Kreu i gjykatës së Sarandës ‘ngel’ në 3 kriteret e vetingut

Kreu i gjykatës së Sarandës ‘ngel’ në 3 kriteret e vetingut

166
0
Shares

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Pamela Qirko si kryesuese, Genta Tafa relatore dhe Xhensila Pine anëtare, mbajti të premten në mëngjes seancën e parë dëgjimore për vitin 2019, ku i ftuar ishte gjyqtari Alltun Çela.

Çela është shortuar si subjekt i procesit të rivlerësimit në 15 janar 2018, për shkak të funksionit të tij në krye të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni ka administruar raportet për subjektin nga tre institucionet ndihmëse, përfshirë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktin të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

ILDKPKI ka sjellë një raport pozitiv mbi pasurinë e gjyqtarit Çela, por ky konstatim është përmbysur nga hetimi i thelluar i KPK-së, i cili ka konstatuar probleme të shumta me deklarimet e tij periodike dhe atë veting. DSIK ka dorëzuar një raport negativ për gjyqtarin Çela, duke nënvizuar se ky i fundit nuk është ‘i përshtatshëm’ për tu konfirmuar në detyrë, ndërsa vlerësimi i KLD-së për profesionalizmin e subjektit është ‘nën mesatar’.

Ndaj gjyqtarit Çela në KPK janë regjistruar një numër denoncimesh nga shtetas të ndryshëm, pjesë e të cilave janë vlerësuar të besueshme nga trupa gjykuese e KPK-së dhe për të cilat subjektit i është kaluar barra e provës.

Gjatë fjalës së tij në seancë dëgjimore, Çela ka tentuar të shpjegojë disa nga paqartësitë në lidhje me pasurinë e tij dhe ka kundërshtuar raportin e DSIK-së mbi pastërtinë e figurës, duke nënvizuar se ai nuk përmban prova.

Megjithë kundërshtitë e shprehura në seancë, gjyqtari Çela është shprehur se i pranon gjetjet e hetimit të KPK-së. Edhe pse këto gjetje kanë qenë gjerësisht negative në të tre shtyllat e rivlerësimit, ai ka kërkuar konfirmimin në detyrë si gjyqtar.

Dyshime për fshehje pasurie

Alltun Çela e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1995. Ai drejton Gjykatën e Sarandës prej vitit 2008, ndërsa u rikonfirmua në këtë pozicion edhe në vitin 2014. Në vitin 2016, emri i tij u lakua në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një çështje pronash nga kolegu i tij Rasim Doda, ndërsa ky i fundit po gjykohej për korrupsion. Doda u dënua në shkallë të parë, por Apeli e rrëzoi vendimin.

ILDKPKI ka dhënë një vlerësim pozitiv për pasurinë e tij, duke nënvizuar në raportin e saj dërguar KPK-së se subjekti ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme, nuk ka bërë deklarim të rremë pasurie, nuk ka fshehje pasurie dhe nuk ka konflikt interesi.

Por ky raport i ILDKPKI është hedhur poshtë nga hetimi i thelluar i ndërmarrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi vërtetësinë e deklarimeve të subjektit. Ky hetim sipas relatores Genta Tafa është përqendruar në provat e depozituara nga subjekti në ILDKPKI, përgjigjet e subjektit ndaj pyetësorëve të Komisionit, si dhe informacionet dhe provat e mbledhura nga institucionet e tjera.

Relatorja e çështjes Genta Tafa njoftoi se problemet e zbuluara nga Komisioni për pasurinë e gjyqtarit Çela ‘ishin të shumta’, por gjatë relacionit në seancë dëgjimore ajo do të përqendrohej vetëm tek problemet kryesore.

Këto probleme lidhen me vërtetësinë e deklarimeve të bëra nga subjekti për disa asete, përfshirë një tokë pemishte me sipërfaqe 17540 m2, një shtëpi banimi në fshatin Tetzat, njësia administrative Vergo e bashkisë Delvinë, një shtëpi banimi të ndërtuar në ish fabrikën e biskotave në Sarandë, një magazinë me sipërfaqe 51 m2, një truall 400 m2, si dhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 30 m2 në Sarandë.

Sipas KPK-së toka pemishte me sipërfaqe 17540 m2 në fshatin Tetzat në Delvinë është përfituar nëpërmjet ligjit 7501, me bashkëpronësi 6 vetë në emër të subjektit, ndërkohë që kryefamiljari në kohën e shpërndarjes së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, ishte babai i tij Kajtas Çela. AMTP-ja përfshin gjithashtu një truall që në vitin 1994 deklarohet se ka një sipërfaqe 500 m2, ndërkohë që në vitin 2016 subjekti për këtë truall ka deklaruar se ka një sipërfaqe 600 m2. Ndërkohë për shtëpinë në fshatin Tetzat të përfituar me kontratë dhurimi nga babai i subjektit Kajtas Çela në vitin 1996, KPK shprehet se është e paqartë pronësia mbi truallin 600 m2. Kjo banesë është rikonstruktuar por për këtë rikonstruksion nuk janë deklaruar shpenzime.

Sipas KPK-së deklarimet e subjektit për shtëpinë e banimit tek fabrika e biskotave kanë qenë të paqarta. Në deklaratën periodike të vitin 2003, subjekti ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 48.9 m2, i ndërtuar para viteve 1990. Në deklaratën periodike të vitit 2004, sipërfaqe e banimit është deklaruar 65 m2, me një leje ndërtimi për shtesë kati të vitit 2002 e në vazhdim. Kjo leje është regjistruar në vitin 2013 me një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me parashtrim. Sipas KPK-së leja e ndërtimit e vitit 2002 ka qenë për rikonstruksion kati dhe jo për shtesë kati, ndërkohë që deklaratat e subjektit për këtë pronë kanë qenë kontradiktore. Gjithashtu, në deklaratën veting sipërfaqja e kësaj prone është deklaruar me 2 kate – një kat 48.9 m2 dhe një kat 110 m2, por sipas KPK-së ky objekt përbëhet nga 2 kate nga 110 m2 dhe një kat përdhes prej 48.9 m2, për të cilin është deklaruar një kontratë qiraje. Për diferencën në sipërfaqen e katit të parë dhe të dytë prej 61.1 m2, KPK shprehet se kemi të bëjmë me dyshimin për fshehje pasurie. Ndërkohë për katin përdhes dyshohet se bëhet fjale për në pasuri të padeklaruar.

Për magazinën me 51 m2, e përftuar nga ndarja e një objekti me sipërfaqe 102 m2  në vitin 2016 me një shtetas tjetër me të cilin kishte bashkëpronësi, subjekti ka deklaruar të ardhura deri në vitin 2008 nga qiraja për një biznes saldimi. Më vonë subjekti ka deklaruar se kjo sipërfaqe përdoret për mikpritjen e miqve, por nuk ka deklaruar shpenzime për konvertimin e objektit nga një mjedis të një biznesi saldimi në një mjedis për mikpritjen e miqve.

KPK ka ngritur shqetësime edhe për truallin 400 m2, i deklaruar i papaguar me vlerë 5 mijë lekë, bazuar në vendimin Këshillit Bashkiak të vitit 1999. Sipas KPK-së pronësia e kësaj prone është e paqartë.

Ndërkohe për objektin me sipërfaqe 30 m2 katrorë të deklaruar në vitin 2011 me kontratë sipërmarrje dhe të paguar në vitin 2013, KPK u shpreh se subjekti në vitin 2010 ka dhënë një vendim për shtetasin Ç.Z, nga i cili është blerë ambienti dhe kjo përbën konflikt interesi. Nga fotot e para nga KPK ka dyshime mbi sipërfaqen e deklaruar të këtij ambienti.

Në deklarimet e tij gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Alltun Çela deklaroi se parashtrimet e tij i ka bërë me shkrim, por është munduar të sqaroi disa pika kyçe mbi pasurinë e tij, për të cilat KPK i ka kaluar barrën e provës. Ai deklaroi se pavarësisht se babai ish kryefamiljar, AMTP-ja ishte bërë në emër të tij si djali i vogël i familjes nga Komisioni i Kthimit të Tokës në fshat, pasi ky i fundit ishte bazuar në traditën e zonës, ndërsa për sipërfaqen e truallit ai deklaroi se Komisioni kishte gabuar.

“Kështu ka vepruar Komisioni se kaq njohje ka pasur,” tha Çela.

Për sa i përket shtëpisë në fshatin Tetzat, Çela deklaroi se kjo ishte një shtëpi historike e dhuruar nga i ati, pasi subjekti konsiderohej si djali pleqërisë për shkak se ishte djali i vogël i familjes. Ndërkohë, subjekti shtoi se shpenzimet për rikonstruksionin e saj ishin bërë gjatë viteve, pa dhënë një periudhë të saktë kohore.

Gjyqtari u ndal më gjatë për të shpjeguar apartamentin në ish fabrikën e biskotave, për të cilin deklaroi se kapanoni ishte blerë në vitin 1994 – kohën ku shërbente si polic në qytetin e Sarandës dhe së bashku me një grup kolegësh që kishin nevojë për strehim. Ai deklaroi se e kishte regjistruar katin shtesë me vendim parashtrimi në gjykatë, për shkak së një pjesë e bashkëpronarëve të ndërtesës jetonin jashtë vendit dhe kolaudimi dhe regjistrimi i ndërtesës ishte bërë i pamundur.

Çela gjithashtu kundërshtoi akuzat për konflikt interesi për blerjen e një ambienti 30 m2 nga shtetasi H.Ç, për të cilin kishte dhënë një vendim një vit përpara transaksionit.

“Kjo çështje është pushuar, nuk ka pasur vendim, nuk ka konflikt,” deklaroi Çela.

I ‘papërshtatshëm’ dhe i ‘paaftë’

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, në raportin e saj të dërguar në KPK ka arritur në përfundimin se subjekti është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën si gjyqtar. Relatorja Genta Tafa nuk dha detaje gjatë relacionit mbi përmbajtjen e raportit të DSIK-së, por nënvizoi se përmbajtja e tij ishte hetuar nga KPK dhe trupa kishte arritur në përfundimin se ishte i saktë.

Për sa i përket aftësive profesionale, vlerësimi nga KLD është bërë bazuar mbi 3 dokumente ligjore të përpiluara nga subjekti dhe 5 vendime të zgjedhura me short. Sipas KPK-së në arkivën e KLD-së ndaj subjektit ka pasur 11 ankesa, nga të cilat 8 të arkivuara. Për 3 ankesat e tjera, 2 janë gjykuar të pabaza, ndërsa për 1 ankesë po pritet vendimi i apelit. Sipas KLD-së kreu i gjykatës së Sarandës ka aftësi ‘nën mesatare’ në arsyetim ligjor. Nga analiza e dosjeve është vërtetuar një rast kur subjekti ka marrë në shqyrtim një çështje 2 ditë përpara shortit. Gjithashtu KPK shtoi se subjekti i vazhdonte seancat gjyqësore jashtë orarit të përcaktuar, me vonesa nga 4 minuta deri në 5 orë dhe përpara afatit nga 7 deri 20 minuta.

Në KPK për gjyqtarin Çela kanë ardhur 7 denoncime. Njëri nga denoncimet i bërë nga shtetasi F.K, ngre pretendimin se një vendim i marrë nga gjyqtari ka kundërshtuar një vendim të formës së prerë të vitit 1998, duke i sjellë konflikte pronësore. Denoncimi i dytë nga shtetasi H.M, shprehet se pasi e ka dënuar me vendim penal për shpërdorim detyre, subjekti e ka thirrur si ekspert në 2 çështje gjyqësore civile. Ndërsa në 2 denoncime anonime pretendohet se subjekti ka fshehur pronësinë e 2 apartamenteve në emër të krushkut me inicialet F.L – ku përfshihet një zyrë avokatie pranë gjykatës së Sarandës. Gjithashtu, sipas denoncimit anonimin, gjykatësi Çela ka përfituar shpenzimet e një udhëtimi në Kanada nga shtetasi A.Ç, për të cilin kishte marrë vendime në gjykatë.

Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Çela e kundërshtoi raportin e DSIK-së si të pabazuar në prova, ndërkohë që ngriti pretendim se KPK kishte bërë një lapsus, pasi sipas tij KLD e kishte vlerësuar me notë mesatare – për sa i përket aftësive profesionale dhe jo nën mesatare.

Çela u shpreh i habitur për përfundimin e DSIK-së për mospërshtatmërinë e tij, duke nënvizuar se ishte i bazuar në ‘letra anonime.” Ai ceku se çështjet në raport kishin të bënin me vendime pronash në Ksamil dhe parkun kombëtar të Butrinit, por nuk dha mjaftueshëm detaje mbi këto akuza, përveç kundërshtimit të tyre.

Për denoncimin e shtetasit H.M, deklaroi se ky i fundit kishte punuar si shef urbanistike në Sarandë dhe ishte përgjegjës për gjendjen që qyteti ishte sot.

“Më akuzon se i kam bërë presion, por presion kam bërë vetëm me ligjin,” deklaroi Çela. Ai shtoi se kishte ftuar shtetasin H.M si ekspert në 2 çështje civile sepse gjykata kishte vetëm 2 ekspertë të tillë dhe kjo thirrje ishte bërë pasi vendimi i tij ishte hedhur poshtë nga gjykata e Apelit.

Për sa i përket pretendimit se kishte marrë një çështje në shqyrtim 2 ditë përpara shortit, Çela u shpreh se konstatimi ishte i gabuar. Ndërkohë për denoncimin e shtetasit F.K deklaroi se vendimet nuk kishin përplasje, por ky i fundit e akuzonte se nuk arrinte ta regjistronte dot pronën në hipotekë. Ai gjithashtu kundërshtoi akuzën se pasuritë e krushkut ishin të tijat, duke u shprehur se kur ato ishin blerë vajza ishte në moshë të vogël dhe nuk ishte fejuar akoma. Sa për vizitën në Kanada, gjyqtari deklaroi se kishte vizituar të afërmit dhe pse pranoi se ishte takuar me një shtetas për të cilin kishte marrë vendime.

Më tej gjyqtari iu përgjigj pyetjeve mbi pasurinë nga relatorja Genta Tafa dhe përfaqësuesja e ONM-së Mia Rosin, në lidhje me pronat e krushkut, tokën 400 m2 me vendim bashkie dhe shtëpinë tek fabrika e biskotave. Në përfundim të seancës gjyqtari Çela i kërkoi trupës gjykuese konfirmimin në detyrë. Vendimi i KPK-së do të shpallet me datë 8 janar, ora 9:30.

/Birn/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY