Ish-ministri i Transporteve, Edmon Haxhinato, aktualisht deputete i LSI-së, e ka cilësuar idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, si një mendim arkaik.
Sipas tij një ide e tillë është utopike por dhe mjaft e rrezikshme. Përmes një statusi në Facebook, Haxhinasto shpjegon se pse ideja për shkëmbim territoresh mes dy vendeve është e rrezikshme.
Kam ndjekur me vëmendje diskutimet e fundit në lidhje me shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe, siç ndodh shpesh mes shqiptarësh, kontributorët në debat pak merren me thelbin e çështjes e shumë merren me njëri-tjetrin, a thua se sharjet sa më të mëdha për personin, janë kontribut më patriotik për thelbin delikat e me rëndësi kombëtare. Në fakt, sa më shumë merremi me personat dhe jo me çështjen, aq me pak i shërbejmë rëndësisë dhe peshës që ajo realisht mbart.
Ne fakt diskutimi nuk është i ri. Personalisht, jam marrë me këtë çështje diplomatikisht dhe politikisht, si këshilltar diplomatik i kryeministrit, si i Ngarkuar me Punë e.p në Beograd, kur pas takimit Meta – Xhinxhic në 2002, u angazhuam për rrugë direkte komunikimi dhe realizuam takime mes përfaqësuesve të moderuar kosovarë e serbë, për t’i dhënë një zgjidhje sipas modelit evropian marrëdhënies Kosove – Serbi, e më pas, edhe si Ministër i Jashtëm.
Disa parime e modele kanë qenë themelore: parimi i shkatërrimit të mureve (kufinjve) mes popujve të rajonit, jo i ngritjes së tyre; parimi i tolerancës dhe respektit reciprok për pakicat; parimi i bashkëpunimit dhe integrimit mes popujve të rajonit, si domosdoshmëri për integrimin më të gjerë në BE.
Si model gjithnjë shërbeu ai Franko-Gjerman, i cili i konvertoi dy armiq të betuar në aksin e lëvizjes dhe motorin e vetë BE-së.
Me këtë model evropian punoi edhe Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, i cili me 2004 propozoi pavarësi për Kosovën në Beograd dhe gjithë kryeqytetet e rajonit. Me këtë koncept punoi më pas edhe troika SHBA-Rusi-BE, dhe po me këtë koncept përgatiti edhe Martii Ahtissari planin e tij të pavarësisë. Pavarësia e Kosovës n? 2008 erdhi si pranim nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e shumë vende të tjera, të një Kosove të pavarur, bazuar në vlerat universale të lirive dhe të drejtave, që respektonte komunitetet etnike si pjesë themelore të shtetformimit, gjë që u mishërua në mënyrë shëmbullore edhe në simbolet (yjet në flamur e stemë) dhe Kushtetutën e Kosovës (mes të tjerave, edhe pjesmarrja e garantuar në parlament e serbëve).
Një investim i jashtëzakonshëm nga SHBA, BE dhe vende të tjera, ndodhi edhe më pas, për të forcuar shtetin e ri të Kosovës dhe për të promovuar integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, në organizata rajonale e ndërkombëtare.
Dhe sot, tek dëgjoj këtë debat mbi shkëmbimin e territoreve, më duket se ky investim ndërkombëtar, por edhe kombëtar, po rrezikohet në mënyre serioze. Me lejoni të rendis me poshtë disa vlerësime:
1. Së pari, shkëmbimi i territoreve është një përpjekje për të krijuar shtete etnikisht të pastra, koncept utopik dhe i dështuar në tragjedi e gjakderdhje, veçanërisht në Ballkan. Sidoqë të shkëmbehen territoret dhe të ndryshohen kufinjtë, do të jetë e pamundur të mos lihen brenda tyre komunitete të një etnie tjetër. Ky është koncepti i Ëestfalisë, por jo i Evropes së Bashkuar ku po integrohet Kosova, Serbia dhe rajoni.
2. Rrjedhur nga sa më sipër, shkëmbimi i territoreve tradhëton pandjeshmërinë e elitave politike për të drejtat individuale e kolektive të të gjithë qytetarëve të tjerë që nuk jetojnë në territore të shkëmbyera. Me mijëra shqiptarë jetojnë në Beograd e kudo në Serbi. Ashtu siç jetojnë serbë jashtë Mitrovicës. Çdo bëhet me ta? Apo duhet të shkojnë në shtetet etnike, nëse duan të drejta?! Pra, e këtë koncept, domethenia e numrave (pakicë – shumicë) në këtë mënyrë prevalon mbi domethënien e vlerave (liritë e të drejtat si minoritete) në përcaktimin e kufinjve dhe territoreve. Ky është koncepti më i gabuar për bashkëjetesën etnike në Ballkan.
3. Shkëmbimi i territoreve përbën një pararendës të rrezikshëm që energjitë e jashtezakonshme në rajonin tonë dhe më gjerë për të respektuar minoritetet (edhe ato shtet-formuese) të shkojnë/ridrejtohen drejt ndryshimit të kufinjve. A mund të jetë ky modeli edhe për Bosnjën e Hercegovinën, për Maqedoninë, (nuk po përmend shumë vende anëtare të BE) e praktikisht, për çdo vend tjetër që ka minoritete. Sigurisht që jo. Nuk shoh as gadishmërinë e SHBA, as të BE për të hapur “një front” të tillë të papërballueshëm.
4. Nëse elitat politike në Kosovë e në Serbi e shohin të pamundur arritjen e bashkëpunimit dypalesh dhe integrimin në rajon dhe në BE duke respektuar konfigurimin aktual të kufinjve, mendoj se ato janë të pa-afta për të udhëhequr vendet respektive drejt Evropës së Bashkuar, dhe përbetimet e tyre për integrim në Evrope janë një hipokrizi e pastër.
5. Pretendimi se shkëmbimi i territoreve mund të japë votën e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, (dhe rrjedhimisht të sjellin antarësinë e Kosovës në OKB), është një mendjeshkurtësi, sepse shkëmbimi i territoreve nuk është çështja që mban veton e tyre, por ka çështje të tjera “parimore dhe strategjike”, (vetëvendosja, ndërhyrja sipas Kapitullit 7 të Çarterit të OKB, etj) të cilave nuk u jepet pergjigje vetem me shkëmbime territoresh.
6. Dhe së fundmi, statusi aktual i Kosovës, në nje proces afrimi me BE (së shpejti liberalizimi i vizave) dhe i Serbisë (në procesin e negociimit për antarësim) do të merrte një goditje të rëndë dhe do të shënonte një regres të jashtëzakonshëm. Elitat aktuale politike në Beograd e Prishtinë nuk mund të marrin përgjegjesi te tilla që minojnë jo vetëm përpjekjet dhe arritjet e akumuluara kombëtare, por veçanërisht ato ndërkombëtare, ku krahas SHBA-së e BE-së, Shqipëria ka qenë kontributore jo e parëndësishme.
Prandaj mendoj, se ushqimi i një koncepti të tillë të shkëmbimit të territoreve, është sa arkaik, jo-Evropian, aq edhe anti-kombëtar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/