Vrasja në Tiranë: A duhet t’i gjykojmë Elvanën dhe sojin e saj?

Vrasja në Tiranë: A duhet t’i gjykojmë Elvanën dhe sojin e saj?

170
0
Shares

Ngjarja e rëndë në zonën e ish-Bllokut ka tërhequr vemendjen e shumë njerëzve, sidomos pas përfshirjes së këngëtares Elvana Gjata.

Për tu ndalur këtu, Elvana në rrjetet sociale ka 1.2 milionë ndjekës, çka padyshim e bën atë të jetë në qendër të vemendjes me ngjarjen e bujshme. Çështja u bë dhe më shumë e nxehtë, kur u zbulua se motivi i sherrit dhe konfliktit, ishte ngacmimi ndaj saj.

Por pyetja që lind është: A duhet ta fajësojmë Elvanën për këtë ngjarje? Të paktën komentet e fundit, para se ajo ti bllokonte, ishte fyese, përbuzëze dhe kjo sigurisht rrëzon figurën që Elvana kishte ndërtuar prej vitesh.

Gazetari Mentor Kikia është përpjekur të sjellë një përqasje të ngjarjes në aspektin moral, duke nënvizuar atë që duhet të na interesojë nga kjo ngjarje dhe jo se kush ishte i përfshirë.

Kika shkruan se nga gjithë kjo histori, duhet marrë në konsideratë modeli të cilin personazhet e njohur servirin për shoqërinë. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me Elvanën, personalisht, por me modelin që VIP-at zgjedhin ti prezantohen shoqërisë. Dhe nga këtu, të gjithë njerëzit e tjerë kanë të drejtë, ta përbuzin atë sot.

Reagimi i plotë 

A duhet t’i gjykojmë Elvanën dhe sojin e saj?

Mentor Kikia

Natyrisht, në një shoqëri ku kritika dhe sharja është profesioni më masiv, Elvana Gjata do të ishte një prehë e mirë për gostinë e shtruar në rrjetet sociale me rastin e një ngjarjeje kriminale, ku këngëtarja thuhet se ishte sebepi. Jo vetëm në këtë rast, për mua është e papranueshme sjellja jonë prej turme të uritur, e cila sulet të shqyejë viktimën e rradhës që hidhet në arenë. Njësoj si në ata filmat epikë, që tregojnë se si njerëzit e paditur ftoheshin të qëllonin me gurë njeriun që besonte në një tjetër Zot.

Ajo vajzë nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për atë ngjarje. Madje dëshmitë tregojnë se është përpjekur të shuajë grindjen. Por besoj e dini se si sillen të fortët, që, për të treguar se sa shumë e duan vajzën që kanë në krah, janë gati t’i vënë zjarrin qytetit, edhe pse dikush thjeshtë e shikon atë. Por, në tërë këtë histori, ka një gjë tjetër që është po aq e rëndë sa dhe një krim. Mënyra se si po shtresëzohet shoqëria jonë.

A është vallë rastësi që shumë prej emrave më në zë të muzikës shqiptare janë ose vajza të lidhura me djem të botës së krimit, ose meshkuj që i kanë bërë komisariatet e policisë si shtëpinë e dytë? Padyshim që gjithkush është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e tij, e nuk i detyrohet askujt t’i japë llogari (përveç ligjit). Por këta njerëz janë publikë, kanë nga 1 milion ndjekës në rrjetet sociale, përmes të cilave i bëjnë marketing punës së tyre, por përhapin edhe stilin e tyre të jetesës dhe modelin tek ndjekësit e tyre. Jeta e tyre ekstravagande, luksi i shfrenuar që nuk justifikohet kurkund me suksesin në profesionin që kanë, nuk u përkasin vetëm atyre, në kuptimin social të fjalës. Veç ndjekësve në rrjetet sociale, ata ftohen edhe në studiot e televizioneve, ku promovojnë muzikën, por edhe sjelljen dhe modelin e jetesës. Pra, me jetën e tyre, ata ndikojnë tek të tjerët, veçanërisht të rinjtë.

Në këtë këndvështrim, Elvanën nuk duhet ta gjykojmë si përgjegjëse për atë ndodhi. As se përse zgjodhi të kishte në krah një njeri të pasur dhe të gatshëm të vrasë këdo që i hedh sytë asaj. Por, po, atë mund ta gjykojmë si modelin ‘e shëmtuar’ të një këngëtareje. Dhe për këtë arsye, ata që janë ndjekës të saj, kanë të drejtë edhe ta përbuzin.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Elvanën!

Suksesi i këtyre njerëzve varet nga sa i ndjekin. Dhe ata bëjnë gjithçka për t’i shtuar ndjekësit. Për këtë arsye ata u detyrohen këtyre njerëzve, qoftë dhe një mesazh të mirë. Por mesazhi nuk është ky. Sa prej atyre, që kapardisen me makina sheikësh e avionë privatë, u përfshi në një fushatë për të mbështetur gratë e dhunara, apo në një aktivitet bamirësie? Besoj e ndiqni Dua Lipën. Jo vetëm një talent i madh, por edhe një aktiviste shoqërore shumë e madhe.

Nuk dua të bëj moralistin. Por, në vend të këtyre mesazheve, këto prezantojnë fotot me çizme të dedikuara që kushtojnë 10 mijë dollarë, pellushë 5 mijë Euro, unaza me diamantë, makina që kushtojnë sa një apartament etj. Jo, ky nuk është mesazhi i duhur në një shoqëri ku gjysma e fëmijëve nuk kanë ç’të veshin. Ky është një karshillëk pervers.

E di, ju nuk i detyroheni askujt, për asgjë. Këtë luks nuk e keni me paratë e taksapaguesve. Por kjo është kostoja e të qenit njeri publik. Ndryshe mbyllini ato llogari në rrjetet sociale, zhdukuni edhe nga ekranet dhe shkoni e shijoni luksin tuaj.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY