mesme. Përgjatë viteve të tranzicionit banorët u larguan dhe në 2008 në Theth kishte vetëm 7 shtëpi. Banorët e kishin braktisur dhe në mungesë të rrugës dhe izolimit të plotë shpresa mungonte plotësisht. “Shtëpia e familjes Harusha është njëra prej dhjetë a dymbëdhjetë familjeve të Thethit që mikpresin e strehojnë turistë. Bujtina ka tre dhoma me nga katër krevate secila dhe dy banja. Gratë dhe vajzat e familjes vështirë se mund të shihen. Janë shumë të zëna me punë. Burrat kanë më shumë kohë në dispozicion për të qëndruar nën hijen e një molle duke pirë kafe e duke kuvenduar. Me naivitet prisja që Thethi të kishte një qendër fshati, ku shqiptarët mblidhen e kuvendojnë në një kafe. Në Theth nuk qe një e tillë. Gjithsej 15 familje, jetojnë atje përgjatë gjithë vitit. Janë të ndara në katër apo pesë lagje”, shkruan Gjergj Erebara në një reportazh të shkruar në vitin 2008.

Por sot fshati zhurmon nga turistët. Megjithatë nuk ështe e lehtë të gjesh vizitorë vijnë në ditë në Theth në një ditë, sa kapacitete akomoduese ka dhe si ka qenë prirja nga viti në vit.  Në një ditë në Theth vijnë 300-400 turistë, 500 turistë kalojnë natën në këtë fshat. Në vitin 2017 e vizituan rreth 40 mijë turistë ndërsa përgjatë 2018 mendohet se ky numër u shtua me gati 10 mijë të tjerë. (video nga thethi, foto)

Ndërsa sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, Thethi ka një kapacitet akomodimi prej 1200 shtretër dhe kalojnë natën aty rreth 100 vizitorë. Ai e radhit Thethin, si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peisazhit dhe të historisë e mitologjisë, në një intervistë për revistën Monitor dhënë në vitin 2018.

Disa qindra turistë që flenë në kampingje të ngritur nga vetë ata pa paguar asgjë edhe pse cmimet në bujtina janë mjaft tërheqëse, sidomos  për një turist të huaj, sic duket nuk janë future në llogari.

Foto dhe video me turistë të vetakomoduar, në Guci dhe Valbonë

Një bujtinë ofron fjetjen për rreth 15-20 euro për krevat në natë ndërsa bashkë me mëngjesin e dhe darkën të përfshirë nuk i kalon të 25 eurot. Turizmi fillon në maj dhe vijon deri në tetor.

Më shumë se 50 familje janë të lidhura me turizmin, nga të cilat 40 ofrojnë kushte banimi dhe ushqimi në shtëpitë e tyre karakteristike prej guri, sipas të dhënave nga GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar), e cila prej 14 vitesh ka mbështetur zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

Ndërkaq një zyrë lokale që trajton edhe turizmin ka shifra të tjera. “72 bujtina janë sot(2017) vetëm në Theth me afërsisht 1000 shtretër. Kjo gjë ka bërë që, sipas institucioneve, numri mesatar ditor i vizitorëve të arrijë në 300-500 njerëz dhe gjatë fundjavave korrik-gusht, Thethi të presë edhe 1000 vizitorë në ditë” shkruan gazetari Erblin Vukaj në blogun e tij mbështetur në të dhënat e Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore në Shkodër.

Kjo kakofoni shifrash tregon se nuk ka një monitorim në vijimësi të turizmit malor nga institucionet shtetërore dhe shpesh herë shifrat e përfshira në raportime nuk rakordohen apo verifikohen në terren. Por nëse ne flasim tani për shifrat, ky është një tregues se në përgjithësi turizmi malor, edhe atje ku shënon rritje dhe sukses, është i zhvilluar kryesisht sipas inisiativave individuale, i varur nga rastësitë dhe nuk zhvillohet sipas një strategjie të mirëmenduar dhe me objektiva të qarta.

Thethi ka numëruar në vitin 2015 më shumë se 16 mijë turistë, me të ardhura të përllogaritura prej më shumë se 350 mijë eurosh.

Ritmi i të ardhurave nga turizmi në Theth për 6 vite, 2007-2015

Kjo sasi parash që shkoi në të paktën 50 bujtina nuk është ndonjë shumë entuziaste, por megjithatë informaliteti është i madh. Shifra e mësipërme mund të jetë e llogaritur me përafërsi dhe mbi raportime në organet tatimore. Në realitet mund të jetë disa herë më e madhe duke patur parasysh numrin e turistëve që hyjnë e dalin në Theth.

Shpenzimet totale të turistëve, sipas një vëzhgimi të GIZ, llogariten në rreth 41 euro në ditë (akomodimi, ushqimi, guida, transporti etj.), duke e bërë turizmin malor me kosto të ulëta (83% e shpenzimeve shkojnë për fjetje, ushqim dhe transport).

Ndërkaq në Valbonë ka rreth 1600 shtretër. Zhvillimi i hotelerisë në atë fshat ka marrë një hov të madh. Në pak muaj pritet të inagurohet edhe një hotel me 5 yje, i pari i këtij komoditeti në këtë zonë. Çmimet e hoteleve variojnë nga 25 euro nata përfshirë mëngjesin deri në 60 euro nata. Ndërsa në bujtina çmimet për krevat dhe ushqim janë njësoj si në Theth. (pamje me dron te Valbonës dhe foto)

Valbona ka pritur në vitin 2018 nga 60-80 mijë turistë. Por megjithëse të ardhurat janë të mira, shërbimi ende lë të për të dëshiruar dhe në pikun e frekuentimit si në muajin gusht mund të kësh problem me ushqimin dhe akomodimin. Banorët kanë investuar në banesa, bujtina dhe aspekte që lidhen kryesisht me akomodimin duke lënë pas dore interesin për një furnizim me ushqim lokal dhe rritur cilësinë e shërbimit.

Megjithatë ky problem nuk ka stepur turistët. Ata që janë vendas shpenzojnë më shumë pasi duan pushim të rehatshëm ndërsa të huajt kryesisht vijnë si shtegtarë të Majave të Ballkanit, flenë në çadra dhe ushqehen me modesti apo me ushqime që i kanë marrë me vete në vende të tjera. Mund të kalojnë një natë në Valbonë dhe nuk shpenzojnë asnjë kacidhe, sidomos turistë në mosha të reja ose ata që janë të vetmuar. (foto dhe video nga turistë në cadra dhe makina)

Për dy vjet rresht, 2014-2015, GIZ ka zhvilluar një studim me turistë, tur-operatorë dhe me aktorë të tjerë të turizmit në zonat malore të Majave të Ballkanit (që nga pala shqiptare përfaqëson Thethin, Valbonën, Çeremin, Dobërdolin).

Pothuajse të gjithë turistët e huaj të pyetur (98%) që kanë qëndruar në bujtinat e lidhura me “Majat e Ballkanit” përgjigjen se janë të kënaqur me akomodimin (“Po” dhe “pak a shumë Po”).

Grafiku në lidhje me kënaqësinë e turistëve nga akomodimi (burimi: GIZ)

“Pra është një tregues shumë i mirë, ruajtja e të cilit do të kërkojë shumë punë”, thotë Ismail Beka i GIZ për një revistë ekonomike në Shqipëri, Monitor.

 

Por në Kosovë dhe Malin e Zi…

Bjeshkët e Kosovës që shtrihen në kufi me Shqipërinë dhe Malin e Zi kanë një nivel tjetër zhvillimi.  Nëse stanet në bjeshkët shqiptare janë mjaft modeste dhe rrallë ka bujtinë të ndërtuar për të pritur mysafirë, në Kosovë kjo kohë duket sikur ka kohë që ka kaluar. Stani në bjeshkët e Tropojës është i ndërtuar me mur guri rreth 2 metra i ngritur mbi tokë.

Stan në bjeshkën e Pojanës, Tropojë

Stanishtë në bjeshkën e Sylbicës, Tropojë

Njëra pjesë e stanit është e ndarë për fjetje, tjetra për qëndrim dhe ngrënie. Stufa për djegien me dru përdoren për gatim dhe ngrohje. Në pjesën më të madhe të bjeshkëve mungon energjia dhe ndriçimi bëhet ose me panele me bateri ose me qirinj, llamba me vajguri ose thjesht elektrikë dore. Valët e telefonisë celulare mungojnë në përgjithësi dhe barinjtë kanë identifikuar vetëm disa zona ku telefoni mund të kapë ndonjë sinjal. Shpeshherë këto zona janë larg staneve, apo larg shtigjeve.

Ndërsa në Kosovë stanet janë më komode ndërkaq shumica e barinjve apo banorëve që preferojnë bjeshkët jetojnë në bujtina të vogla prej druri apo prej guri. Nuk mungon elektriciteti dhe rrugët në përgjithësi përshkohen pa shumë vështurësi nga makinat deri në majat më të larta.

Pamje me dron, stan në Kosovë

“Kemi një bujtinë dhe turistët  mund të shijojnë produktet e bulmetit, djathë, kos, qumësht, maze, leqenik, bukë , fli. Kemi solar, banjo, dhoma fjetje me të gjitha pajisjet. Të shtunave e të dielave ka shumë turistë”, thotë Mustaf Mehmetaj, fermer nga Isniqi në bjeshkën e Rroshkodolit, i cili ka një tufë porej 160 delesh e llojit bardhokë , ndërsa ka ngritur një biznes ku përfshihen restoranti, akomodimi dhe të ardhurat nga shitja e produkteve blegtorale nga tufa e madhe e deleve. (video nga intervista)

Mustaf Mehmetaj, fermer, Isniq, Kosovë

Ndërkaq në Malin e Zi ka një mungesë që bie në sy në lidhje me hotelerinë. Sipas ekspertit të turizmit në qytetin e  Plavës, Emir Feratovic numri i hoteleve në qytet është mjaft i kufizuar, ndërsa turistët akomodohen kryesisht në bujtina në qytetin e Plavës, Guci dhe Vuthaj. Plava nuk ka asnjë agjenci turistike, por vetëm agjenci udhëtimi që rregullon vajtje ardhjet nga Plava në Pejë apo në drejtimin e Podgoricës.

Në hyrje të Parkut Kombëtar të Bjeshkwëve në Mal të Zi, Gucia, një tregues pwër turistët në Plavë

Banorët e këtyre qyteveve dhe fshtarave shtrihen përgjatë Parkut Kombëtar të Bjeshkëve. Qeveria e Malit të Zi ka marrë masa të forta mbrojtëse për këtë zonë duke ndaluar ndërtimet, rrugët dhe aktivitete të tjera që do të siguronin të ardhura për banorët vendas.

Tahir Gjonbalaj

Tahir Gjonbalaj, inxhinier ndërtimi, aktivist i njohur në zonën e Plavës dhe Gucisë thotë se qeveria malazese nuk inkurajon zhvillimin e industrisë turistike në këto hapësira në atë mënyrë që banorët vendas të kishin përfitime.

Mjafton të shikosh këtë godinë pas meje, thotë ai duke treguar mullin tek Krojet e Ali Pashës pak kilometra nga Gucia,  për të kuptuar se pengesë për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të Malit të Zi është vetë shteti. Potenciali turistik është shumë i madh dhe pasuria është e pashfrytëzuar. Ky është mulliri i Adem Dervishit, ai ndodhet në SHBA,  shteti ia ktheu pronën vite më parë, ndërsa qeveria aktuale nuk e la të shfrytëzonte. 3-4 vitet e fundit janë vjedhë të gjitha pajisjet dhe ka qene pika më atraktive e turizmit”, shpjegon Gjonbalaj. (Intervista me Tahir Gjonabalaj).

Krojet e Ali Pashës, Guci, Mali i Zi

“Janë në një vend të gjitha mundësitë e zhvillimit të turizmit, bujtina, ecja nëpër male me turizmin ekstrem, ka mundësi për turizmin alpin dimëror dhe veror, ushqimet tradicionale të krahinës. Nuk i shfrytëzojnë as vetëm 5 % të kapaciteteve. Interesimi i shtetit është i vogël për zhvillimin e turizmit këtyre zonave.

Pengesa kryesore është shpërngulja e banorëve të kësaj treve dhe pamundësia e qeverisë për të ofruar dokumentacionin për zhvillimin dhe ndërtimin e objekteve të ndryshme të infrastrukturës për akomodimin e turistëve.

Deri nga vitet 90 kishte një zonë të ndaluar 5 km në kufij me Shqipërinë dhe atëherë nuk shfrytëzohej, më pas u shpall parku kombetar i bjeshkëve të ku pamundësohet shfrytëzimi i këtyre kullotave për mirëqënien ekonomike”, rrëfen Gjonbalaj.

Ai përshkruan asetet turistike në zonën e Plavës e Gucisë ku ka maje të larta si Kollata, maja e Rosit, qasja ndaj majës së Jezercës, ka liqenj natyrale si liqeni i Plavës, liqeni i Shtarës, liqeni i Zanës në lartësi mbi 1800 metra, bukuri e rrallë, ujvara në Vuthaj , syri në Vuthaj, Krojet e Alipashës, ka shpella të thella të paeksploruara në zonën e Belicit.

Ndërsa Plava dhe Gucia duken në vjetrim e sipër, Vuthaj, një fshat pak kilometra më në juglindje të Gucisë është në lulëzim me vila të reja prej guri, lëndina dhe fill më pas një pyll që të shpie në bjeshkët e Parkut Kombëtar drejt majave të Kollatës apo Rosit.

Lart, pamje nga Vuthaj, shtwpi të reja, shumë komode ndërtuar me gurë; poshtë: kamping në Vuthaj

Vuthaj ka tani kapacitete akomoduese deri në 500 shtretër të cilët shfrytëzohen nga një numër turistësh që nuk i kalon 15 mijë të tillë në sezon që mund të kalojnë rreth 30 mijë netë.

Një prej problemeve është shpërngulja e banorëve prej këtyre zonave malore me pak resurse për të jetuar nëse turizmi nuk i furnizon ata me fitim. Naser Vuçetaj, banor i Vuthaj, emigrant në Zvicër prej shumë vitesh, thotë se banorët e këtyre zonave janë larguar për 40 vitet e fundit në në një numër të madh. Ka pasë shumë largime sidomos nga shqiptarët të cilët në vitin 1990 zinin afro 7% të popullsisë së Malit të Zi tani janë pak më shumë se 4%.

Vuçeta thotë se institucionet shtetërore po pengojnë. “Po të ishte në një zonë tjetër të Malit të Zi pyes a do të mbetej kaq e pazhvilluar. Ka shumë pengesa administrative dhe banorë të zonës që kanë pasuri në perëndim duan të investojnë këtu. Ka pasë shumë raste që janë hasur pengesa administrative”, shpjegon Vuçeta.

Edhe në këtë zonë që qarkullohet nga “Majat e Ballkanit”, çmimi për një shtrat është 15 euro ndërsa një vakt shkon afërsisht 10 euro, gjithnjë duke paatur parasysh ushqimin tradicional të zonës, kryesisht me mish dhe brumëra por ta gatuara shumë shijshëm.

Turizmi i aventurës:

Nuk është vetëm ecja në shtigjet malore. Ka pafund mundësi të turizmit të aventurës që është vetëm në fillimet e veta. Në pjesën jugore të Thethit është Kanioni i Grunasit rreth 2 kilometra i gjatë. Gjerësia e tij herë shfaqet vetëm 2-3 metra e herë shkon në 40 metra. Gjithë kohës ka ujë të mjaftueshëm, i kristaltë dhe i ftohtë, për të pasionuarit e lundrimit me kanoe.

Thethi shtrihet në një luginë rreth 700 metra mbi nivelin e detit dhe është i rrethuar nga 12 majat më të larta të Shqipërisë ku më të njohurat janë maja e Jezercës, që është e dyta në Shqipëri (2679 metra), Papluka (2569 metra), Alije (2471 metra), Qafa e Valbonës (1876 metra), Shtegu i Dhenve (2104 metra) dhe Radohima (2567 metra). Pothuajse dy të tretat e parkut janë të mbuluara në pemë; në shumë vende, terreni i pjerrët i pyllëzuar është aq i paarritshëm për njerëzit si të jetë një “pyll i lashtë”. Është një vend ideal për alpinistët, të cilët janë të shumtë.

Ndërsa në Valbonë mbetet sfidë udhëtimi nëpër bjeshkët e Krasniqes. Por Lulëzim Logu, poet nga Tropoja dhe njohës i mirë i turizmit në këtë zonë thotë se ka mjaft shpella që mund të eksplorohen nga speliologët. Disa prej turistëve eksperimentojnë edhe lundrimin përgjatë kanioneve që krijon lumi në zonën e Klisyrës dhe Dragobisë përgjatë luginës së Valbonës.

Ndërkaq në Guci sërish ka shpella të thella të paeksploruara në zonën e Beliçit, thotë Tahir Gjonbalaj, një aktivist nga Vuthaj i Malit të Zi.

Por Kosova është sërish më përpara në lidhje me këtë lloj turizmi duke zhvilluar turizmin dimëror, skijimin. Revista më e njohur si Ski-magazinë në shtetet Skandinave ne  mars në 2018 e radhitë Junikun dhe Bjeshkët e Junikut që i përkasin Kosovës, në kufi me shtegun “Majat e Ballkanit”, si destinacionin më të mirë në Evropë për skijim në free-ride dhe i kushton një shkrim plot 9 faqe vetëm Junikut dhe operatorit Lynx-freeride. (foto galeri dhe video me skijim në këtë zonë)

Sfidat e tjera të turizmit malor

Nëse udhëtoni drejt Thethit duke u nisur nga Shkodra, rruga është e asfaltuar deri në Bogë. Ndaloni në Qafë-Thore një pikëvështrimi e jashtëzkonshme për peisazhin që të ofrohet, por më pas nis një rrugë plot gropa prej 17 kilometrash e cila kalon buzë greminave me lartësi të mëdha dhe mund të udhëtohet vetëm me makina të larta.

Pritet të kryhet asfaltimi i rrugës por megjithatë në dimër kjo rrugë mbushet me rreth 2 metra borë dhe është e mundur që sërish në dimër Thethi të mbetet i bllokuar. Ndoshta më mirë është të zgjidhet një variant tjetër për rrugën që kalon nga Prekali e Shoshi, hapur që më 1970 dhe që lejon kalimin edhe në dimër nëse rruga është e asfaltuar.

Ndërkaq një numë ri madh turistësh kryesisht vendas preferojnë të shkojnë në Valbonë përmes luginës së liqenit të Vaut të Dejës dhe më pas Liqenit të Komanit. Por rruga nga Vau i Dejës deri në Koman, rreth 40 km është e prishur dhe për më keq pothuajse e pariparuar që prej më shumë se dhjetë vitesh. Rruga mezi përshkrohet për një orë. Shumë udhëtarë e shmangin dhe marrin rrugën për autostradën që kalon në Kosovë duke lënë mënjanë turit të tyre turistik një nga pamjet më të rralla, liqenin e Komanit që përfundon në Fierzë rreth 40 km larg nga qendra e Valbonës, ose 15 km nga aty ku nis lugina.

Pamje nga liqeni i Komanit

I njëjti problem shfaqet edhe në pjesën tjetër të zonave turistike të Tropojës. Rrugët e bjeshkëve janë ndërtuar pa ndonjë projekt, kryesisht me investime të vetë banorëve apo bizneseve vendas. Janë rreth 100 km rrugë që kanë nevojë riparimin e përvitshëm, larg standarteve të një rrugë të pranueshme dhe që në shumë raste kanë ndotur mjedisin duke përshkruar pa kurrfarë rregulli lëndinat, kullotat e luginat e bukura të bjeshkëve nga kalojnë.

Pamje nga rrugët e bjeshkëve, Tropojë

Rruga përgjatë Lumit të Tropojës është ndërtuar pa kritere teknike dhe njëjta gjë mund të thuhet pothaujse për të gjitha rrugës që degëzohen mes Valbonës dhe Ujezës në krahun lindor të masivit të bjeshkëve të Tropojës, si rruga e Sylbicës, ajo e bjeshkëev të Krasniqes, e Dobërdolit, Pojanës etj. Në fakt këto rrugë kanë lehtësuar lëvizjen e banorëve në Alpe, nisjen e bizneseve modeste, por me një kosto për mjedisin por edhe për të ardhmen afatgjatë të industrisë së turizmit malor në këto zona.

Është ndërtuar një projektzhvillimi për zonën por nuk zbatohet për shkak të mungesës së financimeve nga qeveria apo donatorë të tjerë.

Qeveria shqiptare: Problemet e identifikuara ndër vite për turizmin

Turizmi në Shqipëri përballet me disa probleme sipas qeverisë së Shqipërisë. Ato janë:

– Mungesa e kapaciteteve akomoduese dhe mungesa e akomodimit cilësor. Në zonat që tërheqin më shumë turistë, qofshin këto bregdetare apo jo, numri I shtretërve është shumë i limituar dhe për më tepër me mesatare të ulët për njësi, çka sigurisht që ka efektin e vet edhe mbi numrin total të vizitorëve. Kësaj i shtohet edhe fakti se në shumicën e destinacioneve turistike, strukturat akomoduese janë më së shumti shtëpi private, apartamente e dhoma, të cilat ofrojnë kushte shumë minimale e shërbime të cungura.

– Mungesa e “markave” të njohura hoteliere dhe operatorëve turistikë

– Mungesa e infrastrukturës turistike; Në Shqipëri, përveç bukurive natyrore, infrastruktura shtesë turistike thuajse nuk ekziston fare. Parqet argëtuese dhe ato të rekreacionit, qendrat e konferencave e panaireve, portet e jahteve nga ku mund të nisen mjetet lundruese për turizmin nënujor apo për turizmin detar, etj. nuk janë thuajse fare të pranishme.

– Mungesa e standardizimit dhe sistemit të klasifikimit.Në Shqipëri strukturat akomoduese dhe ofruesit e shërbimeve të tjera turistike nuk janë të klasifikuara në bazë të standardeve për shërbimet që ato ofrojnë.

– Sezoni i shkurtër turistik

– Informaliteti në veprimtaritë turistike

– Zgjidhja e problemit të pronësisë

– Mungesa e investimeve kapitale private pengon konsolidimin e sektorit

– Mungesë e theksuar e trajnimit të të punësuarve në sektorin e turizmit

– Lidhje të pakta përmes transportit ajror dhe detar

– Infrastrukturë e dobët në destinacion; Infrastruktura në destinacionet turistike ende lë për të dëshiruar, duke filluar nga rrjetet energjitike e të ujësjellësit, e duke vazhduar me rrugët lidhëse me destinacionet, hapësirat për parkim etj.

– Mungesa e zhvillimit të një oferte e përfshirë në një destinacion turistik; Përtej atraksioneve natyrore dhe atyre historike-kulturore, oferta turistike e Shqipërisë është e varfër dhe mundësitë e kombinimit të llojeve të ndryshme të turizmit janë të pakëta. Ndonëse mundësitë gjenden në territor, mungesa e një oferte turistike të larmishme e gjithëpërfshirëse, që kombinon më mirë atraksionet turistike, ka kufizuar potencialin për rritjen e netëqëndrimeve të turistëve, rritjen e shpenzimeve të tyre dhe shpërndarjen e ekuilibruar në territor.

– Përdorimi i dobët i Teknologjisë së Informacionit 

Përveç turizmit malor edhe turizëm kulturor

Turizmi kulturor ndoshta do të ishte paketa tjetër e përbashkët turistike mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, që mund të shoqërojë atë të shtegut të Majave të Ballkanit.

Thethi ishte shtëpia e disa albanologëve të shquar në 150 vitet e fundit të cilit ishin britanikë, gjermanë, austriakë, ndërkohë që një njohës i thellë i shqipes Robert Elsie kërkoi që të prehej përgjithmonë në këtë fshat.

Në Qafë-Thore është një pllakë me profilin e Franc Nopçës si dhe një memorial kushtuar Edit Durhamit.

Shkolla e parë në Theth është hapur në vitin 1919 nga Gjeçovi. Ndërsa qysh në vitin 1936 është hapur rruga e makinës dhe është krijuar një agjenci turistike. Më 1956, Thethi u kthye në qendrën e alpinizmit në shkallë vendi ndërsa më 1976, Thethi u shpall park kombëtar me 11 monumente natyre e 8 kulture mes tyre edhe dy kullat e ngujimit, e Thethit dhe e Lotajve.

Historia e virgjëreshave është e njohur fort edhe në Theth e vise të tjera të Dukagjinit. Ka pasur disa të tilla dhe janë përshkruar në dhejtra dokumentarë, revista , gazeta e lajme televizive në të gjithë botën. Virgjëreshat betoheshin se nuk do të martoheshin sidomos në raste kur familja nuk kishte trashëgimtar mashkull dhe visheshin dhe silleshin si burra.

Sokol Koceku, ciceroni i kullës së ngujimit në Theth thotë se të huajt janë të interesuar për Kanunin e Lek Dukagjinit. Nga kanuni kanë mbetë, burrnia, besa dhe tradita, thotë ai ndërsa sugjeron kompanitë turistike që të hartojnë jo vetëm paketa 1 e 2 ditore për në Theth por edhe paketa triditore.

Ciceroni i Kullës së Ngujimit në Theth

Ndërkaq Tropoja dhe Valbona ofrojnë asete të tjera kulturore. Prej disa vitesh zyrtarë të kulturës në këtë rreth por edhe në Tiranë po përpiqen të futin si pasuri të UNESCO, Kcimin e Tropojës, një valle tradicionale e zonës që kërcehet në formë të lirë por me lëvizja mjaft energjike dhe lehtësisht të praktikueshme. Kjo zonë ndërkohë e ka një pasuri të UNESCO, lugina e Lumit të Gashit, e konservuar prej disa vitesh. Turistët mund të ndeshin një histori mjaft interesante, veçmas ata vendës siç është shtëpia e Mic Sokolit, kompleksi historik i qytetit të Bajram Currit, një numër objektesh kulti dhe besimi dhe historitë e tyre si Tyrbja e Dervish Luzhës dhe tjetra e Rexhep Belit, të dy “Nderi i Kombit”. Meloditë popullore shpesh kanë tingëllim të vecantë e të dallueshmë edhe prej zonave fqinje me të, ndërsa veglat muzikore si çifteli, lahutë, tupan prodhojnë nuanca të vecanta të folkut që i gjen vetëm në këtë zonë.

Turistët e huaj duke kërcyer vallen tropojane përgjatë lundrimit me traget në liqenin e Komanit

Lulzim Logu, një poet nga Tropoja dhe ndërkohë activist i shoqërisë civile rendit plot të dhëna në lidhje me vlerat kulturore të zonës që ndërkohë mund të jenë edhe atraksione për turistët vendas dhe të huaj.

Lulzim Logu, poet

“Nuk është vetëm bukuria natyrore dhe ushqimi në Tropojë por është fond i rëndësishëm kultura, historia dhe traditat, qoftë në veshje, kcime, ritet etj si gjama e burrave në Nikaj Mërtur, ritet e nuses, rite mbi gurin, ujërat, kafshët dhe raportet e tyre me njerëzit të cilat janë të kërkuara nga vizitorët.

Është e rëndësishme të praktikohet ciceroni profesional si tek kulla e Mic Sokolit, konferenca e Bujanit, kulla e ngujimit në Nikaj. Po aplikojmë që kcimi i Tropojës të futet në UNESCO, por edhe për këngt e majëkrahut, këngët me gisht në fyt, gjama e burrave, pjesë të ciklit të kreshnikëve, edhe për shumë tradita në zeje si në qylyma, punimi i dekeve, sixhadeve, çergave, objekte që janë përdorur në traditën shtëpiake dhe festive të Tropojës do ta bënin zonën shumë të më të vizitueshme”, thotë Lulzim Logu. (Video e lulzim logut, e këngëtarit me lahutë, e këngëtares Agnesa Brecani)

Në anën e Kosovës, kryesisht Deçani dhe Juniku janë të njohur për kullat e tyre.

Trashëgimia kulturore po funksionalizohet si kullat për fjetje, kulla Din Mehmeti. Ndërkohë një punishte që përpunon leshin për veshjet tradicionale kombëtare ka përfunduar.

Në kullat e Junikut realizohet kthimi në kohë ku përjetohet mënyra e jetesës më e hershme. I tillë është konaku i Ram Zyberit që është bujtinë dhe ofron pushime lokale, fjetje, ushqim siç ka qenë dikur, rrëfen drejtuesja e zyrës së informacionit turistik në Junik.

Në foto, konaku i Ram Zyberit (Marrë nga faqja Juniku në Facebook)

Bajram Çeku, ekspert për turizëm dhe agronomi në komunnë e Deçanit në Kosovë thotë se komuna  po zhvillon krahas turizmit të bjeshkëve edhe turizmin rural në një mënyrë që të dy të furnizojnë njëri tjetrin. Të tilla janë kullat e Isniqit, Deçanit, Drenocit, të cilat përveçse atraktive kanë edhe mundësi akomodimi dhe dhe ushqimi.

Ndërsa Bilal Hadërgjonaj, menaxher i qendrës informuese turistike në Deçan ngre problemin e hapjes për turistët e pushimores së Deçanit e bashkë me të edhe manastirit të Deçanit.

“Tani manastirin e kanë rrethuar por jemi në biseda që të mos pengohet turizmi. Turizmi i Decanit duhet të zhvillohet se nuk është vetëm i Deçanit por i të gjithë vizitorëve ngado që vinë”, thotë Hadërgjonaj.

Ngjitur më bjeshkët që bashkojnë Kosovën me Shqipërinë ndodhet një nga qytetet më interesante të Kosovës, Gjakova.

“Kemi shumë çfarë të themi, kemi çarshinë e vjetër me e madhja veç Stambollir me elementë të stilit otoman, që nuk gjenden diku tjetër. Dy ura të këtij stili, ajo e Terzive dhe e Tabakut, po ashtu janë brenda këtij qyteti.  Jo shumë larg nga qyteti është edhe shpella e Kusarve ku janë gjetur edhe artefakte e vizatime të vjetra”, thotë kryetari i bashkisë së Gjakovës, Ardian Gjini. Ndërkaq po rikthehen krojet e njohura të qytetit sic kanë qenë te lumi Krena. Do të rindërtohet kroi i Sulejman Vokshit. Edhe Krena do ta ketë një karakter, jo vetëm ecjen.

Bisedë me Ardian Gjinin, kryetar i komunës së Gjakovës

Ndërsa qyteti i Gjakovës punon që të marrë turistët e Shtegut për të paktën një natë, diku në bjeshkët e Strellcit kanë nisur riti i qethjes së dhenve.

Riti i qethjesh së dhenve synon të shtojë angazhimin e  njerëzve në blegtori. Riti kryhet përgjatë muajit korrik ku leshi i dhenve është në gjatësinë maksimale dhe koha është shumë e nxehtë.  Pothuajse ndodh njëhkosisht në disa bjeshkë.

Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, pa strategji të përbashkët por të frymëzuar

Vetëm një rrugë që lidh Shqipërinë dhe Malin e Zi në shtegun e “Majave të Ballkanit” e përshkon kufirin mes dy vendeve duke lejuar kalimin normal të njerëzve me automjete. Por kalimet në kufi mes këtyre dy vendeve përballen me dy psikologji të ndryshme , atë të qeverisë së Malit të Zi që nuk e kanë ndermend të prekin natyrën përgjatë Shtegut ndërkohë që e kanë bërë në zona të tjetra, dhe Shqipërisë që e shohin ndërlidhjen me një përfitim të dyanshëm. Turizmi ka filluar të zhvillohet vonë në Shqipëri por kjo fushë e re e përfitimit ekonomik po e shtyn Shqipërinë drejt projekteve ndërkufitare.

Udhëtimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të duhej të ishte ndër më të thjeshtët në Ballkan për shkak të lehtësive kufitare mes dy vendeve, por hapja e pikave të reja doganore që do shkurtonin rrugët nuk duket kaq e lehtë.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në vitin 2017, Ditmir Bushati e vizitoi Shkodrën dhe premtoi se po shihen mundësi të reja të qarkullimit mes dy vendeve dhe sidomos në zonat ku është investuar nga ana e Shqipërisë.

“Ne kemi vendosur një axhendë zhvillimore në tryezë me Malin e Zi, ku kërkojmë jo vetëm thjesht modernizimin e pikave të kalimit kufitar mes dy vendeve, por dhe hapjen e pikave të reja sidomos aty ku është bërë investim nga ana jonë,” tha Bushati.

Rruga e re në Kelmend dhe që lidh Shqipërinë me Malin e Zi e ka bërë të domosdoshme edhe një pikë të kalimit kufitar për të lidhur Kelmendin nga ana e Shqipërisë me  Plavën e Gucinë, që ndodhen përtej kufirit në Malin e Zi.

Sipas Bushatit kjo do të rriste shkëmbimet mes Shqipërisë e Malit të Zi dhe do i jepte hov turizmit.

Ish Prefekti i Shkodrës atë vit, Paulin Radovani tha se qeveria malazese nuk ka interes për të investuar në infrastrukturën që e lidh me Shqipërinë.

“Qeveria malazeze nuk ka interes për të investuar në infrastrukturën që e lidh me Shqipërinë ndaj dhe në pjesën malazeze, afër kufirit dhe pikave të kalimit kufitar nuk ka rrugë të gjera bashkëkohore,.. Ata duan t’i lënë gjërat siç janë, në natyrën e tyre,” tha Radovani.

Pika e re e kalimit kufitar në Grabomit në Kelmend (Grabom – Cem i Trieshit Cijevna Zatrijebacka) u shërben më së shumti qytetarëve nga Mali i Zi që jetojnë në Plavë, Guci, përfshirë dhe shqiptarë, të cilët nuk kanë nevojë t’i bie rrotull (për të shkuan në Podgoricë), por u shkurton rreth 2 orë rrugë.

Po ashtu gjatë stinës së dimrit, kur Kelmendi bllokohet nga dëbora, banorët e kësaj zone shkojnë drejt Plavës dhe Gucisë për të bërë tregti, ndërsa pikat kufitare dhe rrugët e reja do të ishin një mundësi më shumë për ta.

Vendkalimi i Vermoshit qëndron i hapur me orar dhe në periudha të ndryshme të vitit. Aktiviteti kryhet në kontainer. Infrastruktura rrugore për të arritur në këtë vendkalim kufitar është e mirë pavarësisht se ky vendkalim ndodhet në skajin më verior të Shqipërisë.

Edhe në zonën që lidh Tropojën në Shqipëri dhe Plavën e Gucinë në Malin e Zi përshkrimi i kufirit me një rrugë dhe pikë kufitare e shkurton distancën e cila në fakt nuk është larg, më pak se 15 km mes Plavës dhe Çeremit. Në vitin 2012 u miratua pika e kalimit kufitar Qafë Vranicë – Plavë në Çerem por që atëherë ajo pika kufitare nuk ka hyrë në funksion. Nëse do të funksiononte pika zyrtare e kalimit të kufirit, rruga nga Plava deri në Tropojë do të kryhej për afro një orë. Ndërsa tani për të shkuar nga Tropoja në Plavë me makinë është afro 7 orë, pak më gjatë se sa ta bësh më këmbë këtë rrugë.

Mungesa e pikave të kalimit mes dy vendeve nuk pengon kalimet e turistëve që i nështrohen një regjimi tjetër të kalimit kufitar por pengon këmbimet mes dy vendeve dhe banorëve që janë në kufi.

Edhe mes Malit të Zi dhe Kosovës është në funksion një rrugë që lidh Plavën me Pejën. Rruga është afërsisht 120 km dhe pjesa më e madhe e saj është malore. Më herët kur dy vendet i përkisnin ish Jugosllavisë mes tyre kishte edhe një rrugë shumë më të shkurtër, gjurma e se cilës është me të verdhë në hartë. Pranë një ure në hyrje të qytetit të Plavës ruhet ende tabela e kryqëzuar ndoshta që në kohën e luftës në Kosovë më 1999.

Tabela ku shënohej rruga e vjetër që lidhte Plavën me Pejën, një rrugë shumë më e shkurtër se ajo që përdoret sot

Nuk ka ndonjë nismë mes dy vendeve për ta vitalizuar këtë rrugë e cila e bën edhe më të gjallë këmbimin mes banorëve që shtrihen përgjatë shtegut të Majave të Ballkanit.

Ndërkaq rrugët e bjeshkëve mes Kosovës dhe Shqipërisë ndërpriten aty ku duhej të vazhdonin. Rruga që kalon nga bjeshkët e Junikut në drejtim të Ujezës që ndodhet në Shqipëri nuk vijojnë deri në qendrën e kësaj bjeshke. Kufiri Shqipëri-Kosovë i ndan dhe rrugët duke mos bërë të mundur qarkullimin e lirshëm të mallrave dhe mjeteve.

Rrugët ne Ujezë vijojnë në dy anët e kufirit

E njëjta pamje të ofrohet edhe në zonën e bjeshkëve të Deçanit që zgjaten deri në Trikufi jo larg bjeshkës së Dobërdolit në Shqipëri. Rrugët nuk vijojnë. Nuk ka më piramida por ende ato funksionojnë në startegjitë e turizmit malor të këtyre vendeve.

Por nuk duhet stepur. Të tri vendet po bëjnë gjithçka munden me ekonomitë e tyre të dobëta për të ngritur turizmin malor, një frymëzim që vjen nga Shtegu i Majave të Ballkanit.

Bajram Çeku, ekspert për turizëm dhe agronomi në komunën e Deçanit thotë se janë në përfundim e sipër të pëpilimit të hartave, disa udhërrefyesve, 2 projekte të dy rrugëve në ndërtim e sipër, si ajo që kalon nga Gryka e Deçanit dhe një tjetër që shkon në Gjerovicë.

“Kemi kërkuar nga një organizatë joqeveritare Kosova Development Center (KDC), ku kemi shpresa që nga dy projekte do bëhen shtigje për këmbësoret, disa vendpushime, zakonisht në burimet e ujit, si dhe disa vende për mbledhje mbeturinash për mbrotjen e ambientit”, thotë Çeku.

Për komunikimin me Malin e Zi priten të hapen dy rrugë, një nga bjeshka e Belegut dhe nga Zalli i Rukës për nga Stanishta e Dobroshit që është afër me Malin e Zi. Ndërkohë pritet që të nisë elektrifikimi i bjeshkëve megjithëse në një pjesë të tyre tashmë ka elektricitet. Ndërkaq bjeshkët e Belegut mund të bëhen qendër e skijimit.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini thotë se kemi bashkëpunim me bashkinë e Tropojës në Shqipëri dhe me komunën e Letnicës në Mal të Zi, ndërkohë është punuar për hapjen e rrugës për në bjeshkën e Batushës, zonë e jashtëzakonshme e cila për shumë kohë ka qenë e ndaluar për banorët pasi ishin afër me Shqipërinë dhe kufirin. Çdo vit zhvillohet maratona Gjakovë- Bajram Curri, është një ngjarje e mirë që po kthehet në një traditë e përheshme me gjithnjë e më shumë pjesëmarrës, thekson Gjini.

Edhe organizatat joqeveritare kanë marrë rol në zhvillimin e turizmit malor dhe ndërlidhjen e kapaciteveve , mundësive dhe ofertave mes vendeve fqinjë. Qendra Kosovare për Zhvillim në Gjakovë është e përfshirë në një projekt të tillë që financohet nga BE.

Avni Kasumi, përfaqësues i KDC në Gjakovë, thotë se kanë zbatuar disa projekte  që lidhen edhe me turizmin malor. “Sëbashku me një organizatë nga Shqipëria dhe një tjetër nga Maqedonia e Veriut kemi kryer shënimet e disa shtigjeve për ecje në zonat malore nga Shpella e Kusarëve deri te Kurora në Komunën e Gjakovës dhe Shtegu i Lirisë nga Kosharja, Kosovë deri në Padesh në Shqipëri, si dhe shtegu i Staneve të Alpeve Shqiptare”, thotë Kasumi.

Avni Kasumi, përfaqësues i KDC në Gjakovë

Ai shpjegon se qëllimi i projektit është diversifikimi i të ardhurave në zonat malore, angazhimi i tyre për shërbim më të mirë ndaj klientëve, trainime për përmirësim të cilësisë së ushqimit, metodat ecofriendly të ambinetit që do të aplikohen në dy zona kampingu , si dhe do të aplikohet ndiriçim solar, prodhimin e peletit që të shfrytëzohen mbetjet e pyllit për ngrohje.

Kujtim Rexha, nënkryetar i bashkisë së Tropojës lë të kuptojë gjatë rrefimit të tij se çështja e ndërtimit të rrugëve të Bjeshkës është në dorë të investimeve private. Ai thotë se pushteti vendor ka toleruar në mbledhjen e të ardhurave për të stimuluar nga ana tjetër investimet në turizëm. Realisht nuk është se pushteti vendor i ka kushtuar vëmëndje të ardhurave duke i stimuluar bizneset. Në vjeljen e të ardhurave ka qenë dorëlëshuar. Ndërsa thotë se ka projekte të përbashkëta me Malin e Zi me Kosovën dhe jemi në kontakte të vazhdueshme. “Po punohet dhe presim çdo ditë të finalizohen ato sidomos me Malin e Zi për të bërë asfaltimin e rrugës deri në Çerem dhe hapjen e pikës me Malin e Zi që tashmë është miratuar”.

Kujtim Rexha, nënkryetar i bashkisë së Tropojës flet për rrugët e bjeshkëve

Artikulli është përgaditur nga stafi i Droni.al. Teksti, fotot, videot janë përgaditur nga gazetarët: Ismail Bucpapaj, Shqipëri; Islam Haxhiu, Kosovë; redaktor: Sami Nezaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY